Ushtria pa “komandant” e anti- amerikanëve

0

Shkruan Sokol Pepushaj

Shumë nga ushtarët antiamerikanë mund të “vriten”. Ilir Meta, do të ishte vrarë që ditën kur i mbaruan fishekët mësimorë, po të mos fshihej nën krahët e politikës. Po të ishte “vrarë”, sot do e kishim ish Presidentin e Republikës “hero” të luftës antiamerikane. Pastaj, do kishim edhe gjendje tjetër, normalisht. Ligjeve të pas luftës, nuk do ua shpiknin gjinjtë mafiozët siç ende vazhdojnë.

Aq pigment ngjyrash i ka shtuar panoramës së luftës së gjatë Babloku, sa dosja McGonigal, SPAK-u që luan golf e nuk e fut  asnjë herë “goglën” në vrimë, apo vrimat që çel në ujë Ilirjan Celibashi, mjeshtër i vjedhjes së votave, vlerësohen si pikturë frymëzuese antiamerikane. Edhe dora e lidhur me fashë të bardhë e Presidentit të Republikës Bajram Begaj, dëshmon shpirtin luftarak në frontin për jetë a vdekje, për të mbajtur në frymë pushtetin e “plagosur”.

Këta xhunglerë, janë lodhur nga barbarizmat e rrugës, janë “plagosur” secili më shumë se secili, prandaj janë akomoduar si “gjeneralë” në llogoret e luftës elitare.

Kanë nxjerrë “ushtarët” në vijën e parë.

E veçanta e ushtrisë anti-amerikane, është se nuk mbajnë në çantë bukë e ujë, gaveta, lugë, rroba e fishekë, por ecin me makina të blinduara, rroba firmato, rehatohen në hotele luksoze me dashnore dhe dalin ekraneve të televizioneve e japin vetë lajmet.

Gjeneral Sali Berisha, me shtatë “plagë” në trup, nuk e drejton “luftën” nga bunkerët, por e mbajnë “ushtarët” për duarsh të mos rrëzohet kur hipën në tribuna, kur ndez alarmet e sulmeve, derisa shqiptarët mbyllen nëpër shtëpi, të ndjekin kronikat e zeza.

E kanë rrethuar popullin këta…

Tek tmerri, frika, paniku i të sotmes, e kërkojnë paqen e të nesërmes pushtuesit që nuk shkulen prej 32 vitesh nga zona e trafikut të drogës dhe përfitimeve ekonomike.

FBI, CIA, DEA dhe NATO, kanë ngritur “kampet” e veta këtu, për të dhënë mesazhin se, këta që kanë udhëhequr në dëmtimin e funksionit të lirive të njeriut nga barbarizmi i njeriut, do të merren në “kope” e do të grupohen në kampet e Reçit.

Në kushtet e mbijetesës, komandantët e rrethuar nga amerikanët, kanë nxjerrë në ballë, ushtarë “mish për top”.

Kërkojnë heronj.

Në trupin e turpit, nuk gjen shpjegim alibia, më keq është kur vdes shpresa, apo kur mbaron municioni.

Bosh, si hije, “ushtarët” kanë dalë para “topave” dhe i thonë Amerikës, “hë, na vrisni, na bëni heronj”.

Çojeni nëpër mend, ç’do të bëhej nëse do qëlloheshin këta?!

“Robërit” nuk vriten. Ushtra pa komandant thjeshtë është në mbijetesë dhe gjendja mund të përkufizohet në një fjali; Antiamerikanët, si ushtria me “komandant” të plagosur./Pamfleti

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu