“Minimum jetik, rritje e pagave e pensioneve”, Berisha prezanton programin e PD: Zero tolerancë ndaj krimit e korrupsionit

0

Ekonomia, rritja e pagave dhe pensioneve, mbështetja e familjeve, të rinjve dhe fermerëve, si dhe forcimi i prodhimit vendas, do të jetë në themel të programit të Partisë Demokratike. Kreu demokrat Sali Berisha premtoi gjatë fjalës së tij në Kuvendin Kombëtar miratimin e minimumit jetik

Berisha theksoi gjithashtu një luftë pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa akuzoi qeverinë për lidhje me krimin. Ai u zotua për zero tolerancë ndaj bandave dhe për forcimin e ligjit dhe policisë.

Sipas tij, Shqipëria po dëmtohet nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, ndërsa PD synon rikthimin e ekonomisë së tregut, uljen e varfërisë dhe përmirësimin e standardit të jetesës në nivel rajonal.

Pjesë nga fjala e Berishës në Kuvendin Kombëtar të PD-së

Por së pari do të japim përgjigjen vendimtare varfërisë së skajshme në këtë vend të bekuar, vend me pasuri natyrore dhe pasuri të tjera më të mëdha se çdo vend tjetër për kilometrat që ka.

Ndaj dhe rikthemi tek ata të cilët numërojnë kafshatën.

Minimumi jetik, dyfishim dhe trefishimin e pensioneve, me një objektiv, unë nuk them se do kapim Gjermaninë, se do kapim Italinë apo Francën, por them se do të dalim në krye të rajonit për rrogat dhe pensionet sepse kemi qenë, sepse ishim.

Pra, vizioni ynë është shqiptarët më të paguarit dhe i garantoj të gjithë rrogëtarët në këtë vend se ata do paguhen më mirë se të gjithë të tjerët në këtë rajon.

Siguroj vogëlushët e Shqipërisë se sot në këtë narkoregjim, në këtë diktaturë autoritare janë viktimat më të shumta dhe më të pafajshme se kujdesi i parë dhe më i madh do jetë për ta.

Se me pagesat për fëmijët dhe minimumin jetik, asnjë fëmijë nuk do jetë i kërcënuar në Shqipëri. Jo!

Jo vetëm fëmijët, por nënat, merr fund gjysmërroga me lejet e lindjes. Rrogë e plotë për të gjithë periudhën.

Të rinjtë shqiptarë, PD me programin e saj ka vetëm një qëllim dhe ndër më kryesorët, ëndrra e tyre të ndërtohet në Shqipëri.

Por që ëndrra e tyre të ndërtohet në Shqipëri, ata duan studime, duan punësim, duan strehim.

Ne zotohemi në përparësi absolute në qëndrimin ndaj tyre.

Fermerët, që tani braktisin pasivisht fermat e tyre nga falimentimi, i garantoj se ata të cilët japin 20 përqind të prodhimit të këtij vendi dhe marrin vetëm 0.19 përqind sikur të ishin skllevër të shekullit të 19-të, do kenë mbështetje dhe subvencionet e shtetit të nivelit më të lartë, katër-pesë herë më të larta të nivelit më të lartë që ekzistojnë në rajon.

Pa dyshim, ekonomia në vizionin tonë do të jetë themeli i programit.

Miq, ne themeluam në Shqipëri ekonominë e tregut.

Ne bëmë shumë gjëra për lirinë e tregut.

Ne jemi forca politike e barrës fiskale më të ulët në Evropë dhe do mbetemi të tillë.

Ne do shkatërrojmë ekonominë e tregut dhe do rivendosim ekonominë e tregut.

Edi Rama me lobistët e tij të korruptuar përpiqet ta qortojë, pse flasim për narkoekonomi, pse flasim për narkoshtet.

Cilitdo shqiptari të ndershëm, cilitdo miku të Shqipërisë i kërkoj njerëzisht të kontrollojë, në cilin shtet në planet euro dhe dollari kanë thyer qafën më shumë, kanë rënë për tokë më shumë? Mund të mendojnë se ajo është Kolumbia. Mund të mendojnë se është Peruja. Jo, apo Meksika. Jo, jo! Shqipëria! Shqipëria e Rama-Dushkut, ka një rënie 32% të euros dhe dollarit. Një goditje fatale e eksporteve, kurse Meksika e ka vetëm 17%.

Ne insistuam dhe u thamë miqve, partnerëve tanë se Edi Rama zgjedhjet i ka shndërruar në farsë. Dhe ua faktuam! Janë dy libra me 2500 faqe, me fakte, dokumente, video që tregojnë shëmtinë e farsës elektorale në Shqipëri. Ne nuk tërhiqemi!

Ne do u faktojmë miqve tanë, se kjo është një narkodiktaturë, se ekonomia e Shqipërisë po shkatërrohet nga droga, se treguesi i ndërtimit, tre herë më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, është tregues i kokainës, se kullat që shihni në Tiranë janë monumente të shëmtuara të kokainës dhe drogës. Pra, edhe këtë betejë do e fitojmë ne!

Dhe këtë betejë nuk e bëjmë vetëm për veten tonë. Jo! Këtë betejë e bëjmë për çdo qytetar të lirë të Europës dhe të botës. Po po! Shqipëria është eksportuesi kryesor i krimit. Është eksportuesi i parë i kanabisit.

Shqiptarët e Edi Ramës, të lidhur me Edi Ramën, janë transportuesit kryesorë të kokainës nga Europa… nga Amerika Latine në Europë. Ata kontrollojnë portet e Durrësit, kontrollojnë vendin. Ata marrin vendime për gjithçka. Zero tolerancë! Me forcën e ligjit do ta shtypim krimin siç e kemi provuar. Kudo që ndodhet, në Tiranë, në Shqipëri, në Ekuador, në Bolivi, në të katër anët, në Britaninë e Madhe, në Gjermani dhe kudo!

Këto banda, këta kriminelë do të japin llogari për krimin e shëmtuar që kryejnë ndaj Shqipërisë dhe kombeve të tjera. A e kemi faktuar ne këtë? E kemi faktuar ne këtë.

Ne në qeverisjet e mëparshme në 18 muaj i vumë para ligjit bandat më gjakësore. Ai fat i pret!

Dje më thoshte një mik, një publicist i njohur amerikan me interesa shumë të veçanta në rajonin… Si do t’ia bëni? Si do t’ia bëjmë thashë? Po ta themi, thashë. Në 2005 e shpallëm si zotim kryesor zero tolerancë ndaj krimit. Dhe natyrisht gazetarët, qytetarët më pyesnin, po me se do i luftosh këto banda?

Dhe unë u përgjigjesha, me policinë! Dhe tani prapë po të më pyesin, me policinë them prapë. Atë kohë, i them mikut tim, tre katër oficerë të lartë të policisë më kërkuan takim. Erdhën në zyrë dhe më thanë zoti kryeministër ne këtyre banditëve u dalim përballë shumë mirë. Por kemi vetëm një kërkesë. Urdhëro, u them unë. Kur ne ta nisim betejën, askush mos na pengojë.

Shikoni miq se cili ishte politika.

Bashkë me banditët do shkojnë dhe politikanët që i kanë bërë ata të tillë. Po! Shtëpia do pastrohet! Shtëpia do pastrohet! Dhe unë ju jap fjalën pasi të pastrojmë policinë nga narkotrafikantët, do shihni ju se sa burra dhe gra, trima dhe guximtarë ka mes tyre, që janë të gatshëm t’i bëjnë zap këta kriminelë kudo që janë dhe kriminelët me kollaro që i frymëzojnë ata. Ripërtëritja jonë është lufta kundër korrupsionit. Ne do bëjmë çdo gjë për zbatimin… ligjin e konfliktit të interesit që Edi Rama e ka përjashtuar.

Do bëjmë gjithçka për transparencën.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu