Shkruan Dr. Dylbere Dika
Drejtor e Përgjithshme e DMPP
Një vlerësim për kontributin atdhetar, human dhe shoqëror në shërbim të paqes, sigurisë dhe prosperitetit.
Ishte pikërisht 28 Nëntori 2026, Dita e Flamurit Kombëtar Shqiptar, kur në ambientet e Diplomatic Mission Peace and Prosperity (DMPP) u mblodhën personalitete të njohura nga Shqipëria dhe trevat shqiptare, si dhe përfaqësues të strukturave e partnerëve ndërkombëtarë të këtij Misioni.
Arsyeja e këtij takimi të veçantë ishte promovimi i një çmimi të ri ndërkombëtar, kushtuar figurës emblematike të historisë së Kosovës dhe kombit shqiptar, Heroit Kombëtar Adem Jashari: Golden Medal “ORDER OF PEACE MISSIONARY WARRIOR ADEM JASHARI” (Medaljs e Artë “Urdhri i Luftëtarit Misionar të Paqes Adem Jashari”).
Ky titull i lartë nderimi, i akorduar nga Misioni Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet, në bashkëpunim me partnerët e tij ndërkombëtarë, si American Diplomatic Mission for World Peace (ADMWP), Academy of Universal Global Peace (AUGP), United Nations University for Global Peace (UNUGP) dhe Diplomatic Society Saint Gabriel (DSSG), iu akordua personalitetit shqiptar, ish-ushtarakut Hysni Lila.
Vlerësimi iu dha me motivacionin:
“Për përkushtimin e jashtëzakonshëm dhe kontributin e çmuar në fushën e kujdesit shëndetësor, sigurisë publike, sigurisë kombëtare, paqes dhe prosperitetit; për frymëzimin e bashkëjetesës shoqërore dhe paqes ndërkomunitare; për shërbimin si ish-ushtarak i Ushtrisë Shqiptare, si veteran në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Shqipëri, si Misionar i Paqes, si përgatitës special ushtarak i Adem Jasharit, Heroit Kombëtar të Kosovës, si aktivist i njohur i të drejtave të njeriut dhe si promovues i misioneve që synojnë ndërtimin e paqes dhe prosperitetit për mbarë njerëzimin.”
Dëshmi dhe vlerësime për një jetë në shërbim të atdheut.
Gjatë ceremonisë, ish-komandanti Nazmi Çela, në fjalën e tij përshëndetëse, solli kujtime dhe vlerësime personale për figurën e Hysni Lilës:
“Të nderuar drejtues të Misionit Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet, i nderuar Dr. Shefki Hysa, të dashur miq, kolegë, dashamirës dhe familjarë!
Mirë se keni ardhur!
Është një kënaqësi e veçantë që sot, në këtë aktivitet solemn, mikun dhe kolegun tonë Hysni Lila ta nderojmë me një Medalje të Artë që mban emrin e nderuar të heroit tonë legjendar, Adem Jashari.
Me Hysniun njihemi prej më shumë se tri dekadash. Kemi punuar krah për krah dhe, gjatë gjithë këtyre viteve, kam pasur mundësinë ta njoh nga afër, si koleg dhe si mik. E kam vlerësuar gjithmonë për korrektësinë, përkushtimin dhe ndershmërinë me të cilën e ka kryer detyrën. Fjala e tij kishte peshë, sepse përgjegjësitë që merrte përsipër i çonte gjithmonë deri në fund.
E kujtoj mirë kohën kur në repart duhej të përzgjidhnim një punonjës për detyra që kërkonin përgatitje të lartë, disiplinë dhe besueshmëri. Zgjodhëm Hysniun, sepse në punën e përditshme ai i kishte dëshmuar të gjitha këto cilësi.
Gjatë trajnimit të grupeve në Qendrën Stërvitore në Surrel, ai punoi pa ndërprerje, duke u kujdesur që çdo detyrë të kryhej sipas rregullave, nga fillimi i stërvitjes deri në përfundimin dhe përcjelljen e grupeve. Sot e kujtoj me krenari atë vendim, sepse e pashë nga afër se si Hysniu e justifikoi plotësisht besimin që i dhamë.
Të njëjtin përkushtim Hysniu e ka treguar edhe në shërbim të komunitetit. Ai ka shërbyer si kryetar i veteranëve të zonës së Dajtit dhe vazhdon të shërbejë si kryetar i fshatit Shkallë, detyrë të cilën e ka mbajtur për më shumë se tri mandate.
Puna e tij është vlerësuar ndër vite nga eprorët, institucionet ku ka shërbyer dhe organizatat shoqërore. Në prill të vitit 2018, ai u shpall ‘Misionar i Paqes’, ndërsa sot nderohet me Urdhrin e Artë ‘Adem Jashari’, si një vlerësim për kontributin e tij ndër vite.
I dashur Hysni, miku im i mirë, urime nga zemra! Mbaje me nder dhe krenari këtë vlerësim të merituar! Paç jetë të gjatë dhe shëndet!
Një falënderim i veçantë shkon për Ambasadorin e Paqes dhe Guvernatorin e DMPP-së, Dr. Shefki Hysa, si dhe për të gjithë stafin e Misionit, për organizimin e kësaj ceremonie dhe vëmendjen që u kushtojnë njerëzve që kanë dhënë kontribut të çmuar për komunitetin.”
Data 28 Nëntor, përveçse Dita e Flamurit, mbart edhe një simbolikë të veçantë për kujtesën kombëtare, pasi përkon me datëlindjen e Heroit Kombëtar Adem Jashari. Në këtë ditë, kujtojmë me respekt jetën, qëndresën dhe sakrificën e tij, një simbol frymëzimi për brezat dhe një thirrje të përhershme për t’i shërbyer kombit me përgjegjësi, dinjitet dhe përkushtim.
Hysni Lila: “Krenaria ime më e madhe është shërbimi ndaj kombit tim!”
I emocionuar, por njëkohësisht me modestinë që karakterizon njerëzit e vlerave, vetë z. Hysni Lila shprehu mirënjohjen e tij për këtë vlerësim të veçantë:
“I nderuar Guvernator i Misionit Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet, Dr. Shefki Hysa! Të nderuar shokë, miq, dashamirës, të afërm dhe pjesëtarë të familjes sime!
Mirë se keni ardhur në këtë aktivitet të veçantë, të cilin e kam ëndërruar prej kohësh!
Është një nder dhe kënaqësi e veçantë për mua të marr Urdhrin që mban emrin e Adem Jasharit, legjendës sonë kombëtare!
Në vitet 1990, u caktova të mbuloja aspektin logjistik gjatë periudhës së trajnimit të grupeve të ushtarakëve nga Kosova. Kjo ishte një detyrë të cilën jo vetëm e realizova, por u përpoqa ta përmbush me përkushtimin dhe cilësinë më të lartë, duke e konsideruar gjithmonë një privilegj të madh besimin që m’u dha.
I kujtoj me shumë nostalgji, edhe pse kanë kaluar më shumë se tri dekada, përgatitjen intensive, disiplinën dhe seriozitetin me të cilin stërviteshin grupet e luftëtarëve, përdorimin e bazës materiale, si dhe ushtrimet e qitjes në poligonet përkatëse.
Vlerësimi që më bëhet sot ma përforcon bindjen se e kam kryer me sukses detyrën time ndaj kombit. Puna ime në Qendrën Stërvitore, lufta dhe fitorja në Kosovë, përbëjnë dhe do të mbeten përjetësisht ‘Krenaria ime më e madhe!’
Falënderoj Misionin Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet dhe Dr. Shefki Hysën për këtë vlerësim të veçantë. Falënderoj gjithashtu të gjithë pjesëmarrësit!
Respekt dhe mirënjohje për të gjithë!”
Një vlerësim që tejkalon një ceremoni nderimi
Akordimi i Urdhrit të Artë “Luftëtari i Paqes Adem Jashari” për Hysni Lilën përfaqëson më shumë se një ceremoni nderimi. Ai është një mesazh mirënjohjeje për njerëzit që, në periudha të ndryshme të jetës së tyre, kanë zgjedhur t’i shërbejnë atdheut, shoqërisë dhe vlerave njerëzore.
Përmes këtij vlerësimi, Diplomatic Mission Peace and Prosperity (DMPP) përcjell edhe një mesazh të rëndësishëm: paqja nuk ndërtohet vetëm përmes marrëveshjeve dhe diplomacisë ndërkombëtare, por edhe përmes përgjegjësisë individuale, sakrificës, përkushtimit dhe kontributit të njerëzve në komunitetet ku jetojnë e veprojnë.
Sepse nderimi i atyre që kanë kontribuar për kombin dhe njerëzimin është një mënyrë për të ruajtur kujtesën historike dhe për t’u përcjellë brezave mesazhin se paqja, atdhedashuria dhe dinjiteti njerëzor janë vlera që nuk humbasin kurrë.




