Zgjedhjet vendore kanë nisur para kohe

0

Shkruan Zef Ndreka

PS-ja organizohet, ndërsa PD-ja kërkon shpëtimin tek individët!
Është ende herët për të folur zyrtarisht për fushatën e ardhshme të zgjedhjeve vendore, por ethet e saj kanë filluar të ndihen në terrenin politik. Në forma të ndryshme, aktorët kryesorë kanë nisur lëvizjet e para, duke zbuluar jo vetëm ambiciet, por edhe shkallën e përgatitjes për garën që vjen.
Nga njëra anë, shihen qartë takimet e shumta të organizatave socialiste në çdo zonë. Ato drejtohen nga përfaqësuesit politikë të qarqeve, me mbështetjen e deputetëve dhe strukturave vendore. Kryetarët aktualë të bashkive kanë shtuar dëgjesat publike, takimet me komunitetet dhe jo rrallë edhe kontaktet private me grupe të caktuara interesi.
Kjo nuk është vetëm veprimtari rutinë partiake, por është një përpjekje e hershme për të konsoliduar elektoratin, për të matur pakënaqësitë, për të identifikuar problematikat dhe mbi të gjitha, për të ruajtur avantazhin organizativ të mazhorancës.
Nga ana tjetër, kemi një opozitë pa një orientim të qartë politik, ku mbizotërojnë lëvizjet individuale dhe ambiciet për tu faktorizuar në zgjedhjet e ardhshme. Kryesisht në PD, bien në sy deputetë që po shqyrtojnë mundësinë e lënies së mandatit parlamentar për të garuar për drejtimin e bashkive.
Në pamje të parë, kjo mund të paraqitet si sakrificë politike, si gatishmëri për tu përballur me qytetarët dhe për të marrë përgjegjësi në pushtetin vendor.
Por, a është vërtet kështu?
Në realitet, këto lëvizje mund të jenë edhe shprehje e një pakënaqësie më të thellë brenda vetë opozitës. Deputetë të zgjedhur nën kontrollin e kryetarëve, pa hapësirë reale për vendimmarrje dhe pa autonomi politike, duket se kanë kuptuar se roli i tyre në parlament është më shumë ai i zbatuesit të vullnetit të lidershipit sesa i përfaqësuesit të lirë politik.
E ardhmja e tyre parlamentare duket e pasigurt dhe karriera politike mbetet e varur nga vullneti i kryetarit, kështu, pushtetin lokal mund të shohin si një mundësi të re për mbijetesë dhe afirmim personal.
Këta, po ngatërrojnë ambicien për një post vendor me sakrificën për një projekt politik.
Asnjë kandidat nuk bëhet alternativë vetëm sepse lë mandatin e deputetit. Ai duhet të sjellë një program, besueshmëri, ekip dhe një vizion të ndryshëm për qeverisjen vendore.
PD-ja, në gjendjen e saj të sotme apatike, duket se po kërkon të kompensojë mungesën e një strategjie me emra individësh. Por zgjedhjet vendore nuk fitohen vetëm duke nxjerrë në skenë figura të njohura. Ato kërkojnë organizim që atyre ju mungon, besim publik që ju mungon, kërkon kohezion politik dhe mbi të gjitha një alternativë bindëse që përseri mungon.
Ndërkohë, nuk përjashtohet mundësia që lëvizjet e fundit të protestave të prodhojnë parti të reja politike. Disa prej tyre mund të kërkojnë të shndërrojnë pakënaqësinë qytetare në kapital elektoral. Megjithatë, krijimi i partive të reja nuk do të thotë menjëherë ndryshim i raportit aktual mes pozitës dhe opozitës. Përkundrazi, pa një projekte të qarta, pa organizime dhe pa figura me integritet e besueshmëri, rreziku është që këto iniciativa të mbeten vetëm struktura të përkohshme rreth ambicieve individuale.
Edhe kuadri i ri ligjor zgjedhor, së bashku me caktimin e datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës, do ti vendosë partitë përballë një realiteti të ri. Përgatitjet e hershme të mazhorancës dhe paqartësitë e opozitës mund të ndikojnë ndjeshëm në mënyrën se si do të hyjnë në këtë garë.
Gjithsesi, është ende herët për të nxjerrë përfundime përfundimtare. Politika shqiptare mund të prodhojë zhvillime të papritura, aleanca të reja dhe rikonfigurime të brendshme partiake.
Por një gjë duket që tani, opozita nuk mund të hyjë në zgjedhjet vendore me të njëjtën formulë politike që e ka çuar në dobësimin e sotëm. Nuk mjafton të ndryshojë kandidatët, nëse nuk ndryshon mënyrën e të bërit politikë.
Sepse përballë një mazhorance që po organizohet sistematikisht, opozita ka vetëm dy rrugë, të ndërtojë një alternativë reale qeverisëse, ose të vazhdojë të radikalizohet përmes protestave dhe dhunës, deri në dorëzimin politik.
Dorëzimi politik, nuk do të ishte vetëm dështimi i një fushate zgjedhore, por dëshmi e një krize shumë më të thellë të opozitarizmit shqiptar.
Gjithsesi, zgjedhjet vendore mund të bëhen testi i parë serioz nëse PD-ja është ende një parti që prodhon alternativa politike, apo është kthyer në një strukturë që prodhon vetëm kandidatë për të shpëtuar karrierat e individëve…

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu