Kush do ta mbrojë Erion Veliajn?!

0

Shkruan Zef Ndreka

Një analizë politike mbi heshtjen e opozitës, qëndrimin e mazhorancës dhe kalkulimet elektorale në Tiranë.
Pyetja që shtrohet në krye të artikullit nuk ka të bëjë me atë se kush po e mbron juridikisht Erion Veliajn, por pse në një moment kaq të rëndësishëm politik, duket sikur askush nuk po merr përsipër ta mbrojë realisht, në të gjitha të drejtat e tij.
Kush do e mbrojë?
Partia Demokratike?
Dakordësitë e mundshme mes faktorëve politikë e mediatikë?
Moskonfrontimi i çuditshëm i aktorëve politikë? Apo një kombinim interesash që shkon përtej deklaratave publike?
Opinioni publik ka pritur shumë më tepër nga opozita. Ka pritur një opozitë aktive, me qëndrime të qarta politike, me mocione mosbesimi, me kallëzime të reja dhe përballje parlamentare. Por ajo ka zgjedhur një sjellje relativisht të butë, pothuajse të pakuptueshme përballë një çështjeje që ka pasur dhe vazhdon të ketë peshë të madhe politike.
A është kjo zgjedhje e qëllimshme apo pasojë e krizës së thellë të brendshme të PD-së? Vështirë të thuhet me siguri, por një gjë është e dukshme se opozita nuk ka arritur ta shndërrojë rastin Veliaj në një betejë të mirëfilltë politike.
Ndërkohë, më i fortë është dukur qëndrimi i vetë mazhorancës. Sjellja ndaj Veliajt, distancimi politik dhe së fundi përjashtimi i tij nga drejtimi i partisë dëshmojnë se brenda PS-së ka nisur një proces ripozicionimi, ku besnikëria politike duket se ka kufijtë e vet.
Këtu lind pyetja:
si po bëhen realisht kalkulimet elektorale për Tiranën?
Veliaj, pavarësisht goditjeve politike dhe problemeve të tij me drejtësinë, ka ende një bazë mbështetjeje dhe një profil elektoral që nuk mund dhe nuk duhet të shpërfillet. Prandaj, çdo lëvizje që lidhet me të duhet parë edhe në raport me të ardhmen e pushtetit vendor në kryeqytet.
Në këtë kontekst, nuk mund të neglizhohen marrëdhëniet personale, pragmatizmi lokal dhe ndërthurja e interesave të nivelit bashkiak me ato të politikës qendrore.
Në Tiranë ekzistojnë bashkëpunime interesash që shpesh kapërcejnë ndarjet formale partiake. Ato mund të krijojnë përshtypjen e marrëveshjeve të heshtura, por nuk mund ti shpallim si të tilla.
Megjithatë, është legjitime të kërkohet transparencë për mënyrën se si ndërtohen këto raporte dhe kujt i shërbejnë ato.
Edhe faktori mediatik ka rolin e vet. Mënyra se si përcillen zhvillimet, cilat episode marrin vëmendje dhe cilat lihen në hije, ndikon drejtpërdrejt në perceptimin publik. Imazhet e aksioneve spektakolare, përplasjet politike dhe konfliktet e brendshme në PD plotësojnë një tablo ku faktet, interesat dhe interpretimet ndërthuren vazhdimisht.
Por politika nuk duhet gjykuar vetëm nga imazhet. Duhet parë edhe përtej tyre, pra kush përfiton, kush tërhiqet, kush hesht dhe kush shmang përballjen?
Ndoshta paradoksi më i madh i kësaj situate është se Erion Veliaj duket i braktisur politikisht nga të dyja palët, por kjo nuk do të thotë se interesat që kanë ndikuar në ngritjen dhe funksionimin e pushtetit të tij janë zhdukur.
Asnjëra palë nuk duket e interesuar të marrë përsipër një mbrojtje të hapur të tij. Mazhoranca distancohet, opozita nuk sulmon me forcën që pritej, ndërsa publiku mbetet përballë një loje politike ku mungojnë përgjigjet e qarta.
Veliaj duhet të përballet me drejtësinë për çdo përgjegjësi që mund ti provohet, por duhet të gëzojë të gjitha garancitë ligjore dhe prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar.
Sot, Veliaj nuk po mbrohet nga askush!
Por është krejtësisht e paqartë nëse është braktisur politikisht, apo thjesht është lënë i vetëm në publik, ndërkohë që interesat rreth tij vazhdojnë të mbrohen në prapaskenë.
Kjo është ajo që qytetarët kanë të drejtë të dinë..

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu