Shkruan Zef Ndreka
Ajo që ndodhi në mbrëmjen hapëse të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, më 15 nëntor 2026, në Bruksel, nuk mund të konsiderohet vetëm një gabim në përzgjedhjen e repertorit muzikor, por ishte një incident me domethënie politike dhe diplomatike, veçanërisht për Kosovën dhe gjithë Ballkanin Perëndimor.
Kënga serbe nacionaliste “Oj Kosovo, Kosovo” u interpretua pa u kënduar teksti i saj. Por titulli dhe përmbajtja historike e këngës janë të njohura. Ajo lidhet me nacionalizmin serb të periudhës së ngritjes politike të Sllobodan Millosheviçit, në vitin 1989.
Problemi bëhet edhe më serioz kur kemi parasysh se kjo ndodhi në një aktivitet të organizuar nga vetë Komisioni Evropian, në një forum që synon zgjerimin e BE-së dhe ndër të tjera, pajtimin dhe fqinjësinë e mirë në rajon.
Vjen natyrshëm pyetja:
A mund të flitet për pajtim evropian duke i dhënë hapësirë simbolikave që ushqejnë pretendime territoriale dhe mohojnë realitetin shtetëror të Kosovës?
Ta analizojmë.
Së pari, a ishte një gabim artistik apo një papërgjegjshmëri politike?
Nuk është e domosdoshme të provohet se interpretimi ishte provokim i qëllimshëm për të kuptuar dëmin që shkaktoi.
Në diplomaci, simbolikat kanë më shumë peshë. Një këngë nuk është gjithmonë vetëm muzikë. Në rrethana të caktuara historike, ajo mund të përfaqësojë një ideologji, një pretendim territorial apo një projekt politik.
Prandaj, organizatorët e një aktiviteti të nivelit të Komisionit Evropian duhet të kenë përgjegjësi të veçantë për përzgjedhjen dhe kontrollin e përmbajtjes që prezantohet.
Nuk mund të organizosh një forum për pajtimin dhe zgjerimin evropian, ndërkohë që në skenën e tij shfaqen simbole të nacionalizmit serb që kanë prodhuar konfliktet më të rënda në Ballkan.
Së dyti, po Kosova, a ishte e ftuar apo jo në atë forum?
Këtu qëndron një tjetër problem diplomatik.
Sipas informacioneve, Kosova nuk kishte përfaqësim qeveritar në forum, ndërsa Komisioni Evropian kundërshtoi pretendimin se Kosova ishte përjashtuar tërësisht, duke argumentuar se në aktivitet ishte e pranishme edhe përfaqësuesja e shoqërisë civile, Donika Emini, e cila ishte pjesë e panelit për pajtimin.
Pra, duhet bërë dallimi ndërmjet ftesës për një përfaqësuese të shoqërisë civile dhe ftesës zyrtare për përfaqësuesit e Republikës së Kosovës.
Ky dallim nuk është formalitet. Kosova është pjesë e realitetit politik të Ballkanit dhe çdo proces që pretendon të ndërtojë të ardhmen evropiane të rajonit duhet ta trajtojë me seriozitet këtë realitet.
Së treti, a e kupton Evropa historinë e Ballkanit?
Evropa nuk mund të jetë vetëm një projekt ekonomik, tregtar dhe institucional. Ajo është, mbi të gjitha, një projekt politik, demokratik dhe qytetërues, i ndërtuar mbi respektimin e sovranitetit, të drejtave të njeriut dhe bashkëjetesës.
Ballkani Perëndimor nuk mund të trajtohet si hapësirë ku nacionalizmat historikë mund të relativizohen në emër të një kulture të përbashkët.
Luftërat e viteve ’90, shkatërrimi i ish-Jugosllavisë, represioni serb në Kosovë dhe ndërhyrja e NATO-s nuk janë kapituj që mund të fshihen me një koncert muzikor.
Pajtim nuk do të thotë të harrosh! Aq më pak do të thotë barazim artificial i përgjegjësive historike!
Është fakt pozitiv që komisionerja Marta Kos shprehu keqardhje për përzgjedhjen e këngës dhe deklaroi se ajo nuk përfaqëson qëndrimin e Komisionit Evropian për Kosovën dhe historinë e saj. Por një ndjesë diplomatike nuk e zëvendëson përgjegjësinë institucionale për atë që ndodhi.
Së katërti, a mund ta pengojë BE-ja rikthimin e nacionalizmave?
BE-ja duhet të kuptojë se zgjerimi nuk është thjesht proces teknik, ku vendet kandidate plotësojnë kapitujt e negociatave dhe harmonizojnë legjislacionin.
Zgjerimi i BE-së është edhe një proces i transformimit të kulturës politike të rajonit.
Nuk mund të kërkosh nga Kosova të ndërtojë marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë, ndërkohë që toleron simbole dhe sjellje që mohojnë shtetësinë e saj.
Nuk mund të kërkosh pajtim pa drejtësi, bashkëpunim pa njohje të realitetit dhe integrim evropian pa hequr dorë nga pretendimet territoriale.
BE-ja duhet të jetë më e vendosur që të mos lejojë relativizimin e krimeve dhe të së kaluarës historike, të kërkojë nga Serbia distancim real nga trashëgimia politike e Millosheviçit dhe nacionalizmi territorial dhe të garantojë trajtim të barabartë dhe dinjitoz për të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Kosovën.
Evropa nuk është dhe nuk duhet të jetë spektatore e nacionalizmave ballkanikë!
Ajo që ndodhi në Bruksel është një paralajmërim se sa e brishtë mbetet kultura e pajtimit në Ballkan.
Nuk mjafton që Evropa të flasë për një të ardhme të përbashkët, nëse nuk është në gjendje të dallojë simbolikat që rikthejnë konfliktet e së kaluarës.
Kosova nuk po kërkon privilegje, por po kërkon respekt për shtetësinë e saj, për historinë e saj dhe për sakrificat e popullit të saj.
Pajtimi nuk mund të ndërtohet duke i kënduar nostalgjisë së atyre që nuk e kanë pranuar kurrë humbjen e një projekti hegjemonist.
Brukseli duhet ta kuptojë një të vërtetë themelore se në Ballkan, indiferenca ndaj nacionalizmit nuk është neutralitet. Shpesh, ajo bëhet një formë e heshtur tolerimi të tij.
Evropa duhet të zgjedhë, ose do të jetë garantuese e paqes dhe e bashkëjetesës, ose do të vazhdojë të jetë spektatore e konflikteve që pretendon se dëshiron ti mbyllë…




