Sandër Saraçi – Intelektuali shkodran, deputet dhe ministër, përfaqësues i elitës administrative të Mbretërisë Shqiptare

0

Pergatiti per botim Av. Ilir Kuka

– Sandër Saraçi ishte një ekonomist, dhe i përket brezit të intelektualëve shqiptarë veprimtaria e të cilit shtrihet në fusha të rëndësishme të jetës publike: administratë, ekonomi, përfaqësim parlamentar dhe drejtim të institucioneve shtetërore.

– Arsimin profesional e nisi në Kolegjin Saverian të Shkodrës, ku përfundoi studimet në fushën e tregtisë. Pas përfundimit të studimeve u emërua sekretar i Bashkisë së Shkodrës. Më vonë u vendos në Vjenë, ku punoi pranë shoqërisë komisionere Austro-Orientale, ndërkohë që ndoqi edhe Akademinë Tregtare në kryeqytetin austriak.
– Qëndrimi në Vjenë i dha mundësinë të njihej me praktikat e administrimit ekonomik dhe të veprimtarisë tregtare në një mjedis të zhvilluar evropian.
Gjatë kësaj periudhe bashkëpunoi edhe me shoqërinë studentore shqiptare “Albania“, duke botuar shkrime në organin e saj “Djalëria“. Ky angazhim dëshmon se interesat e tij nuk kufizoheshin vetëm në fushën ekonomike, por përfshinin edhe jetën intelektuale të shqiptarëve në diasporë.
– Në vitin 1921 Sandër Saraçi u kthye në Shqipëri dhe u emërua sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve Botore. Ky emërim shënon fillimin e një karriere të gjatë në administratën qendrore shqiptare. Përvoja e tij në fushën e ekonomisë dhe tregtisë, së bashku me njohuritë e fituara në Austri, ishin një bazë profesionale në ushtrimin e detyrës së sekretarit të përgjithshëm një funksion i rëndësishëm administrativ. Z S. Saraçi e ushtroi këtë veprimtari përpara se të hynte në jetën parlamentare dhe të merrte drejtimin politik të ministrisë.
– Zgjedhja e z.Sandër Saraçi në vitin 1932 deputet i Shkodrës në Parlamentin Shqiptar përfaqëson një kalim nga administrata shtetërore në përfaqësimin politik. Ai tashmë nuk ishte vetëm një funksionar i administratës, por edhe përfaqësues i qytetit të Shkodrës në institucionin ligjvënës të vendit. Veprimtarinë parlamentare e vazhdoi deri në pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste në prill 1939.

– Kulmi i karrierës së tij shtetërore gjatë Monarkisë ishte emërimi i z. S. Saraçi Ministër i Punëve Botore në qeverinë e tretë të Pandeli Evangjelit, të formuar më 11 janar 1933, një ndër ministritë me rëndësi të veçantë për zhvillimin e vendit. Ministria e Punëve Botore kishte përgjegjësi në fushën e infrastrukturës, rrugëve, urave, ndërtimeve publike dhe veprave të tjera të dobishme për ekonominë dhe administrimin e territorit.
– Një nga dëshmitë më interesante për veprimtarinë e tij si Ministër i Punëve Botore është intervista e dhënë gazetarit francez Roger Crouquet, gjatë vizitës së tij në Shqipëri në qershor 1935, e botuar në gazetën franceze „Le Petit Journal“.
Në këtë intervistë, z S. Saraçi paraqiti zhvillimet infrastrukturore të Shqipërisë gjatë dhjetëvjeçarit 1925–1935. Sipas të dhënave që ai i paraqiti gazetarit, gjatë kësaj periudhe ishin ndërtuar 1.200 kilometra rrugë dhe 3.700 ura, ku theksonte se shumë prej urave të vjetra prej druri ishin zëvendësuar me ura betoni dhe çeliku, duke përmirësuar komunikimin ndërmjet krahinave.
– Në këtë intervistë një vëmendje të veçantë i kushtohej edhe portit të Durrësit. z. S. Saraçi shpjegonte se punimet për zhvillimin e tij kishin kushtuar deri atëherë 8 milionë franga ari. Synimi ishte krijimi i kushteve për ankorimin e anijeve të mëdha dhe lehtësimin e transportit të udhëtarëve dhe mallrave.
Gjithashtu Ministri z Saraçi përmend gjithashtu ndërtimin e shkollave, kazermave dhe spitaleve, si dhe përpjekjet për përmirësimin e lidhjes rrugore ndërmjet Tiranës dhe Durrësit.

– Një element tjetër i rëndësishëm që ai shpjegonte ishte sistemi i kontributit të detyrueshëm në punët publike ku përmend faktin se qytetarët e moshës 18–58 vjeç duhej të kontribuonin me dhjetë ditë pune në vit për shtetin, ndërsa parashikoheshin edhe forma të tjera përmbushjeje të këtij detyrimi. Duhet theksuar se shifrat e paraqitura në intervistë i referohen gjithë periudhës 1925–1935 dhe jo vetëm kohës kur Saraçi drejtoi ministrinë. Megjithatë, fakti që ai i paraqiste këto zhvillime në cilësinë e ministrit tregon se infrastruktura ishte një prej çështjeve kryesore të politikës publike që ai përfaqësonte.
– Mbas largimit të z Sandër Saraçi nga posti i ministrit të Punëve kjo detyra iu besua përkohësisht kryeministrit Pandeli Evangjeli, ndërsa në qeverinë e Mehdi Frashërit ministria u drejtua nga një tjetër përfaqësue Shkodran z. Ndoc Naraçi. Largimi i Saraçit shënon përfundimin e një etape të rëndësishme të karrierës së tij, por jo të angazhimit të tij parlamentar, të cilin e vazhdoi deri në pushtimin italian të Shqipërisë.
– Mbas pushtimit Italian 7 prill 1939 dhe ndryshimet politike që solli Lufta e Dytë Botërore, jeta e Sandër Saraçit mori një drejtim tjetër.
– Me vendosjen e komunizmit rreth viteve 1956–1959 ai u internua në fshatrat e Fierit dhe të Vlorës.
( Marre nga Revista “Minerva” nr 10, 15 maj 1933; nr 26, dhjetor 1934 )

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu