Protesta e qytetarëve dhe beteja e Berishës për monopolin e opozitës

0

Shkruan Zef Ndreka

Protesta e Tiranës ka dy fytyra.
Njëra është fytyra e qytetarëve, studentëve dhe të rinjve që kërkojnë ndryshim, drejtësi dhe përgjegjësi politike.
Tjetra është hija e politikës së vjetër, e cila po përpiqet ta shndërrojë këtë pakënaqësi në kapital politik për interesat e veta.
Por ajo që po ndodh është edhe më shqetësuese.
Në momentet kur qytetarët thërrasin” Rama në burg – Berisha në burg”, ata shprehin një mesazh që shkon përtej ndarjes tradicionale pozitë-opozitë. Është një refuzim i idesë se përgjegjësia politike duhet të jetë vetëm e kundërshtarit dhe se njëra palë duhet të përjashtohet nga llogaridhënia.
Pikërisht këtu duket se ka filluar problemi për drejtuesit e PD-së.
Pamjet e përplasjeve fizike me qytetarë që guxuan të thërrasin edhe emrin e Berishës janë sinjale të rrezikshme dhe serioze. Asnjë protestë nuk mund të jetë e lirë vetëm kur brohoritet kundër qeverisë. Ajo duhet të jetë e lirë edhe kur kritikon opozitën.
Demokracia nuk funksionon me parimin se mund të godasësh atë që nuk mendon si ti.
Sali Berisha, në vend që ta shohë këtë protestë si një hapësirë të pavarur qytetare, kërkon ta vendosë nën ombrellën e PD-së dhe ta orientojë drejt objektivave të tij politike. Ai kërkon bashkimin e të gjithë faktorëve opozitarë, por duket se e ka të vështirë të pranojë një bashkim ku edhe vetë ai është objekt i kritikës.
Lind pyetja:
A po lufton Berisha për largimin e Ramës, apo po lufton njëkohësisht edhe për të ruajtur monopolin e tij mbi opozitën?
Nuk mund të përjashtohet se një pjesë e kësaj përpjekjeje lidhet me frikën e humbjes së kontrollit politik mbi protestën dhe mbi vetë opozitën.
Sepse një lëvizje qytetare që nuk pranon as Ramën dhe as Berishën, që nuk kërkon zëvendësimin e një pushteti me një tjetër të së njëjtës klasë politike, krijon një hapësirë të re politike, jashtë kontrollit të dy kampeve tradicionale.
Dhe kjo është ajo që duhet kuptuar sot.
Berisha mund të jetë pjesë e protestës si drejtues i opozitës, por nuk mund të pretendojë pronësinë mbi të. Studentët nuk janë pronë e PD-së. Qytetarët nuk janë militantë të askujt. Protesta nuk është pronë e asnjë partie.
Nëse një protestë kërkon drejtësi, ajo duhet ta kërkojë për të gjithë. Nëse kërkon përgjegjësi, përgjegjësia nuk mund të ketë përjashtime politike.
Opozita që nuk toleron kritikën ndaj vetes, po humbet dita-ditës pikërisht atë që pretendon se përfaqëson, besimin e qytetarëve.
Dhe ndoshta mesazhi më i rëndësishëm i kësaj proteste nuk është vetëm “Rama në burg – Berisha në burg”, por kërkesa që Shqipëria të mos mbetet peng i së njëjtës klasë politike, pavarësisht se kush ndodhet në pushtet dhe kush në opozitë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu