Shkruan Sonila Meço
Çfarë ironie mizore po e vetdemaskon këtë qeverisje.
Edi Rama ka postuar një tabelë STOP të rrëzuar përtokë, me nje mbishkrim dashurie në të për t’u betuar edhe një herë si i vetmi shpëtimtar i vetshpallur i saj.
Në rrugët e Shqipërisë të rrëzuar përtokë po dhunohen barbarisht e paligjshmërisht protestues, studentë, të mitur e prindërit e tyre që ju qendrojnë pas me shishe uji. Janë ata që ankthin e sakrificën e largësisë prej emigracioni a shkollimi jashtë e kanë zëvendësuar me mbijetesën në narkoshtet, duke i rezistuar tundimit të një bilete avioni a kutërbimit të nënshtrimit. Janë ngritur shqiptarët që i le jashtë perimetrit të privilegjeve të pushtetit.
Flet ti për dashurinë ndaj Shqipërisë? Cilës Shqipëri? Asaj që ia bëre natyrën beton? Ajrin helm? Asaj që ia ia ndërrove shtratin lumenjve për t’i tharë? Asaj që e shpure në vendin e fundit në treguesit arsimorë? Asaj që e furnizon me barna të skaduara? Asaj që trojet më të bukura ia le t’ja përdhunojë krimi? Asaj që i rripen asfaltet 20 milionë euro për km? Asaj që ia përzure shqiptarët e vet për t’i zëvendësuar me bangladeshas, indianë e filipinezë? Asaj që ia përzure mjekët, inxhinierët e krijuesit më të mirë? Asaj që i takse parlamentin më sharlatan në histori? Asaj që ia zhduke trashëgiminë? Asaj që ia thave shpirtin nga arti dhe e mbushe si spec me militantë pa talent? Asaj që ia shfrytëzove klimën për hashash, por i bën karshillëk me prodhime importi? Asaj që ia zure diellin 300 ditësh me kulla të shëmtuara me mure krimi? Asaj që i mbathe një pëlhurë propagande dhe e nxore për shitje? Asaj që nuk ia deshe kurrë motrën e vogël, Kosovën? Asaj që pasi ia rrite diasporën edhe ia përçave?
Cfarë dashnie është kjo? Aman mos e duaj më…se po e masakron me gjithsej!
Kësaj here është dokumentuar gjithçka, dhuna e pashpirt ndaj studentëve e shqiptarëve, përfshi minorenë. Terror shtetëror i frymëzuar nga zgëqet e një ndërgjegjeje të deformuar. Çfarë po shohim nëpër rrugët e Shqipërisë ka nisur shumë më parë, në skutat e mendjeve ku është normalizuar poshtërimi i tjetrit! Sot ka dalë në sipërfaqe çfarë ka kohë që kalbet në mendjet diabolike.
Dashuri është kjo? Ky është obsesion që meritonte urdhër mbrojtjeje me kohë.
Shqipëria nuk është ajo copë llamarine mbi asfalt. Shqipëria është edhe ai trup i mitur a studenti nën shkelma uniformash.
Shqipëria nuk është Kryeministri. Qeveria nuk është atdheu. Kundërshtimi i pushtetit nuk është sulm ndaj vendit. Këtë e dinë edhe ata 14 vjeçarët pa maska e pa gurë në dorë që artikulohen shumë më mirë se deputetët e tu.
Sa më shumë i thekson këto monopole të dashnisë e vizionit që veç ti e paske për këtë vend, aq më diktator e tiran i shfaqesh shqiptarëve e botës mbarë! Jepi, vetdemaskohu!
Ajo tabelë STOP, e hedhur përtokë nga frustrimi i njerëzve që nuk i binden më as patronazhistit, as emigracionit e as shpopullimit, të drejtohet ty, llojit të pushtetit tënd, llojit të narkoshtetit që na proftase në mes të Europës.
Tabelat bien e ringrihen ama Shqipëria nuk ka shans të ngrihet duke e identifikuar fatin e saj me makthin e dorëheqjes së një njeriu.
Një vend duhet të qendrojë në këmbë edhe kur bie qeveria, edhe kur ndryshon pushteti, edhe kur nuk kalben të ndenjurat në ulëset e shtetit. Kjo është një nga provat më të rëndësishme se ai vend është demokraci. Kjo është prova e çfarë Shqipërie krijove. Kjo është prova e shtetit që ndërtove.
Shqipëria nuk është një tabelë trafiku o Kryeministër! Është një republikë, ku zgjedhjet duhej të mbaheshin pa mbikqyrjen e krimit, me institucione që duhej të kontrollonin njëra-tjetrën, me SHISH që i shërbente sigurisë, me polici që garantonte siguri, me qytetarë që duhej t’ju jepje llogari, me drejtësi që duhej t’u dëmshpërblente shqiptarëve zhvatjet e qeverisë, me opozitë që nuk ia bën varrin me çdo kusht, me prodhime të vetat, bereqet siç e meriton ajo copëz toke që padrejtësitë historike na e tkurrën, por Zoti e bekoi mbi e nëntokë me gjithë të mirat.
Pasi gjymtuat Shqipërinë, po tentoni të gjymtoni shqiptarët. Janë një, po u re atyre i ke rënë Shqipërisë, një vend nuk ka trup tjetër veç njerëzve të tij.




