Shkruan Zef Ndreka
Në një formë apo në një tjetër, Erion Veliaj duket se po hyn në një raport të ri politik me PD-në. Qoftë përmes qëndrimeve të tij publike, qoftë përmes zhvillimeve që mund të pasojnë në raport me drejtësinë.
Edhe nëse Veliaj vendos të bashkëpunojë me drejtësinë, nuk do të mungojnë interpretimet politike dhe teoritë se pas këtij bashkëpunimi mund të ketë interesa të tjera. Madje, mund të dëgjojmë edhe variante që përpiqen të lidhin qëndrimet e Belinda Ballukut me një përpjekje për eliminimin politik të kryebashkiakut.
Por këto janë vetëm pretendime që presim të provohen.
Megjithatë, historia na sjell ndër mend disa ngjashmëri.
Shumë vite më parë, në kohën kur Fatos Nano drejtonte qeverinë, lëvizja “Mjaft”, e drejtuar nga Erion Veliaj, ishte një nga zërat më të fortë të opozitës qytetare. Ajo zhvillonte aktivitetin e saj në një klimë politike ku PD-ja ishte përfituesja kryesore e goditjeve ndaj qeverisë socialiste.
Sot, pas shumë vitesh, Veliaj gjendet në një pozicion krejt tjetër. Nga një aktivist që sfidonte qeverinë e Nanos, në një kryebashkiak socialist që përballet me drejtësinë dhe që në një mënyrë apo në një tjetër, mund të gjendet në të njëjtën anë të barrikadës politike me kundërshtarët e dikurshëm.
A është ky një paradoks i politikës shqiptare, apo një tjetër dëshmi se interesat politike shpesh i kapërcejnë ndarjet partiake?
Ndoshta kemi ardhur në një pikë ku duhet të mbyllet një cikël i tërë politik. Një cikël ku protagonistët ndërrojnë pozicione, kundërshtarët bëhen aleatë të përkohshëm dhe qytetarët mbeten spektatorë të së njëjtës lojë.
Shqipëria ka nevojë për një politikë të re, jo për riciklimin e të njëjtëve personazhe në role të ndryshme.
Ndoshta ka ardhur koha që të mbyllet jo vetëm cikli politik i Erion Veliajt, por edhe ai i një klase politike që prej tri dekadash vazhdon të ndërrojë maskat, pa ndryshuar thelbin.




