Shkruan Av. Ilir Kuka
– Ndërtimi i shtetit shqiptar nuk nënkuptonte vetëm krijimin e institucioneve, por edhe mbështetjen e dijes, dokumentimin e së kaluarës dhe ruajtjen e kujtesës kombëtare.
– Vizita e historianit dhe albanologut kroat Milan Šufflay në Shqipëri, në janar 1931, është një dëshmi e rëndësishme të kësaj përpjekjeje.
– Šufflay (1879–1931), studiues i njohur i historisë mesjetare shqiptare, synonte të mblidhte, të sistemonte dhe të botonte dokumente historike të shpërndara në arkivat evropiane. Projekti i tij kishte rëndësi të veçantë për historiografinë shqiptare, ndërsa mbështetja e institucioneve shtetërore shqiptare do t’i jepte kësaj nisme një dimension kombëtar.
– Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Šufflay u prit nga Mbreti Zog dhe zhvilloi takime me përfaqësues të institucioneve më të larta shtetërore. Kjo pritje dëshmon rëndësinë që iu kushtua vizitës së studiuesit dhe projektit të tij shkencor.
– Një rol konkret në këtë proces pati z. Hilë Mosi, Ministër i Arsimit, i cili u angazhua në kontaktet institucionale me studiuesin.
– Një dëshmi bashkëkohore e kësaj pritjeje është kronika e gazetës «Ora», Tiranë, 21 janar 1931, me titull «Darkë për nder të z. prof. Von Schufflay». Gazeta shkruante: «Të Premten ora më 20 Ministri i Arsimit E. T. z. Hil Mosi, dha në Kursal Tirana një darkë për nder të filoshqiptarit të çquar z. prof. Von Schufflay, ardhur para pak ditësh në Tiranë për një vizitë të shkurtër……
………Në darkë morën pjesë, ndër të tjerë, ministri i Ekonomisë Kombëtare Mehdi Frashëri, Midhat Frashëri, Aleksandër Xhuvani, Dhimitër Berati, Mihal Sherko dhe Llazar Çetta “.
– Sipas kësaj kronike, Ministri i Arsimit z. Hilë Mosi vlerësoi rëndësinë e punimeve të Šufflay-t për historinë shqiptare dhe simpatinë që ai kishte treguar për kombin shqiptar. Edhe studiuesi, në përgjigjen e tij, përmendi rëndësinë e historisë shqiptare.
– Kjo dëshmi e shtypit të kohës tregon se vizita e Šufflay-t nuk ishte thjesht një takim privat me një studiues të huaj. Ajo u shoqërua me pritje zyrtare dhe me përfshirjen e personaliteteve të jetës politike e kulturore të vendit.
– Rëndësia e vizitës u shpreh veçanërisht në mbështetjen financiare të projektit të Šufflay-t. Më 16 janar 1931, gjatë qëndrimit në Shqipëri, ai paraqiti në Parlament punën që synonte të realizonte për vazhdimin e botimit të veprës dokumentare Acta Albaniae dhe për përgatitjen e një historie të Shqipërisë.
– Për realizimin e projektit, Parlamenti Shqiptar parashikoi shumën prej 75 000 frangash ari, nga buxheti i shtetit, për shpenzimet e kërkimeve dhe të botimeve. Ky vendim dëshmon se mbështetja për studimin e historisë shqiptare nuk mbeti vetëm në nivelin e pritjes dhe të vlerësimit publik, por mori edhe formën e një angazhimi financiar institucional.
– Projekti përfshinte vazhdimin e veprës Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia, titull që mund të përkthehet si «Akte dhe dokumente që ndriçojnë historinë e Shqipërisë në Mesjetë». Dy vëllimet e para të kësaj vepre ishin botuar më 1913 dhe 1918, në bashkëpunim me studiuesit Lajos Thallóczy dhe Konstantin Jireček. Šufflay synonte të vazhdonte punën me vëllimet e mëtejshme, duke mbledhur dokumente nga arkiva evropiane, ndër të cilat ato të Romës, Venedikut, Napolit dhe Dubrovnikut.
– Krahas botimit të dokumenteve, projekti parashikonte edhe përgatitjen e një historie të Shqipërisë, të mbështetur në burime arkivore dhe kërkime shkencore.
Në një kohë kur shumë prej burimeve të historisë shqiptare ruheshin jashtë vendit, kjo nismë kishte rëndësi të veçantë. Ajo synonte ta kthente dokumentacionin e shpërndarë në një bazë të organizuar për studimin dhe njohjen e së kaluarës shqiptare.
– Më 19 shkurt 1931, vetëm pak javë pas vizitës në Shqipëri, Milan Šufflay vdiq në Zagreb, pas një sulmi të dhunshëm të kryer një ditë më parë. Vrasja e tij u lidh me dhunën politike të kohës dhe shkaktoi reagime ndërkombëtare. Në reagimet dhe interpretimet historike janë ngritur akuza për përfshirjen e qarqeve nacionaliste serbe dhe të strukturave të lidhura me aparatin shtetëror jugosllav.
– Ndër reagimet ndërkombëtare spikati protesta e Albert Einstein-it dhe Heinrich Mann-it, të cilët denoncuan vrasjen dhe dhunën politike në Jugosllavi.
– Vdekja e Šufflay-t ndërpreu një veprimtari shkencore me rëndësi edhe për Shqipërinë. Projekti për të cilin shteti shqiptar kishte parashikuar mbështetje financiare nuk mundi të realizohej në tërësinë e synuar.
– Vizita e Milan Šufflay-t në Shqipëri në janar 1931 nxjerr në pah ndërthurjen e kërkimit shkencor me përgjegjësinë institucionale dhe vizionin shtetëror.
– Mbreti Zog I, si kreu i shtetit, përfaqësonte drejtimin politik të Mbretërisë Shqiptare; z. Hilë Mosi, si ministër i Arsimit, përfaqësonte angazhimin institucional në kontaktet me studiuesin; ndërsa Šufflay sillte përgatitjen dhe përkushtimin shkencor për dokumentimin e historisë shqiptare.
Kronika e gazetës Ora, Tiranë, 21 janar 1931, me titull ” Darkë për nder të z. prof. Von Schufflay”
Darkë për Nder të z. Prof. Von Schufflay
– Të Premten ora më 20 Ministri i Arsimit, E. T. z. Hil Mosi, dha në Kursal Tirana një darkë për nder të filoshqiptarit të çquar z. prof. Von Schufflay, ardhur para pak ditësh në Tiranë për një vizitë të shkurtër.
– Në darkë, të servirur bukur dhe me shije, muarrnë pjesë Ministri i Arsimit E. T. Hil Mosi, Ministri i Ekonomis Kombëtare E. T. Mehdi Frashëri, z. prof. Von Schufflay, prefekti z. Rexhep Jella, z. Midhat Frashëri, Aleksander Xhuvani, Dhimitër Berati, Mihal Sherko, Luigi Shala dhe Llazar Çetta.
– E. T. z. Hil Mosi gjatazi darkës i adresoi mikut të Shqipëris një fjalë të bukur, në të cilën theksoi rëndësin e punimeve istoriografike të z. prof. Von Schufflay mbi Shqipërin, si edhe simpathin, që ka rrëfyer kurdoherë për Kombin Shqiptar.
– Z. prof. Von Schuffllay u përgjegj me një fjalë të thjeshtë e të përzemërt, në të cilën zuri gojë disa prej fletoreve më të shkelqyera t’istoris Shqiptare.
– Pas z. prof. foli z. Llazar Çetta, i cili me një fjalim plot sinqeritet e përshëndeti z. prof. dhe i uroi sukses në punimet e tij të tjera.
– Darka vazhdoi me një atmosferë kordialiteti dhe të mbledhurit u ndanë, duke i uruar udhë të mbarë z. prof. Von Schuffllay, i cili u nis për në Ragazë, ku do të vazhdojë kërkimet mbi dokumentat t’istorisë Shqiptare.




