Kur preket Fishta, dhunohet objekti, dhunohet kujtesa

0

Shkruan Zef Ndreka

Jezusi, me zemërgjerësinë e tij, ndoshta do të përsëriste:
“Fali, o Atë, se nuk dinë çfarë bëjnë!”
Por ne nuk mund të mjaftohemi vetëm me faljen.
Pamjet e sotme nga Lezha janë të rënda. Të shohësh të rinj që shkelin, tërheqin apo përdhosin një simbol kushtuar “Lahutës së Malcisë” nuk është më episod proteste, por plagë mbi kujtesën kulturore të qytetit dhe të vendit.
Sepse Gjergj Fishta nuk i përket një partie. Nuk është as i qeverisë dhe as i opozitës. Fishta i përket gjithë Shqipërisë.
“Lahuta e Malcisë” nuk është pronë e një kryetari bashkie, e një qeverie apo e një brezi, por trashëgimi e gjuhës, e historisë dhe e identitetit tonë kombëtar.
Edhe protesta më e drejtë humbet moralin e saj kur zemërimi drejtohet kundër kulturës, kundër monumenteve dhe pasurisë së përbashkët.
Nëse në këto vandalizma ka vërtet nxënës të shkollave të mesme, duhet pyetur:
Kush po i edukon?
Kush po i orienton?
Kush ua mbush mendjen se protesta do të thotë të shkatërrosh?
Nëse ka persona që i kanë nxitur ose drejtuar, përgjegjësia e tyre morale është shumë më e madhe. Gargasët janë më fajtor se doracët.
Lezha është qyteti i Besëlidhjes, është qyteti ku historia shqiptare ka lënë gjurmë që nuk i përkasin një krahu politik.
Pikërisht për këtë arsye, ajo që duhet tu mësojmë të rinjve është se mund të rebelohen ndaj pushtetit, mund të kundërshtojnë kryeministra, ministra, kryetarë bashkish e parti politike, por nuk kanë pse të rebelohen kundër historisë së tyre.
Mund ta rrëzosh një qeveri me votë, ta sfidosh një pushtet me protestë, të kërkosh ndryshimin e një sistemi.
Por çfarë fiton duke rrëzuar Lahutën?!
Asgjë.
Vetëm dëshmon se, në një çast zemërimi, ke goditur pikërisht atë që duhej ta mbroje.
Prandaj kjo pamje duhet të na shqetësojë përtej politikës së ditës. Sepse kur një shoqëri u mëson fëmijëve të saj të shohin tek kultura një objekt mbi të cilin mund të shkarkohet zemërimi politik, problemi nuk është më protesta, por edukimi, memoria, raporti ynë me Shqipërinë.
Dhe këtu fjalët vërtet bëhen të pakta.
Fishta nuk u dëmtua sot. Fishta është shumë më i madh se kaq.
Sot dëmtuam diçka nga vetja jonë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu