Shkruan Azgan Haklaj
Dy epoka, dy ambasadorë, dy misione të ndryshme!
Kur William Ryerson mbërriti në Tiranë në marsin e vitit 1991, ai nuk solli me vete thjesht protokollet e zakonshme diplomatike, por një shkëndijë shprese mbi gërmadhën e diktaturës më të egër të Europës Lindore.

Për një popull të izoluar e të terrorizuar, SHBA ishte “toka e premtuar”, ndërsa prania e ambasadorit amerikan në krah të studentëve i dha goditjen përfundimtare tabusë së frikës.
Sot, pas më shumë se tre dekadash, mbërritja e ambasadorit të ri amerikan rizgjon sërish të njëjtën shpresë tek Washingtoni.
Mirëpo terreni politik nuk është më i njëjti, e për rrjedhojë, as misioni diplomatik.
Ndryshimi i regjimit:
Nga terrori te kapja e shtetit!
Në vitet ’90, armiku ishte i qartë, një diktaturë klasike monopartiake që mbahej në këmbë me terror shtetëror, tela me gjemba dhe censurë zyrtare.
Misioni i Ryerson-it ishte të nxisë rënien e atij regjimi të izoluar dhe të hapë rrugën e pluralizmit politik.
Sot, sfida e shoqërisë shqiptare është shumë më e ndërlikuar.
Përballja nuk është më me diktaturën e vjetër, por me atë që në fjalorin politik quhet neodiktaturë apo republikë e korrupsionit.
Fasada demokratike:
Ky sistem nuk përdor burgjet politike, ai funksionon përmes kapjes së shtetit (state capture) dhe opozitës.
Ky kontroll subtil ruan zgjedhjet periodike, anëtarësimin në NATO dhe përpjekjet për integrim europian, ndërsa në prapaskenë konsolidon kontrollin mbi institucionet e pavarura, ekonominë e tregut, median dhe opozitën përmes monopolit të financave dhe korrupsionit të nivelit të lartë.
Dy epoka, dy misione diplomatike të ndryshme!
Pushteti dhe opozita e vjetër janë të shkrira në një zigotë interesash të përbashkëta, duke bërë që shoqëria ta shohë sërish përfaqësuesin e Shtëpisë së Bardhë si një shpëtimtar mesianik.
Por dy misionet ndryshojnë rrënjësisht:
Kataliza e Ryerson (1991):
Ryerson ishte një katalizator i drejtpërdrejtë terreni. Prania e tij fizike në sheshe vërtetoi se regjimi komunist kishte humbur çdo legjitimitet ndërkombëtar, duke i dhënë guxim lëvizjes popullore.
Kataliza e sotme diplomatike:
Misioni aktual është institucional dhe strukturor.
Ai ushtrohet përmes presionit pa ekuivok për forcimin e SPAK-ut, zbatimit të sanksioneve antikorrupsion (listat non-grata) dhe heqjes së çdo mbrojtjeje politike për zyrtarët e korruptuar.
Diplomacia amerikane sot përballet me një dilemë të hollë:
Ruajtjen e stabilitetit gjeopolitik në rajon kundrejt nxitjes së reformave rrënjësore kundër impunitetit. Mirëpo, stabilokracia pa sundim ligji nuk është gjë tjetër veçse konsolidim i neodiktaturës.
Në kiminë politike, katalizatori përshpejton reagimin, por kurrë nuk e zëvendëson dot lëndën e parë.
Washingtoni mund t’i heqë oksigjenin e mbështetjes ndërkombëtare pushtetit të kapur, por ndërtimi i një demokracie reale mbetet detyrë e brendshme.
Çeshtja kombëtare dhe trashëgimia e aleancës strategjike!
Përballja me neodiktaturën nuk mund të jetë thjesht një betejë për rrotacion politik, por duhet të kthehet në një projekt strategjik kombëtar.
Aleanca me SHBA-në nuk është një konvergjencë e çastit, e rrethanave politike të ditës, por boshti ekzistencial i vetë çeshtjes kombëtare, i provuar në çdo udhëkryq historik:
Woodrow Wilson (1919):
Parandaloi copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris.
Richard Nixon (1972):
Në qeverisjen e tij sinjalet e para të zbutjes gjeopolitike hodhën farën për rikthimin e Shqipërisë në botën e lirë dhe avancimin e autonomisë së Kosovës në vitin 1974.
George H.W. Bush (1992):
Vendosi “vijën e kuqe” Paralajmërimi i Krishtlindjeve ndaj Millosheviçit:
Mos prekn Kosovën!
Bill Clinton (1999):
Me urdhërin e tij ndërhyrja e NATO-s shpëtoi popullin e Kosovës nga gjenocidi.
George W. Bush (2007):
Deklaroi nga Tirana pavarësinë e Kosovës, e shoqëruar me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Sot, përkujdesja diplomatike dhe strategjike amerikane mbetet garancia kryesore për ruajtjen e identitetit dhe mbrojtjen nga pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, konsolidimin e faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut e Mal të Zi, si dhe sensibilizimin e Kauzës Çame.
Përballë pretendimeve rajonale sllave nën tutelën ruse, SHBA është garancia e beslidhjes panshqiptare e shtetit komb të shqiptarëve.
Diplomacia e Shtëpisë së Bardhë është aleati natyral në sprovën kundër kapjes së shtetit.
Mirëpo, ashtu si presidentët amerikanë bënë detyrën e tyre për kombësinë tonë në botë, formulimi i vizionit kombëtar dhe çrrënjosja e neodiktaturës nga brenda mbetet detyrë historike e vetë shoqërisë shqiptare.
Kerkohet veprim me guxim e qytetari, rezistencë e konseguencë për çlirimin e demokracisë nga kthetrat e oktapodit të regjimit oligarkik, plutokratik, kleptokratik, kakistokratik.
Tani e ka fjalën sovrani që ka dalë në shesh prej më shumë se dy muajsh dhe çdo ditë po i bën Nuremberg-un kastës së vjetër dhe kërkon t’i japë fund establishmentit për të sjellë demokracinë reale.
Protesta qytetare, drejtësia e re, aleati strategjik SHBA do të shembin republikën korrupsionit.
Shqiptarët, përjetësisht, duhet ta mbajnë në akord shqiptaro-amerikan çiftelinë!



