Shkruan Zef Ndreka
Deklaratat dhe qëndrimet e përfaqësuesve të PD-së në Bruksel kanë rikthyer debatin mbi kufirin mes luftës politike të brendshme dhe interesit kombëtar. Në çdo demokraci është legjitime që opozita të kritikojë qeverinë edhe në arenën ndërkombëtare.
Por kritikën opozita e shikon si përpjekje për të penguar proceset integruese të vendit dhe veçanërisht PD-ja rrezikon të shihet si dëm për interesin shtetëror.
Procesi i integrimit evropian nuk është pronë e asnjë partie politike, as e PS-së as e PD-së. Integrimi evropian i Shqipërisë është një objektiv strategjik i Shqipërisë, i mbështetur prej shumicës së qytetarëve dhe i ndërtuar mbi angazhimin institucional të shtetit. Për këtë arsye, rivaliteti politik nuk duhet të kthehet në pengesë për një proces që i përket të gjithë shqiptarëve.
Ajo që ndodhi paravpak ditësh në Bruksel nuk ishte një betejë për demokracinë, por një tjetër përpjekje për ta eksportuar konfliktin e brendshëm politik shqiptar në institucionet evropiane. Por opozita kërkoi të bindë partnerët ndërkombëtarë se vendi i saj nuk meriton të ecë përpara dhe kështu menjëherë lind pyetja e pashmangshme:
Po mbrohet interesi kombëtar apo interesi i një lideri politik?
Procesi i integrimit në Bashkimin Evropian nuk duhet të trajtohet si trofe e qeverisë dhe as pronë e opozitës. Ai është projekti më i rëndësishëm kombëtar i Shqipërisë. Prandaj, çdo përpjekje për ta përdorur atë si mjet presioni në betejat e politikës së ditës është një gabim politik dhe gabim moral.
Problemi më i madh i Partisë Demokratike nuk duket të jetë qeveria, por paaftësia për tu shkëputur nga politika e konfliktit të përhershëm dhe nga lidershipi i personalizuar. Por interesi i një njeriu është vendoset mbi interesin e vendit, kështu opozita po humbet rolin e saj si alternativë qeverisëse dhe po shndërrohet në pengesë të proceseve kombëtare.
Shqipëria nuk fiton asgjë nga përplasjet e pafundme politike në Bruksel. Përkundrazi, Shqipëria fiton kur qeveria dhe opozita konkurrojnë për mënyrën se si ta afrojnë vendin më shpejt me Evropën, jo kur përpiqen ti bindin partnerët evropianë se kundërshtari i tyre duhet ndëshkuar edhe kur kjo dëmton imazhin dhe interesat e Shqipërisë.
Vjen koha kur qytetarët nuk do të kujtojnë kush bëri më shumë zhurmë në korridoret e Brukselit. Por do të kujtojnë se kush punoi që Shqipëria të afrohej me Bashkimin Evropian dhe kush u përpoq ta përdorte këtë rrugëtim si instrument të luftës së tij politike.



