Misioni dhe pasioni përballë komercializmit utilitar… Kashari dhe Sanremo…. Kanye West, Azgan Haklaj… dhe “kalkulimet” e logaritmit…

0

Nga Dukagjin Hata

Ndërsa nga Kashari vinte jehona e stisur dhe e sponsorizuar me duar të bollshme nga qeveria, “për të mos u turpëruar shqiptarisht”, e koncertit të Kanye West, unë po shikoja për të disatën herë një kërcim me motive nga Tropoja, të intepretuar mjeshtërisht nga at e bijë, Azgan Haklaj dhe Adela Haklaj, në Sanremo.
Azgani e ka shtëpinë në Kashar, aty ku Kaney West performoi për një publik të ekzaltuar me komandë…
Interpretimi i kërcimit të Tropojës në skenën e Sanremos, nga Azgan Haklaj dhe vajza e tij, Adela, ishte një moment i jashtëzakonshëm krenarie dhe një ngjarje me rëndësi të madhe për promovimin e kulturës shqiptare në arenën ndërkombëtare.
​Në kuadër të “Festa dei popoli”, ku merrnin pjesë 18 shtete, ky interpretim përfaqësonte
​vlerat familjare dhe vazhdimësinë artistike të brezave, duke përcjellé një mesazh të fuqishëm të trashëgimisë kulturore panshqiptare.
​Të veshur me kostumet tradicionale dhe duke ruajtur me fanatizëm lëvizjet mitike e plot dinjitet të valles së veriut, ata nuk sollën thjesht një koreografi, por dëshmuan shpirtin, historinë dhe identitetin e pamposhtur të Malësisë së Gjakovës në zemër të Italisë.
Megjithë jehonën mediatike, jo vetëm në Shqipëri por dhe në të gjithë hapësirën e shqiptarisë, institucionet e artit dhe Kulturës në Tiranë, Ministria e Kulturës, nuk e thanë asnjë fjalë. Ata heshtën, siç kanë heshtur gjithmonë, kur Azgani ka promovuar art e kulturë në çdo cep të trojeve tona etnike, kur ka organizuar dhe moderuar veprimtaritë e gjëra në mbështetje të luftës dhe figurave emblematike të UÇK-s, nga Sheshi Skënderbej në Tiranë, në Shkup e Prishtinë, gjer në Strasburg, para Parlamentit Europian.
Por ndryshe ndodh me artiste të profilit të Kaney West, pompimi i sforcuar mediatik i të cilit do të mbetej një zë në shkretetirë, nëse nuk do t’i “dhuroheshin,” katër milion euro nga qeveria dhe nuk do të mbushej salla me punonjës të administratës dhe patronazhistë…
Nuk dua të heq paralele artistike mes Azgan Haklajt dhe Kanye West, pasi të dy janë krejt të ndryshëm, me identitete njerëzorë dhe artistikë të ndryshme.
Ajo që me nxiti për këtë shkrim, është gadishmëria e këtyre institucioneve tona për të sponsorizuar të huajt dhe neglizhimi deri në refuzim ndaj artit dhe artistëve shqiptarë.
Por nëse i qëndrojmë simbolikisht një krahsimi, ky është
një krahasim mjaft goditës që vendos përballë dy ekstreme të menaxhimit, vlerave dhe promovimit kulturor.
Nga njëra anë, pasionin vullnetar e patriotik me përmasa ndërkombëtare, nga ana tjetër, komercializmin e sponsorizuar me fondet publike të një figure ndërkombëtare mjaft të diskutueshme.
​Azgan Haklaj përfaqëson një rrugëtim të gjatë dhe të shtrirë në kohë e në hapësirë, ku arti dhe tradita kombëtare janë vlerësuar me trofe në skena prestigjoze botërore. Që nga Betlehemi në Izrael (midis 40 shteteve), në vitin 2002, në Selanik 2003, mes 16 shteteve, e deri te Sanremo (midis 18 shteteve), ky rrugëtim dëshmon për një diplomaci kulturore aktive. Kësaj i shtohet konsistenca në organizimet kombëtare, 24 vite “Sofra Dardane” në Tropojë dhe 11 vite Festivali Çam në Sarandë, duke mbajtur gjallë shtyllat e folklorit dhe historisë shqiptare.
​Kanye West në Tiranë nuk përfaqëson asgjë, përpos një sforcimi jashtëartistik të dëshpëruar e në thelb të dështuar, për ta bërë këngëtarin e njohur zëdhënës të antiprotestës dhe antikrizës.
Ardhja e West është
një ngjarje e izoluar, që pa këtë kalcifikim dhe “lyerje qerreje” me 4 milion e ca euro, do të ishte një “turpërim” total.
Ai nuk erdhi për të ngritur apo promovuar vlerat e vendit pritës, por për të shfrytëzuar një skenë të radhës në kuadër të profilit të tij ndërkombëtar.
Haklaj, eksperiencat e tij dhe sukseset e ansambleve që ka udhëhequr i ka mbështetur mbi kursimet familjare dhe ndihmën e miqve patriotë, e ndonjë mbështetje modeste të institucioneve lokale ku organizohen aktivitetet. Është një investim idealist, ku suksesi matet me trofe dhe me ruajtjen e identitetit kombëtar, pa mbështetjen e ministrisë së Kulturës
​Kanye West u mbështet në lëvizjen e tij mbi një shifër marramendëse, dhuruar direkt nga buxheti i shtetit. Kjo krijon një kontrast të fortë, se ku adresohen prioritetet financiare të institucioneve: tek një emër i huaj me kosto gjigante, apo te projektet që mbajnë gjallë kulturën tonë brenda dhe jashtë kufijve.
A nuk do ishte e udhës që me shuma të tilla të sponsorizohej një veprimtari e gjërë muzikore në shkallë kombëtare, pér të promovuar shumë artistë azgan’ elitarë të hapësirës gjithëshqiptaré?
Haklaj ka një profil prej atdhetari qëndrestar, ku qëndrimet e tij kanë pasur peshë deri në nivele diplomatike.
Mjafton të kujtojmë notën e protestës nga Rusia, në vitin 2011, për deklaratat e tij në Preshevë, ku kërkonte bashkimin e trojeve shqiptare.
Profili i Haklajt lidhet drejtpërdrejt me çështjen kombëtare dhe mbrojtjen e interesave shqiptare në rajon, duke u përballur edhe me superfuqi globale. Azgani e ka ndërtuar profilin e tij atdhetar dhe artistik, me kontribute të vazhdueshme, pa bërtitur dhe thirrur, me modestinë që e karakterizon, duke përcjellë mesazhe me vlera gjithëkohore.
Në skenën globale, Kanye West njihet për deklaratat e tij të skajshme, shpesh të cilësuara si antisemite apo të shoqëruara me simbole ekstremiste (si kryqi i thyer). Për shkak të qëndrimeve të tij ekstremiste, si dishepull i një figure që ruhet në muzeun e turpit të historisé, ai është “non grata” në disa vende e shtete.
Ne u turpërokemi nëse nuk e sajdiskemi siç duhet “mikun” e nderuar, por si nuk u turpërokan shtete me emër të madh, që ia kanë vënë “kufirin tek thana” dhe nuk e lënë të shkelé në vendet e tyre!?
Duhet thënë se profili i tij përplaset me vlerat tradicionale shqiptare të mikpritjes dhe tolerancës fetare, çfarë e bën ftesën dhe financimin e tij absurd dhe paradoksal.
Azgan Haklaj, pjesë e elites mediatike dhe kulturologjike gjithëshqiptare, artist, analist, politolog, drejtues artistik, autor i qindra shkrimeve dhe reflektimeve publike, autor i 15 librave ku fokusohen problemet e mprehta të historisë dhe tranzicionit shqiptar, nuk ka ndoshta nevojë për asgjë, perveçse për mirënjohjen e institucioneve të menaxhimit të vlerave kulturore, të cilat nuk ia dalin dot, megjithë fondet dhe personelin e shumtë në dispozicion, të bëjnë as një të dhjetën e atyre që bën ai, me mbështetjen e disa miqve idealistë, që për fat të mirë, ende ekzistojnë në këtë vend…
“Kanye West-ët” i kemi mes nesh, (por pa ekzibicionzmat e tij jashtëartistik); individë si Azgani, artistë idealistë dhe progresistë, të cilët, edhe pse nuk i mbështetim, pasi jemi të zënë në kakulimet e “logaritmit”, ata vazhdojnë të krijojnë dhe të percjellin vlera për sot dhe për nesër…

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu