Shkruan Zef Ndreka
Albin Kurti refuzon kompromiset e nevojshme.
Dita ditës, duket gjithnjë e më qartë se kriza institucionale në Kosovë nuk është më vetëm një përplasje mes partive politike, por po shndërrohet në një krizë të vetë funksionimit të shtetit.
Kosova ka mbetur për shumë muaj të tërë pa institucione të konsoliduara dhe pa një shumicë funksionale. Dhe dëmin nuk e pësojnë vetëm partitë politike, por mbi të gjitha qytetarët dhe vetë shteti.
Tashmë shihet qartësisht qasja e Albin Kurtit si përpjekje për të dominuar i vetëm skenën politike, duke refuzuar kompromiset e nevojshme me forcat e tjera parlamentare. Por në demokracitë parlamentare, qeverisja nuk mund të mbështetet vetëm tek vullneti i partisë së parë. Qeverisja kërkon dialog, kërkon kulturë bashkëpunimi dhe mbi të gjitha përgjegjësi për ndërtimin e institucioneve, sidomos kur rezultati zgjedhor nuk i jep askujt shumicën e nevojshme.
Kosova, nqs do të detyrohet të shkojë sërish në zgjedhje, do të ishte hera e katërt brenda rreth një viti e gjysmë. Ky është treguesi më shqetësues i mungesës së stabilitetit politik. Zgjedhjet janë vertetë një mekanizëm demokratik, por kur ato përsëriten vazhdimisht pa prodhuar zgjidhje, ato krijojnë lodhje tek qytetarët, rrisin pasigurinë politike dhe ekonomike dhe dëmtojnë besimin tek institucionet.
Sot Kosova përballet me sfida të mëdha në arenën ndërkombëtare, me dialogun me Serbinë, me proceset e integrimit euroatlantik dhe nevojën për zhvillim ekonomik. Vendi ka nevojë për institucione funksionale dhe jo për një krizë të pafund politike. Interesi shtetëror duhet të jetë mbi interesin partiak.
Historia dhe praktika politike, na ka mësuar se asnjë lider, kushdo qoftë ai, nuk është më i rëndësishëm se vetë shteti, dhe se forca e një demokracie matet jo nga aftësia për të fituar zgjedhjet, por nga aftësia për të ndërtuar institucione që funksionojnë, edhe kur kërkohet kompromis me kundërshtarët politikë.
Sepse, vjen një ditë që qytetarët nuk do të gjykojnë vetëm premtimet elektorale, por do të gjykojnë edhe përgjegjësinë për stabilitetin dhe të ardhmen e vendit.
Kështu, gjykimi për Albin Kurtin, duket se po afron..



