Shkruan Naim Flamuri
Në Asamblenë e Partisë Socialiste, aty ku duhej me u kërkue llogari për korrupsionin, tenderat, pasuninë publike dhe përgjegjësinë politike, ndodhi absurdi i radhës: Pandeli Majko foli për videot pornografike! Sikur halli ma i madh i Shqipnisë të ishte morali i fëlliqt i deputeteve hajdute të PS e jo morali i pushtetit që e fëlliqi Shqipnin.
Nën hijen e Edi Ramës, Belinda Ballukut, Taulant Ballës e kupolës socialiste, deputetët duken ma shumë si roje të heshtjes sesa përfaqësues të popullit. Ata që duhet me mbrojtë pasuninë e shqiptarëve, kanë detyrimin me shpjegue çdo dyshim për shpërdorimin e saj. Por kur kërkohet përgjegjësi, politika ndërron temën, ngre perde tymi e i fton qytetarët me pa spektaklin!
Çfarë ironie! Shqipnia kërkon llogari për milionat, ndërsa Asambleja merret me minutat e videove! Populli kërkon drejtësi, pushteti ofron teatër!
Kur një parti flet ma me zell për dhomën e gjumit sesa për arkën e shtetit, problemi nuk asht pornografia, por pornografia politike e një pushteti që ka humbë ndjenjën e përgjegjësisë!
Shqiptarët nuk kanë nevojë për shfaqje, por për transparencë, hetim të pavarun dhe përgjegjësi para ligjit. Sepse pasunia e Shqipnisë nuk asht plaçkë partie, as trashëgimi e pushtetarëve. Asht djersa e popullit!




