Shkruan Azgan Haklaj
Paqja fillon aty ku hesht urrejtja!
Sot, në këtë 26 Gusht, kur bota përkulet para kujtimit të bijës më të madhe të kombit tonë, Anjezë Gonxhe Bojaxhiut, Nënë Terezës, nuk mjaftojnë fjalët e zbehta të protokollit.
Kemi nevojë për një tronditje ndërgjegjeje.
Jetojmë në një kohë kur zhurma ka mbytur thelbin. Çdo ditë bombardohemi nga statuse, debate boshe, premtime të mëdha dhe statistika që fikin shpresën.
Të gjithë flasin për ndryshimin e botës, por askush nuk u ul për të lidhur lidhësen e këpucës së një fëmije që po qan.
Në këtë kakofoni globale, figura e saj vjen si një vetëtimë e heshtur që na nxjerr nga gjumi i rehatisë sonë.
Ajo nuk bëri teori, ajo bëri histori me duart e saj të plasaritura nga puna.
Kur ajo thoshte:
“Nëse nuk mund të ushqeni një qind njerëz, ushqeni vetëm një,” ajo po shkatërronte alibinë tonë më të madhe, indiferencën.
Justifikimi më i lehtë i njeriut modern është: “Ç’mund të bëj unë i vetëm përpara këtij mjerimi?” Përgjigjja e saj ishte e prerë si brisk:
Fillo nga ai që ke pranë.
Por sot, jemi zhytur edhe në një tjetër batak, urrejtja është kthyer në normë, në gjuhë zyrtare të ditës dhe në karburant për klikime.
Çdo cep i ekranit gumëzhin nga helmi i përçarjes. Njerëzit maten me atë se sa fort dinë të godasin dhe sa shumë armiq prodhojnë çdo sekondë.
Në këtë det errësire, thirrja e saj tingëllon si një këmbanë alarmi që na shpon gjoksin:
”Nëse nuk mund të doni, të paktën mos urreni.”!
Ky nuk është një varg për kartolina, ky është një ultimatum moral.
Të duash kërkon shpirt të madh, por të mos urrejsh është minimumi absolut i njerëzores.
Urrejtja nuk e dëmton atë që sulmon; ajo e ha për së gjalli atë që e mban brenda.
Ajo nuk ishte thjesht një ikonë globale e dhimbjes. Ajo ishte një shqiptare me një damar të fortë atdhedashurie që nuk iu nda kurrë shpirtit të saj.
Le të kujtojmë vitin e mbrapshtë 1997.
Kur Shqipëria digjej nga flakët e çmendurisë, nga vëllavrasja dhe rrënimi total, ajo nuk heshti.
U lut, u angazhua dhe bëri thirrje për popullin e saj, duke u dhënë zë lotëve të një kombi.
E njëjta thirrje oshëtiti edhe në çastet e fundit të jetës së saj, kur në takimin me presidentin amerikan Bill Klinton, me fuqinë e shpirtit që po i shuhej, i la amanetin e saj të fundit: “Bëni diçka për kombin tim!”
Bota nuk ndryshohet nga manifestimet e radhës. Sot, në ditëlindjen e saj, le të bëjmë një pakt me ndërgjegjen tonë:
Të ndalojmë së ushqyeri përbindëshin e polarizimit. Nëse nuk gjejmë dot forcën për ta dashur tjetrin, le të kemi të paktën aq dinjitet sa të mos e urrejmë.
Në fund të ditës, historia nuk do të mbajë mend se sa shumë kemi folur, por sa shumë kemi dashur. Nënë Tereza na la testamentin e përjetshëm:
Paqja fillon aty ku hesht urrejtja, dhe dashuria për njeriun e atdheun nuk shuhet kurrë.



