Kosova duhet të ndërtojë kisha pa iu trëmbur gjysmëhënave!!

0

Shkruan Zef Ndreka

Zoti nuk ka nevojë të mbrohet nga ne.
Ne kemi nevojë të mbrojmë lirinë, tolerancën dhe vëllazërinë mes shqiptarëve.
Pamjet e pak ditëve më parë nga Zagora e Vushtrrisë, ku u kundërshtua vendosja e gurthemelit për ndërtimin e një kishe katolike, janë jo vetëm të trishta, por edhe shqetësuese për atë që po ndodh me shoqërinë kosovare.
Nëse dikush, në emër të fesë, ndihet i kërcënuar nga vendosja e një kryqi, nga kambanat e një kishe apo nga prania e një komuniteti tjetër fetar, atëherë problemi nuk është më tek kisha. Problemi është tek mënyra se si po ndërtojmë marrëdhënien tonë me lirinë, me tjetrin dhe me vetë shtetin.
Një gur themeli nuk është kërcënim.
Një kishë nuk është kërcënim.
Një xhami nuk është kërcënim.
Kërcënim për një shoqëri është intoleranca, fanatizmi dhe ideja se hapësira publike duhet ti përkasë vetëm një besimi.
Prandaj pyetja më e rëndësishme nuk është:
A kishte apo nuk kishte leje administrative për vendosjen e gurthemelit?
Nëse nuk kishte leje, institucionet duhet ta zgjidhin çështjen përmes ligjit dhe procedurave. Kaq e thjeshtë është.
Askush nuk ka të drejtë ta zëvendësojë shtetin me turmën, kërcënimin apo përplasjen fizike.
Shqetësimi i vërtetë është shumë më i madh:
Çfarë gurthemeli duam ti vendosim shoqërisë së Kosovës?
Atë të një shteti ku secili njeri mund ti lutet Zotit sipas ndërgjegjes së vet, apo atë të një shoqërie ku feja përdoret për të ngritur mure mes shqiptarëve?
Këtu lind një paradoks që duhet të na bëjë të gjithëve të mendojmë:
Përse disa myslimanë duhet të kenë frikë nga kambanat e një kishe, ndërsa katolikët nuk duhet të kenë frikë nga ezani i xhamisë?
Kambanat nuk e zvogëlojnë besimin e myslimanit. Ezani nuk e kërcënon besimin e katolikut.
Besimi i vërtetë nuk ka nevojë të trembet nga ekzistenca e besimit tjetër.
Shqiptarët e kanë dëshmuar këtë përgjatë shekujve. Ne kemi jetuar me myslimanë, katolikë, ortodoksë dhe me njerëz që nuk i përkasin asnjë feje. Na kanë bashkuar gjuha, historia, familja, kultura dhe atdheu. Kjo nuk është një dobësi e jona. Është një nga pasuritë më të mëdha të identitetit shqiptar.
Prandaj nuk duhet të lejojmë që sot të na mësohet se një shqiptar mysliman duhet ta shohë si të huaj një shqiptar katolik, apo anasjelltas.
Ne mund të jemi të ndryshëm në besim, por nuk jemi të huaj për njëri-tjetrin.
Kosova, nëse dëshiron të jetë shtet demokratik dhe europian, duhet ta kuptojë se liria fetare nuk është privilegj i shumicës dhe as favor për pakicën. Është e drejtë e çdo qytetari. Dhe kjo e drejtë nuk matet me numrin e besimtarëve në një lagje, fshat apo komunë.
Në një vend me shumicë myslimane mund të ndërtohet një kishë katolike. Në një vend me shumicë katolike mund të ndërtohet një xhami. Dhe në të dyja rastet, shteti duhet të garantojë ligjin, jo frikën e turmës.
Nëse ka shkelje procedurash, ato ndreqen me ligj. Nëse ka mosmarrëveshje për pronën, ato zgjidhen në gjykatë. Por askush nuk mund të marrë në dorë të drejtën për të vendosur se cili besim lejohet të ekzistojë dhe cili duhet të fshihet nga hapësira publike.
Sepse sot mund të jetë kisha. Nesër mund të jetë xhamia. Pasnesër mund të jetë një tjetër e drejtë qytetare.
Kur fillojmë ti ndajmë të drejtat sipas besimit, kemi nisur të shembim themelet e shtetit.
Kosova nuk duhet të ketë frikë nga kishat, as nga xhamitë. Duhet të ketë frikë nga fanatizmi që e kthen fenë në armë kundër tjetrit.
Dhe institucionet e saj duhet ta kuptojnë këtë qartë, se shteti laik nuk është shtet kundër fesë. Është shtet që u garanton të gjithëve lirinë e fesë dhe ndërgjegjes, pa u bërë pronë e asnjë feje.
Në vend të pyetjes se kujt i përket kambana apo kujt i përket ezani, duhet të bëjmë një pyetje shumë më të rëndësishme:
A do të dimë të ndërtojmë një Kosovë ku kambanat dhe ezani mund të dëgjohen pa e parë njëri-tjetrin si kërcënim?
Unë besoj se po.
Sepse kjo është trashëgimia që duhet tu lëmë brezave, jo një shoqëri që trembet nga ndryshimi, por një shoqëri që e sheh larminë si pasuri.
Kosova duhet të ndërtojë kisha pa u trembur gjysmëhënave dhe xhamia pa u trembur kryqeve.
Sepse Zoti nuk ka nevojë të mbrohet nga ne.
Ne kemi nevojë të mbrojmë lirinë, tolerancën dhe vëllazërinë mes shqiptarëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu