Shkruan Zef Ndreka
Situata e krijuar në Kosovë po e thellon krizën institucionale dhe po dëmton besimin e qytetarëve tek demokracia. Kuvendi është institucioni ku duhet të zhvillohet debati politik dhe të gjenden zgjidhjet, jo të bëhet peng i përplasjeve mes palëve.
Nqs ka veprime që pengojnë funksionimin normal të Kuvendit, ato duhet të sqarohen dhe të trajtohen në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin. Përgjegjësia për zhbllokimin e situatës u takon të gjitha forcave politike, si shumicës ashtu edhe opozitës, sepse interesi shtetëror duhet të prevalojë mbi interesin partiak.
Qytetarët kanë votuar për institucione funksionale, jo për një krizë të pafundme. Prandaj është i rëndësishëm dialogu politik, respektimi i rendit kushtetues dhe konstituimi sa më i shpejtë i Kuvendit dhe institucioneve janë domosdoshmëri për stabilitetin dhe të ardhmen e Kosovës.
Para se të nxitojnë tu japin të tjerëve leksione mbi demokracinë dhe shtetin e së drejtës siç bën Albin Kurti, duhet të shpjegojë se si është e mundur që Kuvendi i Kosovës të mbetet i bllokuar dhe deputetëve të zgjedhur nga qytetarët tu pengohet ushtrimi i mandatit. Kjo në vetvete është më shumë se krizë politike, është situatë që ngre pikëpyetje serioze për respektimin e institucioneve dhe të rendit kushtetues.
Në demokraci dihet se pushteti fitohet me votë, por qeveriset me respekt për ligjin dhe institucionet. Askush nuk ka të drejtë ta trajtojë Kuvendin si pronë partiake apo ta mbajë peng për llogari politike.
Kosova ka nevojë urgjente për institucione funksionale, jo për bllokada të pafundme. Çdo ditë e humbur dëmton shtetin, dobëson besimin e qytetarëve dhe cenon imazhin e vendit para partnerëve ndërkombëtarë.
Shumë shpejt, hstoria do ti gjykojë të gjithë aktorët politikë për mënyrën se si u sollën në këtë moment. Prandaj, zgjidhja nuk mund të vijë nga kokëfortësia politike kryesisht e Kurtit dhe VV-së, por nga respektimi i Kushtetutës, nga dialogu dhe përgjegjësia shtetërore. Kosova nuk mund të mbetet peng i interesave të askujt.



