Protesta në bulevard dhe koncerti i Kanye West në Kashar

0

Shkruan Ndue Lazri

Ky shteti ynë, me gjthë problemet e mëdha që ka, i lejon vetes luksin t’i dhurojë këngëtarit amerikan Kanye West 4.5 milionë dollarë, për një koncert në Kashar të Tiranës. Sepse ky i gjori këngëtar nuk ka para fare të organizojë koncertin e tij. Ky që vetëm për lookun e një mbrëmjeje me maska në Versajë shpenzon 350 mijë euro. Dhe kryeministri ynë shumë xhentil deklaron se nuk i dhamë 50 milionë euro, por vetëm 4 milionë. Se 4 milionë euro kryeministrit tonë i duken qindarka. Se kryeministri ynë nuk flet për shpenzimet që u bënë posaçërisht për të ndërtuar një stadium për këtë tipin amerikan, nuk flet se sa hektarë nga toka më e mirë bujqësore u betonizuan. Nuk dua të flas për çmimin e tokës, sepse kryeministri ynë xhymert është mësuar ta japë me 1 euro metrin katror.

Dhe e gjithë kjo bëhet kur në bulevardin më të madh të vendit zien prej më shmë se një muaj protesta më masive që është bërë që nga viti 1990 e këtej, pikërisht kundër ndotjes së ambientit me betone dhe shpenzimeve pa fre të pushtetit në dëm të natyrës e të xhepave të popullit të varfër shqiptar.
Në gjithë botën, kur një këngëtar i madh organizon një koncert, grupi organizator merr me qira stadiumin apo ambientin ku do të bëhet koncerti. Shuma që përfshijnë qindra mijëra euro. Dhe paguajnë paradhënie, sepse qiradhënësi ka logjikën e vet të drejtë ekonomike, nuk do të rrezikojë nëse dështon koncerti. Pra i fut paratë në xhep që më përpara. Pastaj këngëtari le të nxjerrë fitimet e veta nga shitja e biletave.
Kurse tek ne, ky tipi amerikan, që ardhka të bëjë tek ne të varfërin dhe jo amerikanin, merr si dhuratë një stadium të ndërtuar nga shteti shqiptar dhe 4 milionë euro për faktin që denjoi të na begeniste me koncertin e tij. Është e vërtetë se stadiumi i mbetet Shqipërisë, por a ishte ky investimi më i rëndësishëm i momentit?
Jo vetëm kaq. Po ka disa muaj që një ministër i paguar nga shteti shqiptar, e merr rrogën për të shërbyer si biletashitës i këtij tipit amerikan. Dhe Ballukja e shumëpërfolur, e cila nuk ka si të mos i dalë emri apo të mos ketë gisht kur përmenden miliona, i bën reklamë me statuse të veçanta koncertit të këtij tipit nga Amerika, si të ishte një fitore e madhe për ekonominë dhe pavarësinë e vendit.
I gjithë ky është një shpenzim i papërgjegjshëm, si shumë e shumë të tjera që janë bërë e vazhdojnë të bëhen me mungesë të plotë transparence, pa miratuar një plan të qartë investimesh për tërë kohëzgjatjen e legjislaturës dhe pa deklaruar burimet e fondeve të nevojshme për realizimin e tyre.

Unë e kam votuar Partinë Socialiste, apo më mirë kryeministrin tonë, duke shpresuar se në mandatin e katërt do korigjonte shumë nga zullumet që janë bërë në mandatet e mëparshme. Por për fat të keq shikoj se një vit pas votimeve, zullumet vetëm shtohen dhe sjellja e kryeministrit është bërë më arrogante, në vend që me përulësi të korigjonte gabimet e së shkuarës.
Prandaj edhe erdhi protesta masive. Të gjithë e pamë si një shpresë këtë protestë kur nisi në fillim. Ishin domethënëse gjestet e protestuesve si ai i heqjes së gardhit në Zvërnec, në Rrjoll e në vende të tjera ku abuzohet me tokën e me pronësinë e saj. E ky duhej të ishte vendi e vazhdimi i saj, duke iu thënë stop projekteve të tilla abuzive, jo vetëm bulevardi i madh. Vendi i saj duhej të ishte atje në Kashar për ta ndaluar katrahurën me beton. Duhet të jetë në Gjiri i Lalëzit, në Palasë e kudo ku kasta politike dhe oligarkët kanë vënë kthetrat e tyre në kurriz të pasurisë së popullit. Dhe jo të merrej me spektakle makabre si ai i arkivolit në bulevard, jo të përdorë një gjuhë rrugaçësh si ajo që dëgjojmë në parlament, jo të thyejë xhama makinash apo komisariatesh. Duhen veprime konkrete që të bindin qytetarët se po mbrojnë vërtet interesat e tyre ekonomike dhe jo ta bëjnë protestën t’u ngjajë foltoreve të Berishës. Populli është regjur me këto gjëra dhe nuk beson kollaj kur sheh skena të tilla. Ndaj edhe bulevardi po boshatiset çdo ditë e më shumë dhe protesta po e humbet ngjyrën e saj të bukur me të cilën u prezantua në fillim.
Mendoj se shqiptarët kanë probleme më të mëdha se sa të ndjekin koncertin e këtij amerikanit ku biletat shkojnë nga 130-350 euro. E nëse i blejnë biletat duke shpenzuar një pension mujor apo një rrugë mujore, do të thotë që atëherë kot ankohemi, se e paskemi në terezi dhe ta kthejmë festen mënjanë. Mendoj se ky koncert duhet bojkotuar.
Ndërkaq kryeministri ynë nuk do t’ia dijë, por përdor avazin “The show must go on” (Spektakli le të vazhdojë). Dhe bën shpenzime të tilla për një tip amerikan, që nuk duhej t’i bënte edhe sikur të ngjallej e të vinte për koncert vetë Pavarotti i madh.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu