Tirana u dogj sërish

0

Shkruan Zef Ndreka

E pamë të gjithë. E pa Shqipëria. E pa edhe bota.
Por çfarë proteste ishte ajo?
Çfarë revolte?
Çfarë revolucioni?
Në vend të fjalës u përdor molotovi, në vend të kërkesave të qytetarëve u ngrihen gur. Institucionet, rrugët dhe prona publike e private u kthyen në objekt sulmi, që vertetoi se kufiri i protestës demokratike u kapërcye.
Në rrugët e Tiranës pamë edhe njerëz të maskuar që përplaseshin me policinë, qe ndiznin zjarre dhe vetëm shkatërronin. Rreth tyre kishte një masë shumë më të madhe njerëzish, ku disa ishin protestues paqësorë, disa qytetarë të revoltuar, të tjerë thjesht spektatorë.
Nuk mund ti fusim të gjithë në të njëjtin thes. Por shoqëria e vertetë demokratike duhet të ketë kurajën të thotë se heshtja përballë dhunës dhe aq më tepër duartrokitja e saj, nuk e ndihmon protestën, por e komprometon atë.
Pamja e një polici të përfshirë nga flakët e një molotovi është ndër ato pamje që duhet të na tronditin të gjithëve, pavarësisht bindjeve politike.
Sepse brenda uniformës është një njeri.
Mund të protestosh sa të duash kundër qeverisë. Mund të kërkosh dorëheqjen e Kryeministrit, mund të akuzosh policinë për tejkalim të kompetencave dhe kur ka prova, të kërkosh hetimin e çdo polici që shkel ligjin.
Por nuk mund ta djegësh një njeri dhe ta quash këtë demokraci.
Ku të çon dhuna në një demokraci?
Kjo është pyetja që duhet ti bëjmë sot vetes.
Dhuna nuk prodhon institucione më të mira. Nuk lufton korrupsionin, nuk përmirëson universitetet, nuk rrit pagat, nuk ndërton shtetin e së drejtës.
Përkundrazi, ajo e zhvendos debatin nga problemet reale të vendit tek molotovi, tek zjarri dhe tek përplasjet me policinë.
Në këtë rast, opozita ka një përgjegjësi të madhe politike.
Nëse synimi i saj ishte të mbështeste protestën qytetare, duhej të ishte e para që të vendoste një vijë të kuqe ndaj dhunës. Nëse përpiqet ta marrë nën kontroll revoltën, ta përdorë politikisht apo ta shndërrojë në instrument për marrjen e pushtetit jashtë mekanizmave demokratikë, atëherë ajo nuk po i shërben protestës, por e konsumon atë për interesin e vet.
Edhe më keq do të ishte nëse provohej se struktura politike kanë organizuar, financuar apo orientuar akte dhune. Kjo nuk duhet shpallur si fakt pa hetim dhe pa prova, por çdo dyshim i tillë duhet hetuar deri në fund nga organet kompetente.
Shqipëria ka shumë arsye për të protestuar.
Ka arsye për të kërkuar më shumë drejtësi, më pak korrupsion, institucione më të forta, arsim më cilësor, ekonomi më të mirë dhe një klasë politike më të përgjegjshme.
Por pikërisht sepse këto kërkesa janë serioze, ato nuk mund tu dorëzohen molotovëve.
Shqipëria kërkon të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Europa nuk ndërtohet duke djegur qytetet, por ndërtohet me zgjedhje, me institucione, me drejtësi, me përgjegjshmëri dhe me protestë qytetare.
Për këtë duhet bërë dallim i qartë, ku protesta është e drejtë dhe revolta qytetare mund të jetë legjitime.
Por dhuna ndaj njerëzve dhe shkatërrimi nuk janë të tilla. Opozita që aspiron të qeverisë nesër duhet ta dëshmojë sot se është në gjendje të mbrojë demokracinë edhe kur është kundër qeverisë, sepse pushteti mund të ndryshojë, qeveritë ikin, ndërsa partitë fitojnë dhe humbasin.
Shqipëria është ajo që mbetet.
Dhe Tirana nuk mund të digjet sa herë që politika shqiptare nuk arrin të zgjidhë konfliktet e saj me votë, me ligj dhe me institucione.
Në demokraci, zjarri nuk është argument, molotovi nuk është votë dhe dhuna nuk është revolucion.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu