Protestat në Itali/ Giorgia Meloni paralajmëron dorëheqjen

0

Italia mund të përballet me zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa kryeministrja Giorgia Meloni raportohet se po shqyrton mundësinë e largimit nga detyra në muajin mars, pas samitit të Këshillit Evropian që pritet të zhvillohet në Romë. Lajmi është publikuar nga gazeta prestigjioze italiane La Repubblica.
Sipas raportimit, mundësia e dorëheqjes është diskutuar gjatë takimeve të fundit të Melonit me aleatët e saj të koalicionit qeverisës, Antonio Tajani, Matteo Salvini dhe Maurizio Lupi. Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar se kryeministrja ka marrë një vendim përfundimtar.
Samiti evropian në Romë, i organizuar në kuadër të 70-vjetorit të nënshkrimit të Traktateve të Romës, mund të përbëjë një nga angazhimet e fundit të rëndësishme ndërkombëtare të Melonit përpara një lëvizjeje të mundshme politike.
Ndërkohë, Italia po përjeton një valë protestash masive, me qytetarë që kanë dalë në rrugët dhe sheshet e qyteteve kryesore të vendit.
Sipas La Repubblica, pas samitit të marsit, Meloni mund të paraqesë dorëheqjen, duke hapur rrugën për procedurat kushtetuese që mund të çojnë në shpërndarjen e Parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Sa i përket datës së votimeve, një nga skenarët e përmendur parashikon 16 majin 2027, ndërsa një alternativë tjetër është zhvillimi i zgjedhjeve në qershor, në të njëjtën kohë me zgjedhjet lokale.
Kombinimi i dy proceseve zgjedhore do të mundësonte mbajtjen e votimeve disa muaj përpara përfundimit të mandatit aktual parlamentar, i cili pritet të përfundojë në vjeshtën e vitit 2027.
Pavarësisht skenarëve të raportuar, drejtuesit e koalicionit qeverisës të djathtë vijojnë të deklarojnë publikisht se zgjedhjet parlamentare do të mbahen sipas kalendarit të parashikuar. Për momentin, dorëheqja e Melonit dhe zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme mbeten mundësi të raportuara nga media italiane dhe jo vendime të konfirmuara zyrtarisht.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu