Shkruan Azgan Haklaj
KUR KRIMI NUK MJAFTON PËR TË PROVUAR NDËRMARRJEN E PËRBASHKËT KRIMINALE!
HYRJE:
HAGA, VENDIMI I KUVENDIT TË KOSOVËS DHE SFIDA E NPK-së!
Qyteti i Hagës në Holandë njihet botërisht si kryeqyteti i drejtësisë ndërkombëtare.
Përgjatë më shumë se një shekulli ky qytet ka shërbyer si qendra kryesore ku ndërthuren e drejta ndërkombëtare, diplomacia dhe garantimi i të drejtave të njeriut.
Mirëpo, kur flasim për “Gjykatën e Hagës”, shpesh i referohemi disa institucioneve të ndryshme me mandate e struktura të veçanta:
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND):
Është Organi kryesor i OKB-së që zgjidh mosmarrëveshjet mes shteteve.
Gjykata Penale Ndërkombëtare (GPN):
Është Gjykata e përhershme për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.
Tribunalet Ad-Hoc dhe Dhomat e Specializuara: Janë Institucione të posaçme si Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë (ICTY), apo Dhomat e Specializuara të Kosovës (DSHK).
Vendimi i Kuvendit të Kosovës (3 Gusht 2015) dhe rrethanat e votimit
Ndryshe nga tribunalet e tjera ndërkombëtare, Dhomat e Specializuara u krijuan nga vetë institucionet e Kosovës.
Me datën 3 gusht viti 2015, Kuvendi i Kosovës miratoi Amendamentin Kushtetues 24 (Neni 162) dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Votimi i këtij ligji nga deputetët e Kosovës nuk erdhi si produkt i një vullneti të brendshëm normativ, por nën një presion të jashtëzakonshëm gjeo-politik e diplomatik nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Faktorët kyç që çuan në këtë vendim ishin:
Kërcënimi me Këshillin e Sigurimit të OKB-së: Aleatët ndërkombëtarë i bënë me dije udhëheqjes së Kosovës se refuzimi i gjykatës do të aktivizonte një rezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së (me iniciativë të Rusisë dhe Kinës) për krijimin e një tribunali tërësisht ndërkombëtar, mbi të cilin Kosova nuk do të kishte asnjë lloj sovraniteti apo kontrolli kushtetues.
Raporti i Dik Martit (Këshilli i Evropës):
Zhurma mediatike dhe politike e shkaktuar nga raporti i vitit 2010 kërkonte një përgjigje zyrtare juridike për të pastruar figurën e UÇK-së nga pretendimet për trafikim organesh.
Kërkesat Bazë të Kartës së Specializuar:
Ligji kërkonte krijimin e një strukture “hibride” — formalisht pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por me seli jashtë vendit (në Hagë), me staf tërësisht ndërkombëtar (gjyqtarë e prokurorë) dhe me buxhet të financuar nga BE-ja, me qëllim mbrojtjen e dëshmitarëve dhe garantimin e paprekshmërisë nga ndikimet politike lokale.
Edhe pse u themeluan mbi këtë bazë kushtetuese, Dhomat e Specializuara krijuan një hibrid juridik që shpesh ka vepruar me shkëputje totale nga korniza europiane e mbikëqyrjes.
Në këtë kuadër gjyqësor, pika më e nxehtë mbetet doktrina e Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale (NPK).
TENSIONALITETI EDHE TRAMPOLINA JURIDIKE: RËNIA E AKUZAVE FILLESTARE DHE “AKROBACITË” PROCEDURALE!
Sfidimi më i madh i këtij procesi qëndron në tjetërsimin e vetë objektit të gjykimit gjatë rrugës:
Rënia e pretendimeve për trafikim organesh: Tërësisht e gjithë baza politike e morale mbi të cilën u ngrit raporti i Dick Marty-t dhe mbi të cilën ndërkombëtarët e arsyetuan krijimin e kësaj gjykate – pra akuzat për trafikim organesh (“Shtëpia e Verdhë”) – u rrëzua për mungesë totale provash.
Akrobacia e Prokurorisë me NPK-në:
Pasi ra akuza fillestare që shërbeu si shkak për krijimin e Dhomave të Specializuara, organet e akuzës bënë një “akrobaci juridike”.
Ajo e zgjeroi dhe e riformuloi doktrinën e NPK-së duke dalë nga objekti origjinal, për ta riorientuar atë te krimet e përgjithshme të luftës.
Tjetërsimi i konceptit:
Prokuroria po tenton ta paraqesë luftën çlirimtare në një mënyrë paradoksale; duke pranuar formalisht se “synimi për çlirim ishte i mirë”, por duke pretenduar se “veprimi ushtarak bashkëpunoi me krimin”, duke krijuar kështu një konstrukt artificial ku çdo veprim lokal shndërrohet në plan qendror kriminal.
ANOMALIA DHE DREJTËSIA:
PERCEPTIMI SE “S’PO DËNOET UÇK-ja, POR INDIVIDËT”.
Të thuash se në Hagë po gjykohen “vetëm individë dhe jo UÇK-ja” përbën një paradoks konceptual e ushtarak, sepse:
Çlirimtarët, të akuzuarit kryesorë nuk ishin anëtarë të rastësishëm apo periferikë.
Ata ishin projektuesit, udhëheqësit politikë, drejtuesit e shtabit dhe zëri publik i UÇK-së.
Ata përfaqësonin trurin, zemrën dhe shpirtin e lëvizjes çlirimtare.
Mundësia e keqpërdorimit të narrativës:
Nëse truri dhe komanda qendrore e një ushtrie çlirimtare shpallen si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”, atëherë diferencimi formal midis “individit” dhe “organizatës” zbehet.
Narrativat sllave:
Kjo hapësirë konceptive i jep ushqim narrativës propagandistike sllave e serbe, e cila tenton ta paraqesë shtetin e Kosovës jo si produkt të një të drejte historike për vetëvendosje kundër gjenocidit, por si një projekt të lindur nga krimi.
Prandaj, rrëzimi i NPK-së në Apel mbron jo vetëm individët, po vetë bazën e shtetformimit.
ORIGJINA DHE STANDARDI I NPK-së:
RASET E BOSNJËS DHE PLANIT “PATKOI” NË KOSOVË!
Për të kuptuar se çfarë është në të vërtetë një Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale sipas jurisprudencës së ICTY-së, duhet t’i referohemi rasteve ku NPK-ja u provua sepse ekzistonte një plan i mirëfilltë, i dokumentuar dhe i organizuar shtetëror ose ushtarak.
Bosnja e Hercegovina:
Karaxhiç dhe Mlladiç (NPK-ja e Planit Gjenocidal).
Në rastet e udhëheqësve politikë dhe ushtarakë të serbëve të Bosnjës – Radovan Karaxhiç (President) dhe Ratko Mlladiç (Komandant i Përgjithshëm i VRS) – Tribunali i Hagës provoi ekzistencën e NPK-së sepse paraqiti prova direkte; direktiva ushtarake (si Direktiva 7), transkripte të kuvendeve, urdhra operacionalë dhe kontroll të plotë vertikal e komandues për dëbim e gjenocid prandaj ata u denuan me burgim të përjetshëm, ndërsa frymëzuesi i tyre ish presidenti i republikës federale të Jugosllavisë Sllobodan Millosheviç vdiq pa u marrë vendimi pas një aktgjykim përfundimtar për 66 pika të aktakuzës për krime kundër njerëzimit e krime lufte në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, Kosovë.
Kosovë:
Dënimet e Aparatit Shtetëror Serb me Operacionin “Patkoi” (107 vjet burgim)
Po ashtu, Tribunali i Hagës dënoi makinerinë shtetërore të Serbisë për krimet në Kosovë, pasi NPK-ja u bazua te plani i organizuar shtetëror – Operacioni “Patkoi” – me synim dëbimin masiv dhe ndryshimin e strukturës etnike të Kosovës (duke dënuar Shainoviçin, Pavkoviçin, Lukiçin, Ojdaniçin, Llazareviçin dhe Gjorgjeviçin.
Theksojmë se:
Vendimi i Tribunalit për Sheshelin në shkallën e parë si i pafajshëm për 9 pika të aktakuzës për krime kundër njerëzimit e krime lufte në Bosnje- Hercegovinë e Kroaci nga forcat serbe në vitet 1991-1993 u korrigjua në apel në vitin 2018-të dhe u bë përmbysja e pjesshme e pafajsisë
Ai u denua 10 vite burg.
Ndërsa presidenti i Serbisë Milutinoviç u shpall i pafajshëm në vitin 2009-të për të gjitha pikat e aktakuzës, ndonëse përgjegjës për mijra civilë të vrarë.
Ai u shpall i pafajshëm me arsyetimin se nuk kishte dhënë kontribut të rëndësishëm në ndërmarrjen e përbashket kriminale e nuk ushtrinte kontroll efektiv mbi forcat e ushtrise jugosllave e policisë në Kosovë.
Natyrisht lind pyetja a kemi dy standarte apo një.
Pse nuk ka të njëjtin standarti tek çlirimtarët???!!
Duhet të apostrofojmë faktin se ku pati plan shtetëror, komandë qendrore dhe urdhra të qartë për dëbim, NPK-ja u provua.
Aty ku munguan këto elemente, NPK-ja u rrëzua.
RASTET E UÇK-së NË ICTY DHE DSHK:
KRIMI I PROVUAR NUK MJAFTON PËR NPK-NË
Kur Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë (ICTY) gjykoi komandantët dhe pjesëtarët e UÇK-së, praktika gjyqësore e hodhi poshtë supozimin automatik të NPK-së:
Fatmir Limaj, Isak Musliu dhe Haradin Bala: Prokuroria pretendoi NPK sistemike, por Dhoma e Apelit (2007) konfirmoi pafajësinë e Limajt e Musliut, duke lënë në fuqi dënimin e Balës vetëm për veprime konkrete personale.
Ramush Haradinaj, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj: Pretendimi për NPK në Zone e Dukagjinit u rrëzua plotësisht sepse krimet e izoluara nuk përbënin një plan të përbashkët kriminal.
Pas një beteje të stërgjatur në vitet 2008- 2010- 2012, me dt 29 nëntor të vitin 2O12-të Dhoma e Apelit i shpalli të pafajshëm.
Rastet e tjera në DSHK (Mustafa, Shala, Gucati & Haradinaj):
Të gjitha proceset kanë dëshmuar se përgjegjësia individuale apo pengimi i drejtësisë nuk mund të tjetërsohen në teorizime të gjera kolektive apo strukturore për NPK.
GOTOVINA DHE MARKAÇ:
KUR RRËZOHET BAZA, RRËZOHET NPK-JA.
Në rastin e gjeneralëve kroatë Ante Gotovina dhe Mlladen Markaç, Dhoma e Apelit (16 nëntor 2012) i shpalli ata plotësisht të pafajshëm.
Ky rast dëshmon diçka thelbësore:
Apeli nuk është dekorativ.
Kur premisa faktike mbi të cilën ndërtohet NPK-ja rrëzohet, bien të gjitha pretendimet e akuzës.
DISTINKCIONI VENDIMTAR:
DIJA, PAFUQIA DHE KONTROLLI EFEKTIV NUK ËSHTË NPK!
Këtu qëndron kufiri më i rëndësishëm ligjor që duhet t’i nënshtrohet testit të Apelit:
Dija për krimet, pafuqia për parandalimin e tyre, apo pamundësia apo neglizhenca për t’i ndaluar ato nuk përbëjnë dhe nuk mund të konfigurojnë automatikisht Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale.
Gjykatat ndërkombëtare e kanë bërë këtë ndarje me rreptësi absolute përmes dy koncepteve krejtësisht të ndryshme:
Qëllimi i Përbashkët Kriminal (Shared Intent) versus Përgjegjësia e Komandës (Command Responsibility).
Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale (NPK):
Kërkon prova të drejtpërdrejtë për Qëllimin e Përbashkët Kriminal (Shared Intent) – që do të thotë se i akuzuari jo vetëm që ka pasur dijeni, por ka ndarë të njëjtin vullnet dhe synim kriminal me autorët e tjerë.
Dija + Pafuqia (Përgjegjësia e Eprorit):
Nëse një udhëheqës ka pasur dijeni se persona apo grupe në terren po kryejnë shkelje, por i ka munguar mundësia reale ose kontrolli efektiv për t’i parandaluar apo ndëshkuar ato, kjo bie vetëm në fushën e përgjegjësisë së eprorit.
Dija pasive ose pafuqia për të vepruar nuk përbën vullnet kriminal dhe nuk e shndërron kurrë një drejtues automatikisht në pjesëmarrës të një NPK-je.
Standardi i Kontrollit Efektiv (Effective Control).
Në një luftë me formacione guerile e kryengritëse, ku struktura komanduese shpesh ka qenë horizontale, e copëzuar ose pa mjete ekzekutive (mungesë e policisë ushtarake, e burgjeve të rregullta apo e gjykatave funksionale), pafuqia për të ndaluar një krim nuk mund të interpretohet si “pëlqim në heshtje” (tacit approval) dhe as si kontribut në NPK.
STANDARDI I LEGALITETIT (1998–1999): ZBATIMI I LIGJIT TË ISH-RSFJ-së.
Një nga shtyllat më kryesore të së drejtës penale ndërkombëtare dhe Kushtetutës së Kosovës është Parimi i Legalitetit (Nullum crimen, nulla poena sine lege).
Realiteti i viteve 1998–1999:
Kosova nuk kishte kod të vetin penal.
Sipas Neni 7 të KEDNJ-së, askush nuk mund të dënohet për një vepër që nuk përbënte vepër penale sipas ligjit në fuqi gjatë asaj kohe.
Kodi Penal i ish-RSFJ-së (1977):
Gjykata duhet t’i përmbahet kuadrit ligjor të vitit 1977, i cili nuk e njeh konceptin e “Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale” në formën e saj të zgjeruar moderne.
Të aplikosh koncepte doktrinore moderne pas dy dekadash mbi ngjarjet e vitit 1998 përbën shkelje të parimit të legalitetit.
ASIMETRIA JURIDIKE:
GJYKIMI I KATËR ÇLIRIMTARËVE PA STANDARDIN EUROPIAN (GJEDNJ).
Sot, procesi ndaj krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi në DSHK përballet me një anomali të madhe juridike. Shtetet si Kroacia kishin pas vetes mbrojtjen e sovranitetit dhe qasjen në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në Strazburg.
Ndërkaq, Dhomat e Specializuara veprojnë si një gjykatë e izoluar, pa një shkallë kontrolli të jashtme eyropiane ku të akuzuarit të ankohen për zgjatjen e paraburgimit apo abuzimin me teorinë e NPK-së.
ZINXHIRI I DETYRUESHËM PROVUES NË APEL!
Prandaj, në çdo shqyrtim gjyqësor apo apel, trupi gjykues duhet të ndjekë me rreptësi këtë zinxhir të qartë provues:
Qëllimi i Përbashkët Kriminal (Shared Intent):
Duhet të provohet se ekzistonte një plan ose synim i përbashkët kriminal.
Prova e Ekzistencës së Planit:
Mungesa e provave direkte për një plan shtetëror apo ushtarak e rrëzon të gjithë konstruktin.
Dija dhe Vullneti:
I akuzuari duhet jo vetëm të ketë dijeni, por të ketë shprehur vullnetin për realizimin e atij qëllimi.
Pjesëmarrja Individuale:
Përgjegjësia kërkon veprime konkrete dhe nuk transmetohet automatikisht nga pozita apo funksioni.
Kontributi Konkret:
Duhet të provohet një kontribut domethënës në realizimin e planit kriminal.
Përgjegjësia Penale dhe Fajësia:
Fajësia vendoset vetëm nëse provohet secila hallkë e mësipërme përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.
Nëse një hallkë e vetme e këtij zinxhiri mungon, ajo nuk mund të plotësohet me pozita ushtarake, autoritet politik, anëtarësi në një strukturë, e aq më pak me dijen pasive apo pafuqinë për të vepruar në terren.
PËRFUNDIM:
UÇK-JA NUK ËSHTË NPK.
UÇK-ja është konteksti historik dhe ushtarak i një populli për liri.
NPK-ja është vetëm një teori e përgjegjësisë penale. Atyre nuk mund t’u vendoset shenja e barazimit.
Jurisprudenca e vetë Hagës na e lë këtë mësim të qartë:
Rasti Karaxhiç–Mlladiç & Operacioni “Patkoi”: NPK-ja kërkon plan të dokumentuar, komandë vertikale dhe qëllim të provuar shtetëror-ushtarak.
Rasti Limaj–Musliu–Bala & Haradinaj:
Krimet individuale nuk përbëjnë NPK sistemike.
Rasti Gotovina–Markaç:
Apeli mund dhe duhet ta rrëzojë NPK-në kur mungojnë provat faktike.
Shmangia e Akrobacive Juridike:
Rënia e akuzave për trafikim organesh vërtetoi se konstrukti fillestar ra; dënimi përmes riformulimit të NPK-së do të përbënte devijim nga objekti origjinal.
Mbrojtja e Trurit dhe Shpirtit të UÇK-së:
Arsyetimi se “po dënohen vetëm individët” bie kur ata individë përfaqësojnë vetë udhëheqjen ushtarake e politike të luftës çlirimtare.
Dënimi i tyre me NPK i hap rrugë narrativave sllave se shteti i Kosovës u ngrit mbi krimin.
Dija dhe Pafuqia nuk është NPK:
Dija pa qëllim të përbashkët kriminal (shared intent) dhe pafuqia pa kontroll efektiv nuk mund të shndërrohen kurrë në NPK.
Kriteret bazë të së drejtës penale mbeten të pashmangshme:
NPK-ja duhet të provohet – jo të supozohet.
Qëllimi i përbashkët kriminal duhet të provohet – jo të nxirret nga pafuqia për të ndaluar shkeljet apo nga akrobacitë procedurale.
Pjesëmarrja duhet të individualizohet – jo të transferohet.
Fajësia duhet të provohet – jo të inferohet nga pozita.
Një luftë çlirimtare nuk mund të ulet në bankën e të akuzuarit.
Në fund të çdo procesi penal duhet të sundojë vetëm një standard:
Prova përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.



