LaCivita, Dodik dhe Berisha kanë përdorur emrin e Trumpit si kapital politik

0

Shkruan Zef Ndreka

Duke verifikuar zhvillimet e fundit e të deklaruara edhe nga Presidenti Trump, do të përpiqem të bëj një koment duke ruajtur një vijë të qartë mes fakteve të dokumentuara dhe disa pyetjeve që kërkojnë hetim.
Trump fillimisht tha se mund ti pushonte LaCivitën dhe Blairin nëse kishte konflikt interesi. Por edhe mund të bëjë një tërheqje të butë deri në konstatim të fakteve.
LaCivita, Dodik dhe Berisha kanë përdorur emrin e Trumpit si kapital politik.
Deklarata e Donald Trumpit për Chris LaCivitën dhe James Blair nuk mund të shihet apo të kalohet si episod i zakonshëm në politikën amerikane, sidomos rasti që lidhet me Shqipërinë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara ngriti publikisht pyetjen se për kë punojnë njerëzit që janë kaq pranë tij politikisht dhe nëse aktivitetet e tyre private mund të krijojnë konflikt interesi. Shkak u bë angazhimi i tyre për Republikën Serbe, për entitetin serb në Bosnjë-Hercegovinë, në një periudhë kur Milorad Dodik dhe politika e tij janë në qendër të një përplasjeje të fortë gjeopolitike në Ballkan.
Nga këtu, historia bëhet interesante edhe për Shqipërinë.
Sepse Chris LaCivita nuk është një emër i panjohur për shqiptarët. Ai ishte një nga njerëzit kryesorë të fushatës së Trumpit në vitin 2024 dhe më pas u angazhua si këshilltar elektoral i Berishës për zgjedhjet shqiptare të vitit 2025. Raportimet e kohës tregojnë gjithashtu se PD lidhi një kontratë prej 6 milionë dollarësh me Continental Strategy për lobim në Uashington, ndërsa vetë Berisha ka deklaruar më vonë se LaCivita nuk kishte lidhje me lobimin për heqjen e non gratës së tij, duke ia atribuar atë Continental Strategy.
Gjithsesi shtrojmë.pyetjen:
Çfarë marrëdhënieje ekzistonte midis Berishës, LaCivitës, rrjetit të Trumpit dhe gjithë arkitekturës së lobimit amerikan që u vu në lëvizje në vitin 2025?
Kjo pyetje bëhet edhe më e rëndësishme tani që vetë Trump ka kërkuar transparencë për aktivitetet private të njerëzve të tij politikë.
Sepse Berisha punësoi një konsulent amerikan, jo rastësisht zgjodhi një nga njerëzit më të afërt me fushatën e Trumpit.
Në atë hohë në Shqipëri, emri i LaCivitës u përdor politikisht si simbol i afrimit me administratën e re amerikane. Madje raportimet e kohës evidentonin se pikërisht lidhjet me Trumpin ishin një prej arsyeve pse strategët amerikanë ishin kaq të kërkuar në Shqipëri.
Tani vjen Dodiku.
LaCivita dhe Blair rezultojnë të kenë punuar për Republika Serbe. Trump u pyet për këtë marrëdhënie dhe reagoi publikisht duke kërkuar të sqarohej nëse kishte konflikt interesi.
Atëhere, sërish pyesim për të gjithë klientët e tjerë të këtyre njerëzve:
Kush i paguan?
Për çfarë i paguan?
Çfarë aksesi ofrojnë?
Dhe sa prej kësaj marrëdhënieje është biznes privat dhe sa perceptohet si akses tek Presidenti i Shteteve të Bashkuara?
Këto nuk janë akuza, por janë pikërisht problemet që duhet të sqarojë transparenca.
Për rastin shqiptar, pyetjet që kemi janë edhe më konkrete:
Sa i kushtoi Berishës LaCivita?
Si u financua kontrata?
Kush e pagoi?
Çfarë shërbimi konkret u ble?
Dhe a u përdor ndonjëherë emri, pozita apo afërsia e LaCivitës me Trumpin për ti krijuar Berishës një perceptim të privilegjuar aksesi në administratën amerikane?
Për kontratën me LaCivitën, Berisha kishte deklaruar se pagesat do të ishin të deklaruara dhe me burime të ligjshme. Më vonë u raportua se PD kishte paguar mbi 1.4 milionë euro për konsulencën e tij gjatë fushatës së 2025.
Ndërsa kontrata tjetër, ajo me Continental Strategy, ishte edhe më e madhe, konkretisht 250 mijë dollarë në muaj, për dy vjet, ose 6 milionë dollarë gjithsej. Dokumentet e publikuara tregojnë se kontrata përfshinte përpjekje për krijimin e marrëdhënieve me degët ekzekutive dhe legjislative amerikane, ndërsa në dokumentacionin publik është përfshirë edhe çështja e statusit të Berishës.
Këtu nuk kemi nevojë për konspiracione, por vetëm për dokumente, spse kur politikani shqiptar Berisha po paguan miliona dollarë për lobim në Uashington, qytetarët kanë të drejtë të dinë se çfarë blehet me këto para.
Duhet thënë troç se me gjithë këtë para, nuk bëhet fjalë vetëm për konsulencë politike. Nëse bëhet fjalë për lobim, le të dokumentohen ato. Por synimi i vertetë, duket lehtë se është ndryshimi i vendimit të Departamentit të Shtetit. Dhe se kuptojmë pse nuk publikohet se çfarë është kërkuar dhe çfarë është bërë në fakt.
Nqs dikush ka përdorur emrin e Trumpit për të shitur akses që në të vërtetë nuk e kishte, kjo është një çështje tjetër, shumë më serioze, që duhet hetuar.
Kjo është ajo që e bën deklaratën e Trumpit të rëndësishme edhe për Shqipërinë, sepse hap një dritare mbi një industri të tërë ku politika amerikane, paratë private, lobimi ndërkombëtar dhe aksesi tek pushteti mund të takohen në të njëjtën tavolinë.
Duhet pranuar se Shqipëria ka qenë pjesë e kësaj historie. Berisha e ndërtoi një pjesë të fushatës së tij mbi idenë e afrimit me Trumpin dhe LaCivita u paraqit si një prej lidhjeve të rëndësishme me botën trumpiste.
Kemi parë të nënshkruhen kontrata miliona dollarëshe me kompani amerikane dhe më pas, në vitin 2026, Berisha deklaroi se statusi i tij ishte hequr nga Departamenti amerikan i Shtetit dhe se kompania që kishte lobuar për këtë ishte Continental.
Tani vijnë disa pyetja shumë serioze:
“A e hoqi Trump non gratën e Berishës?”
“Kush loboi, sa u pagua, për çfarë u lobua dhe çfarë ndikimi real pati ky lobim?”
A ka qenë ndonjëherë emri i Donald Trumpit një argument marketingu për të shitur tek klientët e huaj një akses që duhej të ishte i matshëm dhe i dokumentueshëm?
Nëse administrata amerikane do të kërkojë përgjigje për këto pyetje në rastin Dodik, atëherë është krejt e natyrshme që të shihet me të njëjtin standard edhe çdo marrëdhënie tjetër lobimi, ku përfshihet edhe ajo shqiptare.
Sepse aleancat me Shtetet e Bashkuara nuk është pronë private e askujt dhe miqësia me presidentin amerikan nuk mund të kthehet në plaçkë politike që blihet me kontratë lobimi…

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu