Shkruan Zef Ndreka
Sali Berisha u rikthye në Lezhë. Por këtë herë, më shumë se një takim politik, ajo që pamë ishte fillimi i një fushate të vjetër në një kohë të re me anatemime, me sulme personale, me akuza, me shpifje dhe shantazhe politike.
Një skenar që shqiptarët e njohin prej më shumë se tri dekadash.
Por Lezha nuk është më ajo e dikurshmja. Dhe as Berisha nuk është më ai që pretendon të jetë.
Në Lezhë, Berisha është mundur tri herë radhazi. Ky nuk është vetëm rezultat elektoral. Është sinjali politik që nuk mund të anashkalohet. Është dëshmi se një pjesë e rëndësishme e elektoratit të djathtë në këtë qytet ka ndryshuar raportin e saj me politikën, me përfaqësimin dhe mbi të gjitha me modelin e vjetër të lidershipit.
Dikur Lezha votonte djathtas sepse kërkonte ndryshimin.
Ishte koha kur demokracia ishte ende një shpresë e re, kur njerëzit besonin se rotacioni politik do të sillte drejtësi, pronë, dinjitet dhe një shtet më të mirë. Ishte koha kur e djathta kishte në përfaqësim figura intelektuale dhe profesionale, njerëz që kishin ardhur nga fusha të ndryshme të jetës dhe që përfaqësonin një alternativë reale.
Ishte edhe një kohë tjetër e sistemit elektoral.
Por mbi të gjitha, ishte një kohë kur shpresa për ndryshim ishte më e fortë se zhgënjimi.
Më pas erdhi konsumimi.
Dhe këtu fillon përgjegjësia historike e Sali Berishës.
Sepse Berisha nuk ka humbur vetëm zgjedhjet. Ai, përmes një politike të gjatë të përplasjes, përçarjes dhe personalizimit të pushtetit, kontribuoi në konsumimin e së djathtës shqiptare.
Premtimet e pambajtura ndaj ish të përndjekurve politikë, të dënuarve politikë dhe ish-pronarëve krijuan një plagë të thellë tek një pjesë e elektoratit që dikur kishte qenë ndër mbështetësit më të fortë të së djathtës. Shpresa e atyre njerëzve u kthye gradualisht në zhgënjim.
Dhe kur zhgënjimi përsëritet për vite, ai bëhet kujtesë politike dhe Lezha është një nga vendet ku kjo kujtesë duket më qartë.
Sot Berisha vjen dhe përpiqet të flasë sikur problemi i opozitës shqiptare është një kryetar bashkie, një individ, një rrugë, një projekt apo një administratë vendore.
Por ky është një devijim nga problemi real.
Problemi i opozitës shqiptare nuk është Bashkia e Lezhës.
Problemi i opozitës shqiptare është mungesa e një alternative bindëse për Shqipërinë, mungesa e një programi të ri, mungesa e një vizioni që tu flasë të rinjve.
Është mungesa e një gjuhe politike që të mos jetojë vetëm me konfliktin, baltën dhe rikthimin e historive të vjetra.
Por mbi të gjitha, është problemi i një lidershipi që nuk pranon të kuptojë se koha politike nuk kthehet pas.
Berisha le të vazhdojë me mitingje, le të ngrejë zërin. Le të sulmojë kundërshtarët, le të përdorë fjalorin e tij të zakonshëm.
Por një gjë se bën dot. Nuk mund të kthejë pas kohën. Nuk mund tu thotë qytetarëve të Lezhës se duhet të harrojnë çfarë kanë parë dhe përjetuar gjatë këtyre viteve.
Berisha mund tu kërkojë ta besojnë sërish vetëm sepse ai vetë beson se ende mund të rikthehet, edhe pse politika nuk është çështje dëshire personale.
Politika është marrëdhënie besimi me qytetarin dhe ky besim humbet, nuk rikthehet me shpifje.
Berisha në Lezhë asnjëherë nuk mund rikthehet me shantazh, me anatemime, duke baltosur çdo njeri që ka një rezultat tjetër nga ai që dëshiron opozita.
Në këtë kuptim, sulmet ndaj kryetarit të Bashkisë së Lezhës janë edhe një test për vetë politikën lokale.
Sepse mund të sulmosh një njeri me fjalë, por nuk mund të fshish me fjalë atë që qytetarët e shohin çdo ditë.
Qytetarët shohin rrugët e ndërtuara, shohin
Investimet, shohin ndryshimin urban, shohin shërbimet, shohin projektet, shohin punën e administratës, shohin transformimin e qytetit.
Dhe mbi të gjitha, ndjejnë rezultatin.
Sot mund të debatohet për çdo projekt. Mund të kritikohet çdo vendim. Një kryetar bashkie nuk është mbi kritikën dhe asnjë administratë nuk duhet të jetë mbi llogaridhënien.
Por kritika politike duhet të ketë alternativë.
Duhet të thuash: çfarë do të bëja unë ndryshe?
Ku është projekti alternativ?
Ku është programi?
Ku janë investimet që propozon?
Ku është vizioni për Lezhën e së ardhmes?
Ku është modeli tjetër i zhvillimit?
Por kur përgjigjja është vetëm “ai është i keq”, atëherë nuk kemi alternativë politike. Kemi vetëm një fushatë baltosjeje, ku qytetarët lezhjanë ndjehen të lodhur nga ky qëndrim.
Lezha prej vitesh ka filluar ta masë politikën jo vetëm me fjalë, por me rezultate.
Kjo është arsyeja pse përballja e ardhshme nuk do të jetë përballje mes dy individësh, por do të kemi përballje mes politikës së punës dhe politikës së akuzës, mes projektit dhe baltës, mes së ardhmes dhe së shkuarës.
Berisha ka të drejtë të vijë në Lezhë e të kërkojë vota, të kritikojë çdo qeverisje vendore.
Por qytetarët kanë po aq të drejtë ti bëjnë atij pyetjen më të thjeshtë:
Pas kaq shumë vitesh në politikë, çfarë të reje po sillni?
Nuk mund të kërkosh votën e së ardhmes duke përdorur vetëm gjuhën e së shkuarës.
Nuk mund të kërkosh besimin e brezit të ri duke u paraqitur me konfliktet e vjetra.
Nuk mund të pretendosh të ndërtosh të nesërmen duke jetuar politikisht vetëm me nostalgjinë e pushtetit të djeshëm.
Në këtë pikë ka mbetur Berisha..
Ai kërkon të duket si alternativë ndaj sistemit, ndërkohë që është një nga figurat më të konsumuara të historisë politike shqiptare.
Ai kërkon të flasë në emër të ndryshimit, ndërkohë që vetë është bërë simbol i një cikli të vjetër politik.
Ai kërkon të sulmojë kundërshtarët, por harron se qytetarët po gjykojnë edhe atë për atë që ka bërë dhe për atë që nuk ka bërë.
Edhe statusi i tij ndërkombëtar ka lënë një barrë të rëndë politike mbi opozitën që drejton. Përcaktimi “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit nuk është zhdukur me deklarata politike, as me pretendime për rikthim dhe as me sjelljën e përditshme.
Për PD-në që pretendon të jetë alternativë qeverisëse dhe që kërkon të udhëheqë Shqipërinë drejt Perëndimit, ky është një problem që nuk mund të fshihet nën tapetin e propagandës. Por edhe këtu Berisha duket se ka zgjedhur të mos përballet me realitetin.
Ai vazhdon të besojë se duke sulmuar të tjerët mund të fshehë konsumimin e vet, megjithse nuk funksionon më, sepse Lezha ka ndryshuar.
Bashkë me të edhe gjithë Shqipëria me elektoratin e djathtë.
Prandaj gozhdat që Berisha përpiqet tu ngulë të tjerëve mund të mos kapin më në murin e opinionit publik. Përkundrazi, ato do ti kthehen vetë atij.
Qytetarët nuk votojnë për zhurmën, por për atë që besojnë se mund të bëjë punën.
Berisha vjen në Lezhë pa projekt, pa program, pa ide dhe pa një ofertë të re për qytetin, ndaj beteja e tij nuk është për të ardhmen e Lezhës.por përpjekja tjeter e tij për të shpëtuar të shkuarën politike.
Sot Lezha nuk është muze i politikës së vjetër, por qytet që kërkon të ecë përpara.
Dhe pas 7–8 muajsh, qytetarët do të kenë mundësinë të japin përgjigjen e tyre pa sharje, pa baltë, pa shantazh.
Vota e qytetarit është ajo që i vendos të gjithë politikanët në vendin që meritojnë.
Koha kur politika fitohej vetëm duke bërtitur ka kaluar.
Berisha, pas tri humbjesh radhazi në Lezhë, ka ende përpara detyrën më të vështirë për
të bindur qytetarët se ai përfaqëson të ardhmen, ndërkohë që ata e kanë parë tashmë të shkuarën e tij.



