Protesta do të ndryshojë politikën e Kosovës

0

Shkruan Zef Ndreka

– Kosovës i duhen protestat, i duhen argumentet, i duhet diplomacia për të fituar kauzën.
– Protesta do tu japë të rinjve të Kosovës një rol të ri politik.
Po shohim me vëmendje zhvillimin e tri javëve të fundit, një seri tubimesh në Prishtinë si proces politik që po ndryshon natyrën e pakënaqësisë në Kosovë.
Është pikërisht vendimi i 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit që ka prodhuar tashmë protesta të përditshme.
Më 1 tetor u zhvillua protesta më e madhe deri tani, me dhjetra mijëra pjesëmarrës, ndërkohë, Kuvendi i Kosovës e ka dënuar unanimisht vendimin e Hagës dhe ka kërkuar më tej një strategji të koordinuar ligjore e diplomatike.
Po shihet qartë se kjo protestë nuk është vetëm protestë rutinë, pasi filloi si revoltë emocionale ndaj një vendimi gjyqësor, por gradualisht ajo do të mund të shndërrohet më gjërë në një revoltë politike ndaj një sistemi të tërë të kapur. Pikërisht në këtë situatë duket se ka hyrë dhe ndodhet Kosova.
Ndaj prej rreth tri javësh, Prishtina dhe qytete të tjera të Kosovës po përjetojnë protesta të përsëritura kundër vendimit të Dhomave të Specializuara të Hagës ndaj katër prej figurave kryesore të luftës së UÇK-së.
Por kjo protestë duket se nuk është vetëm për katër njerëz të dënuar. Për një pjesë të madhe të shoqërisë kosovare, ajo është kthyer në protestë për mënyrën se si po trajtohet historia e luftës, dinjiteti i shtetit të Kosovës dhe vetë rrëfimi mbi çlirimin e vendit.
Pikërisht, kjo e bën protestën politikisht shumë më të fuqishme, sepse është cenuar drejtësia dhe kujtesa kombëtare.
Gjykata e Hagës ka bërë një dallim juridik ku gjykimi sipas saj, lidhet me përgjegjësinë individuale të të akuzuarve dhe jo me legjitimitetin e UÇK-së apo të luftës së Kosovës. Vetë vendimi i 16 shtatorit i dënoi katër ish-drejtuesit për vepra të caktuara penale, ndërsa ata u shpallën të pafajshëm në akuzat për krime kundër njerëzimit.
Por politika dhe shoqëria nuk funksionojnë gjithmonë me të njëjtën logjikë si gjykatat.
Në Kosovë, shumë njerëz e perceptojnë vendimin jo vetëm si dënim të katër individëve, por si një goditje ndaj figurave që lidhen drejtpërdrejt me krijimin e shtetit.
Kjo është arsyeja pse në protesta nuk dëgjohen vetëm kërkesa për drejtësi për Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin, por artikulohen dhe dëgjohen pyetje shumë më të rëndësishme.
A po gjykohet individi apo po rivlerësohet lufta?
A po ndahet përgjegjësia personale nga historia e UÇK-së?
A po vendoset një standard i njëanshëm i drejtësisë për luftën e Kosovës?
Kush po e mbron sot politikisht e diplomatikisht të vërtetën e Kosovës?
Të gjitha këto pyetje nuk mund të zhduken me komunikata qeveritare të Kosovës. Sepse protesta ka edhe një histori tjetër pas vetes dhe do të ishte gabim të mendohej se gjithë pakënaqësia e sotme u krijua më 16 shtator.
Pakënaqësia ekzistonte më parë, pasi Kosova ka kaluar një periudhë të gjatë krize institucionale. Kuvendi u zhbllokua vetëm më 13 shtator dhe qeveria e re e Albin Kurtit mori 62 vota në një parlament prej 120 deputetësh. Por problemi institucional nuk u mbyll, sepse zgjedhja e presidentit mbetet pika e krizës dhe 6 tetori është afati që mund ta çojë vendin sërish drejt zgjedhjeve.
Në Kosovë kemi një paradoks, pasi ajo ka qeveri por nuk ka ende stabilitet politik, ka Kuvend por ka mosmarrëveshje të thella, ka kryeministër por nuk ka konsensus për institucionin më të lartë të shtetit.
Në Kosovë ka pasur disa procese zgjedhore brenda një periudhe shumë të shkurtër dhe ende nuk është arritur një normalitet institucional i qëndrueshëm.
Dhe pikërisht mbi këtë terren ka rënë vendimi i Hagës. Prandaj protestat e sotme kanë potencial të bëhet shumë më tepër sesa protesta për një aktgjykim.
Rreziku është për Kurtin, sepse dy pakënaqësi mund të bashkohen dhe këtu do të mund të ndodhë zhvillimi më interesant politik për Kosovën. Njëra është pakënaqësia emocionale dhe kombëtare me mbrojtjen e figurave të UÇK-së dhe kundërshtimi i asaj që protestuesit e konsiderojnë një padrejtësi historike.
Pakënaqësia tjetër është ajo politike dhe sociale, me lodhjet nga krizat institucionale, me zgjedhjet e përsëritura, me mosfunksionimin normal të shtetit, me problemet ekonomike, me akuzat për korrupsion dhe mënyrën e qeverisjes së Vetëvendosjes.
Po të bashkohen këto dy pakënaqësi, atëherë protesta do të marrë një dimension krejt tjetër, sepse nuk protestohet më vetëm Drejtësi për UÇK-në, por gradualisht do të kalohet tek teza se, kush po e mbron Kosovën?!
Në fakt, kjo është pyetja më e rrezikshme dhe më e rëndësishme politikisht për qeverinë Kurti.
Në pikën më të ndjeshme të qëndrimit ndaj UÇK-së, qeveria Kurti ka një problem të veçantë politik. Një pjesë e shoqërisë kosovare ka krijuar jo rastësisht bindjen se qeveria nuk ka qenë mjaftueshëm e angazhuar për mbrojtjen politike, historike dhe diplomatike të ish-drejtuesve të UÇK-së. Ka patur edhe deklarata të mëparshme të figurave të pushtetit për qëndrime në gjyqin e Hagës dhe madje janë paraqitur edhe informacione në proces, të cilat do të rikthejnë fuqishëm debatin publik në Kosovë.
Tashmë ka fakte dhe jo pretendime se anëtarë të qeverisë kanë “furnizuar” drejtpërdrejt Hagën “me prova”. Sot qytetarët e Kosovës e besojnë, se qeveria e tyre ka qenë indiferente, armiqësore ose politikisht pasive ndaj figurave të luftës dhe kjo bindje ka kaluar tashmë në problem politik.
Këtë problem nuk e zgjidh dot propaganda. Ndaj vjen pyetja e natyrshme:
Çfarë mund të arrijnë realisht protestat në Kosovë?
Për të qenë realist, duhet thënë se protestat në Prishtinë nuk mund ta rrëzojnë vendimin gjyqësor të Hagës, as nuk mund ti japin gjykatës urdhër për ndryshimin e aktgjykimit.
Protestat nuk mund të zëvendësojnë gjykatën e Apelit, por mund të bëjnë diçka shumë të rëndësishme, duke krijuar presion politik dhe shoqëror për një betejë serioze juridike, diplomatike dhe institucionale.
Kjo është rruga e vetme e drejtë. Në vend të thirrjeve emocionale për të “çbërë” menjëherë Dhomat Speciale, Kosova duhet të ndërtojë një front të përbashkët juridik e diplomatik, që do të thotë mbështetje maksimale për mbrojtjen ligjore në procesin e apelit, dokumentim sistematik të argumenteve juridike, diplomaci aktive në Washington, Bruksel dhe kryeqytetet evropiane dhe komunikim serioz me aleatët ndërkombëtarë, mbrojtje të figurës së UÇK-së pa mohuar parimin e përgjegjësisë individuale, por mbi të gjitha, duhet një qëndrim shtetëror jo partiak. Kjo rrugë është shumë më e fuqishme se çdo përpjekje parlamentare për të goditur vetë institucionin e Hagës.
Gjithashtu, protesta do të jetë edhe një test për opozitën, ku PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe forcat e tjera opozitare duhet të jenë shumë të kujdesshme që të mos përpiqen për ta kapur protestën si një instrument elektoral, sepse mund ta humbasin atë, por mos ta lënë pa përfaqësim politik, që të mos humbin një mundësi historike.
Opozita duhet ta mbështesë kërkesën qytetare pa e uzurpuar protestën, sepse një protestë që ka në ballë të rinjtë, familjarë, veteranë dhe qytetarët e zakonshëm ka më shumë autoritet moral se një protestë që duket si miting partie.
Dhe fakti që një pjesë e rëndësishme e mobilizimit po vjen nga të rinjtë është veçanërisht domethënës.
Kjo tregon se çështja e UÇK-së nuk është thjesht nostalgji e brezit të luftës. Por është bërë çështje e identitetit politik të brezit që ka lindur ose është rritur pas luftës.
Në këtë situatë, vijojmë me pyetjen tjetër:
A mund ta ndryshojnë këto protesta situatën ndaj katër liderëve?
Përgjigja nuk është e prerë, por sigurish, protestat ndikojnë, sepse ato do ta rrisin ndjeshëm solidaritetin publik me Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin.
Dhe efekti më i madh do të jetë rikthimi i figurave të katër liderëve në qendër të politikës kosovare.
Për vite me radhë ata kanë qenë fizikisht larg Kosovës dhe politikisht të dobësuar.
Por vendimi i Hagës i ka rikthyer papritur në qendër të debatit.
Hashim Thaçi nuk është sot në Kosovë, por emri i tij është përsëri në sheshin e Prishtinës dhe qyteteve të tjera.
Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë në paraburgim jashtë vendit, por çështja e tyre po përcakton një pjesë të debatit politik brenda Kosovës.
Haga i dënoi politikisht dhe juridikisht ata, ndërsa protestat do ti rikthejnë në kujtesën dhe në identitetin politik të Kosovës.
Protesta, fillim i një riorganizimi të madh të politikës kosovare.
Protestat në Kosovë kanë një kufi. Nëse ato mbahen vetëm me thirrjet “Gjykata është e padrejtë, lironi katër liderët”, ajo mund të konsumohet me kalimin e kohës.
Por nëse shndërrohet në lëvizjen “Kosova kërkon drejtësi, të vërtetën historike dhe një mbrojtje dinjitoze të luftës së saj, duke respektuar njëkohësisht procesin ligjor”, atëherë protesta do të mund të fitojë jetëgjatësi dhe mbështetje ndërkombëtare.
Ky dallim është vendimtar, sepse aleatët perëndimorë të Kosovës nuk mund të pranojnë një mesazh që mohon parimin e drejtësisë.
Por ata mund të dëgjojnë një kërkesë për drejtësi të barabartë, standarde të barabarta, proces të drejtë dhe respekt për historinë e një populli që fitoi lirinë pas një lufte dhe ndërhyrjeje të NATO-s.
Tani shtrojmë pyetjen:
Çfarë do të ndodh më 6 tetor?
Nëse kriza presidenciale nuk zgjidhet, Kosova mund të hyjë përsëri në një proces zgjedhor. Kjo do të ishte veçanërisht e rëndë sepse do të ndodhte pikërisht në kohën kur vendi ndodhet nën tronditjen politike të vendimit të Hagës.
Në këtë situatë, protesta mund të kalojë nga presioni shoqëror në faktor elektoral.
Dhe kjo është pika ku Kurti duhet të ketë më shumë frikë sesa nga vetë protestat.
Sepse zgjedhjet e reja do të mund ta vendosnin në një pyetje të drejtpërdrejtë përpara qytetarëve:
A duan një tjetër cikël krize institucionale, apo duan një marrëveshje politike që e çon Kosovën drejt stabilitetit?
Dhe krahas kësaj:
Kush e mbron më mirë trashëgiminë e UÇK-së dhe interesin ndërkombëtar të Kosovës?
Kjo pyetje mund të ndikojë shumë në votën e ardhshme.
Gjithashtu është e rëndësishme të theksohet, se protesta nuk duhet të kërkojë hakmarrje, por duhet të kërkojë vetëm drejtësi.
Kosova nuk ka nevojë për një konflikt të ri me Perëndimin, as për një luftë politike kundër Amerikës apo Evropës.
Kosova nuk ka nevojë të rrëzojë institucionet e veta në emër të mbrojtjes së luftës, por ka nevojë për një betejë të mençur politike, juridike dhe diplomatike.
Dihet se UÇK-ja nuk mbrohet duke sulmuar aleatët, por duke i bindur ata.
Nëse ka argumente juridike për gabime në vendimin e shkallës së parë, ato duhet të çohen deri në fund në Apel. Po ashtu nëse ka standarde të dyfishta, duhet të dokumentohen.
Nëse ka dëshmi të reja, duhet të paraqiten dhe
nëse ka deformime historike, duhet të kundërshtohen me dokumente pa slogane.
Prandaj, protesta e Prishtinës mund të jetë shumë më tepër se një revoltë ndaj Hagës.
Mund të jetë fillimi i një riorganizimi të madh të politikës kosovare.
Ajo mund ta detyrojë qeverinë Kurti të rishikojë raportin e saj me trashëgiminë e UÇK-së.
Mund ta detyrojë opozitën të dalë nga lufta e zakonshme partiake dhe ta rikthejë çështjen e katër liderëve në qendër të diplomacisë kosovare.
Më e rëndësishme është, se protesta mund tu japë të rinjve të Kosovës një rol të ri politik, por vetëm kur protesta nuk përfundon në zemërim, sepse zemërimi vetëm ndez sheshet, ndërsa argumentët fitojnë betejën dhe diplomacia fiton kauzën.
Kosova sot pra, ka nevojë për protestën, për argumentet dhe diplomacinë…

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu