Shkruan Zef Ndreka
Dje, në 155-vjetorin e lindjes së At’ Gjergj Fishtës, Lezha nderoi jo vetëm poetin e madh kombëtar, por edhe fjalën shqipe, letërsinë dhe kujtesën tonë kulturore.
Me këtë rast u zhvillua ceremonia solemne e ndarjes së Çmimeve “At’ Gjergj Fishta”, Edicioni 2026, një veprimtari që është kthyer në një traditë të rëndësishme të jetës kulturore të qytetit.
Në këtë edicion konkurruan 83 autorë nga e gjithë Shqipëria, me veprat e tyre në tri kategori, në prozë, në përkthim dhe në poezi.
Juria e përbërë nga Preç Zogaj, Suela Mino dhe Gani Mehmetaj vlerësoi veprat më të spikatura të këtij edicioni.
Çmimi për prozën më të mirë iu dha shkrimtares Flutura Açka, për romanin “1914”.
Për përkthimin më të mirë u vlerësua Agron Tufa, me “Gropa e themelit”, ndërsa çmimi për vëllimin poetik më të mirë të vitit iu dha Rudolf Markut, për “Kthimet”.
Por përtej emrave dhe çmimeve, kjo ceremoni mbart një domethënie më të madhe.
Lezha është tashmë edhe qyteti i Fishtës, me fjalën dhe traditën që mbart, me kujtesën që ruan dhe kulturën që trashëgon e përcjell ndër breza.
Në Lezhë, ku historia kombëtare ka lënë gjurmë kaq të thella, nderimi i Fishtës dhe i letërsisë shqipe nuk është vetëm një veprimtari kulturore, por më shumë është një detyrim ndaj kujtesës dhe një investim për të ardhmen.
Lezha sot jeton jo vetëm përmes rrugëve dhe ndërtesave të saj, por edhe përmes kujtesës, librit, artit dhe njerëzve që i japin kuptim kohës së tyre.
Lezha pra, qyteti i Besëlidhjes, po bëhet gjithnjë e më shumë edhe qyteti i memories, i kulturës dhe i Fishtës.




