KUR NJË PROFESOR UNIVERSITAR THOTË «DITËN QË NUK DO TË MË SHIHNI NË PROTESTË, DIJENI SE KAM VDEKUR», SHOQËRIA NUK MUND TË QËNDROJË INDIFERENTE!

0
Shkruan Ermira Kondo
Gazetare e pavarur | Studiuese e filologjisë | Mbrojtëse e të drejtave të njeriut
Themeluese e BES’SA (ish-Alliance de Tchameri)
Deklarata e profesorit Lush Susaj i cili shpreh vendosmërinë për të qëndruar përkrah të rinjve protestues, meriton jo vetëm respekt, por edhe vëmendje të veçantë nga shoqëria civile, gazetarët e pavarur dhe institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Fjalët e tij janë të fuqishme.
Ato dëshmojnë një vendosmëri qytetare që nuk duhet të kalojë pa u dëgjuar.
Por ato na vendosin edhe përballë një pyetjeje thelbësore:
Në çfarë gjendjeje ndodhet demokracia shqiptare, kur një intelektual e lidh praninë e tij në protestë me vetë ekzistencën e tij?
Shqipëria ka kaluar pesë dekada diktaturë dhe më shumë se tri dekada tranzicion, gjatë të cilave ende nuk është ndërtuar plotësisht besimi i qytetarëve te institucionet demokratike.
Intelektualët, pedagogët, gazetarët dhe studentët nuk duhet të kenë frikë të shprehin mendimin e tyre, të kundërshtojnë pushtetin apo të kërkojnë ndryshime rrënjësore.
Asnjë profesor nuk duhet të rrezikojë sigurinë për shkak të qëndrimeve të tij qytetare. Asnjë student nuk duhet të përballet me kërcënime apo represion për shkak të protestës paqësore.
Megjithatë, a duhet të jemi të kujdesshëm?Nuk mundet të neglizhohet, me interpretimin juridik se deklarata e profesorit nuk provon në vetvete ekzistencën e një kërcënimi konkret ndaj jetës së tij.
Padyshim, juridikisht, se nëse ekzistojnë kërcënime, ato duhet të dokumentohen, të hetohen dhe të trajtohen me seriozitetin më të madh.
Por në të tilla raste sikurse Shqipëria me nji kastë politike vrastare, do lënë vallë prova apo gourmand për drejtësinë ?
Sot, më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për një solidaritet të pavarur qytetar.
Jo për të zëvendësuar Edi Ramën me Sali Berishën.
Jo për t’ua dorëzuar revoltën e të rinjve strukturave të vjetra partiake.
Por për të mbrojtur të drejtën e qytetarëve që të ndërtojnë një alternativë të re demokratike, pa frikë, pa klientelizëm dhe pa varësi politike.
Solidariteti me profesor Lush Susajn nuk duhet të jetë një akt partiak.
Ai duhet të jetë një akt përgjegjësie demokratike.
U bëj thirrje gazetarëve të pavarur, pedagogëve, studiuesve, organizatave të shoqërisë civile dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut që të mos qëndrojnë indiferentë ndaj çdo forme presioni, frikësimi apo përndjekjeje të mundshme të intelektualëve dhe studentëve.
Shqipëria nuk ka nevojë për martirë të rinj.
Ajo, ka nevojë për intelektualë të gjallë, të lirë dhe të pavarur!
Dhe mbi të gjitha, ka nevojë për një shoqëri që nuk pret tragjedinë për të kërkuar drejtësi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu