Bukuria e egër dhe barbare e “Neptunit”, gjenia sfiduese e Lambert-Sigisbert Adam

0

Shkruan Albert Vataj

Kritiku i artit dhe koleksionisti i njohur, Pierre-Jean Mariette, u tregua mjaft i ashpër ndaj Lambert-Sigisbert Adam (10 tetor 1700 – 12 maj 1759), më i madhi i vëllezërve skulptorë Adam dhe autor i kryeveprave që sot lartësojnë sallat e Muzeut të Luvrit. Në gjykimet e tij, Mariette piketoi pikërisht atë që përbënte palcën e stilit të Adamit, guximin për të thyer rregullat e maturisë klasike.
“Ky artist,” nënvizonte kritiku, “në gjithçka që bëri, derdhi një shije të egër e barbare, duke u përpjekur me çdo kusht të dëshmonte se askush më mirë se imagjinata e tij nuk mund t’i jepte jetë e lëvizje mermerit. Ai punoi në mënyrë të tillë që çdo krijim i tij të rrekej pas një marrëdhënieje urtësie, e megjithatë, në figurat që nxori nga guri, ka më shumë frymëmarrje se në çdo gjë tjetër.”
Kjo “egërsi” që shihte Mariette nuk ishte mungesë mjeshtërie, por përkundrazi, një shpërthim i barokut romak të stilit të Berninit, të cilin Adam e kishte thithur gjatë qëndrimit të tij dhjetëvjeçar në Romë. Për sytë e akademizmit francez, ky vrull dukej “barbar”, por për historinë e artit ishte një triumf i plasticitetit mbi materien e ftohtë.
“Neptuni” i konceptuar në fillimet e tij rreth vitit 1725, mbart të njëjtën agresiwitet dhe forcë imponuese që do të kulmonte më pas te “Neptuni që qetëson stuhinë” (Neptune calmant les flots déchaînés) i vitit 1737 – vepra e tij e pranimit në Akademinë Mbretërore, e cila sot shkëlqen në Luvër. Kjo krijatë mermeri sjell mitin e Zotit të Detit në tërësinë e vet shprehëse, duke gërshetuar rrafshin mitologjik me atë astrologjik, si një dëshmi e pushtetit absolut mbi të panjohurën dhe kaosin.
Pranuese ose jo, fryma klasike e njeh, e promovon dhe e trajton Poseidonin grek (dhe Neptunin romak) si një prej figurave më komplekse të psikikës njerëzore. Atje ku arti prek fijet më të holla të ndijimeve tona, predispozita jonë acarohet dhe akordon me pasion telat e kësaj harpe të lashtë. Tingujt e saj vijnë që nga hershmëria drejt e në zellin e përjetimit të një mermeri që zgjon mitin, duke e përfshirë modernitetin në një teatër adhurimesh dhe frike.
Figura monumentale e Neptunit që Adam ka skalitur është një shpërthim i kontrolluar force; një burim energjie që duket se pulson vrullshëm nën lëkurën e mermerit. Në bustin dhe kokën e hyjnisë përmblidhet e gjithë furia, dinjiteti dhe hijeshia e një zoti të lashtësisë, i cili nuk dominon vetëm dallgët e oqeaneve, por pushton edhe hapësirën estetike e mendore të atij që e sodit.
Fytyra e Neptunit është një arenë tensionesh të larta:
Vetullat e theksuara ngërthejnë një vështrim që përshkon hapësirën me ashpërsi të pamëshirshme.
Rrudhat e ballit shpalosin një dramë të brendshme, si një stuhi që lëviz nën sipërfaqen e ujit.
Mjekra e kërleshur dhe e gjallëruar me një mjeshtëri të rrallë, të jep përshtypjen e valëve që kanë ngrirë në kulmin e lëvizjes së tyre, duke përjetësuar në gur ritmin e egër të oqeanit.
Flokët e çrregullt, të gërshetuar me alga dhe guaska deti, i falin mbretit të deteve një aureolë natyrore, ku estetika akademike shkrihet me një vizion pothuajse ktonik të elementit të egër natyror.
Kjo skulpturë tejkalon nocionin e një paraqitjeje të thjeshtë hyjnore. Ajo është një shpërthim i pastër forme dhe ndjenje, ku mermeri – i njohur tradicionalisht për qëndrueshmërinë dhe ftohtësinë e tij – transformohet nga Adam në një trup të ngarkuar me jetë organike. Çdo rrudhë, çdo dredhë e flokëve, çdo hark i vetullës është një akt drame; një zë në një kor të heshtur që flet për pushtet, shpërthim dhe madhështi kreative.
Ky Neptun është shpërfaqja më sublime e asaj “egërsie klasike” që piketoi Mariette. Është një frymë e “barbarisë së bukur”, ku gjeniu i Adam-it nuk e zvogëlon mitin për ta përshtatur me shijen e përkorë dhe dekorative të rokokoas franceze, por e ngre atë në altar, në një gjendje ekstaze monumentale. Ai refuzon harmoninë e paqtë dhe sipërfaqësore për të kapur tensionin e brendshëm të hyjnores, duke e sjellë në dritë me një imponim që të detyron të përkulesh – jo vetëm përpara zotit të deteve, por përpara daltës së skulptorit.
Në këtë kokë të Neptunit, me sytë që digjen nga një pasion i përmbajtur dhe me flokët që përplasen si dallgë të ngrira, ne nuk shohim thjesht një figurë mitologjike. Shohim një manifest të formës së gjallë, një dëshmi të patjetërsueshme se arti i vërtetë nuk mjaftohet me imitimin e natyrës: ai e sfidon atë, e ripërfytyron dhe e përjetëson në një përmasë tjetër, të pavdekshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu