Shkruan Zef Ndreka
Për vite me radhë, sa herë që një drejtor, kryetar bashkie, ministër, zëvendësministër apo zëvendëskryeministër ka përfunduar nën hetim, përgjigjja politike ishte pak a shumë e njëjtë: “Kanë ngrënë kumbulla pas kurrizit tim.”
Mirëpo, pasi kanë kaluar shumë vite dhe të gjithë shqiptarët e kanë mësuar kush i hëngri kumbullat, natyrshëm lind pyeta:
Si u bë kaq e madhe kumbulla e korrupsionit nën të njëjtën pemë qeverisëse?
Sepse kur rasti është i izoluar, mund të themi se kemi një individ të korruptuar.
Kur janë disa raste, mund të flasim për abuzime të veçuara.
Por kur në vite shfaqen njëri pas tjetrit pa fund zyrtarë të niveleve më të larta të administratës dhe pushtetit vendor nën hetim, nën masa sigurie apo përballë akuzave për korrupsion, atëherë problemi kërkon një përgjigje më të thellë politike dhe institucionale.
Nuk do të mjaftonte më shpjegimi se të gjithë kanë vepruar fshehurazi.
Sepse qeveria nuk është vetëm kryeministri, por kryeministri mbetët përgjegjësi për mënyrën se si ndërtohet, si kontrollohet dhe si funksionon sistemi i qeverisjes.
Kur dikush vjedh fshehurazi, përgjegjësia penale dihet se është individuale.
Por kur korrupsioni përsëritet në shumë nivele dhe në shumë institucione siç ka ndodhur në Shqipëri, kemi të bëjmë edhe me një pyetje për mekanizmat e kontrollit, të përzgjedhjes, të mbikëqyrjes dhe të përgjegjësive politike.
Këtu është thembra e Akilit.
Është e paimagjinueshme të kemi përgjigjje për çdo rast:“Unë nuk dija asgjë.”
Kur kryeministri nuk dinte, atëherë përse nuk funksionuan asnjeherë kontrollet?!
Por nëse e dinte, pse nuk veproi më herët?!
Kur institucionet e kontrollit e zbuluan vetë, atëherë kjo është shenja që tregon se drejtësia e re po bën atë që duhet të bëjë duke hetuar pushtetin, edhe kur i hetuari është pjesë e shumicës.
Dhe kjo është ajo që duhet pranuar pa asnjë ekuivok, pavarësisht se hetimi i një zyrtari nuk është provë e fajësisë së tij, pasi vendimin përfundimtar e jep gjykata. Por po aq e vërtetë është se demokraci nuk mund të funksionojë nqs çdo hetim ndaj njerëzve të pushtetit interpretohet si sulm politik.
Rasti i Ballukut e ka bërë këtë debat veçanërisht të fortë. SPAK ka kërkuar dhe kërkon masa ndaj saj, që ishte një prej figurave më të rëndësishme të qeverisë, ndërsa Rama dhe mazhoranca po e kundërshtojnë mënyrën se si është vepruar.
Kjo na çon tek një pyetje tjetër:
A do të mbrohen ndonjëherë kumbullat?
Jo në kuptimin që të mbrohen korrupsioni dhe korrupsionistët, por në kuptimin që shteti serioz duhet të mbrojë pemën institucionale që i prodhon dhe i ndalon këto fenomene. Pra kontrollin, transparencën, konkurrencën në tendera, administratën profesionale, auditimin dhe mbi të gjitha drejtësinë e pavarur.
Asnjë vend nuk pastrohet duke arrestuar vetëm njerëzit që kapen.
Pastrohet kur krijohet sistemi ku është shumë më e vështirë të vjedhësh pa u kapur. Ky është problemi më i madh i Shqipërisë.
Kur SPAK-ku arreston një kryetar bashkie, një ish-ministër apo një zyrtar të lartë, kjo përbën një ngjarje juridike, por kur pas çdo arrestimi pyetet:
“Si ka mundësi që ky njeri arriti deri aty?”
atëherë pa frikë, mund të themi se Shqipëria ka hyrë në një dimension tjetër.
Sepse korrupsioni nuk fillon ditën kur vendosen prangat, por fillon shumë më herët. Fillon kur partia zëvendëson institucionin, kur besnikëria politike bëhet më e rëndësishme se profesionalizmi, kur tenderi kthehet në instrument favorizimi, kur kontrolli administrativ bëhet formalitet, kur drejtori emërohet për lidhjet politike dhe jo për aftësinë,
kur pushteti lokal shndërrohet në pronë elektorale.
Por mbi të gjitha, kur askush nuk ndihet përgjegjës derisa të trokasë SPAK-u në derë!
Prandaj Shqipëria sot nuk ka nevojë vetëm të gjejë se kush i hëngri kumbullat, por ka nevojë të zbulojë pse pemishtja ishte kaq e pambrojtur.
Dhe kjo është përgjegjësi që shkon përtej një emri, një ministri apo një partie.
Sepse qytetari nuk kërkon një qeveri ku kryeministri të dijë çdo gjë që bëjnë vartësit e tij, por kërkon shtetin ku askush nuk mund të bëjë çdo gjë pa u kontrolluar.
Ky është ndryshimi në mes shtetit që funksionon dhe shtetit që pret drejtësinë të vijë pas dëmit.
Pyetja “Kur do të mbrohen kumbullat?”, duhet të marrë një përgjigje institucionale, jo propagandistike, që kontrolli të funksionojë përpara korrupsionit dhe jo vetëm pas tij, pasi
shteti serioz nuk matet me numrin e njerëzve që arreston, por me numrin e abuzimeve që arrin ti parandalojë.
Kur Shqipëria pas kaq shumë vitesh vazhdon të gjejë kumbulla të reja në të njëjtën pemë, atëherë ndoshta ka ardhur koha të mos shohim më vetëm degët, por të shohim rrënjet.



