Shkruan Zef Ndreka
Udhëtimi ynë nga Lezha drejt Lurës kaloi përmes Rrëshenit, pasi përshkuam një segment të Rrugës së Kombit. Më pas morëm drejtimin nga Kurbneshi, duke vijuar në rrugën e re që e lidh këtë zonë me Peshkopinë.
Ndalimin e parë e bëmë në katundin e Krejes. Aty, buzë livadheve dhe në shpat të malit, qëndron hijerëndë Kisha e vjetër e Krejes, e rrethuar nga varrezat shekullore, një dëshmi e heshtur e historisë së kësaj treve.
Destinacioni ynë i parë ishte Kulla trekatëshe e Rajdës. Këmbëngulja e doktor Xhovalin Lekës për ta vizituar kishte një arsye të veçantë: lidhjet e vjetra miqësore të familjes së tij me shtëpinë e Rajdajve. Menjëherë na tërhoqi vëmendjen kulla e ndërtuar me gurë të gdhendur nga mjeshtrit e Fanit, një vepër që i ka sfiduar kohës. Ngjitur me të ngrihet një ndërtesë moderne, shumëkatëshe, e ndërtuar nga Anton Rajda, mbi të cilën qëndron një shqiponjë gjigante që duket sikur vështron gjithë kurorat e maleve, nga Dibra në Kukës e më tej.
Pas rreth një ore u nisëm drejt Fushë-Lurës, qendrës administrative të dikurshme të komunës. Një shëtitje nëpër këtë vend na dha mundësinë të shihnim bujtina, hotele dhe peizazhin madhështor të maleve me pyjet e pishave të zeza. Dëshira për të arritur te Liqenet e Lurës mbeti për një vizitë tjetër, pasi mungesa e një rruge të përshtatshme nuk e bënte të mundur ngjitjen drejt tyre apo drejt Kurorës, në mbi 2 100 metra lartësi.
Ndoshta do të duhen edhe disa vite që kjo mrekulli natyrore të shijohet plotësisht nga vizitorët. Megjithatë, edhe Fushë-Lura, në rreth 1 100 metra mbi nivelin e detit, të dhuron një ndjesi të jashtëzakonshme. Ahet dhe pishat e reja ngrihen krenare drejt qiellit, ndërsa ajri i pastër malor të mbush mushkëritë dhe të fal një qetësi që vështirë ta gjesh diku tjetër.
Edhe pse këtë herë nuk arritëm të eksploronim liqenet, nuk mund të thuhet se Lura është lënë në harresë. Bukuria e saj natyrore, madhështia e pyjeve dhe qetësia e maleve arrijnë ta zbusin disi pamjen e plagëve që ka lënë koha.
Një ndalesë e veçantë ishte vizita në Kishën e Shën Mërisë, e ndërtuar mbi themelet e kishës së vjetër, dhuratë për banorët e Fushë-Lurës nga biznesmeni Dod Llesh Doçi. Ajo është një simbol i besimit, traditës dhe respektit për trashëgiminë shpirtërore të kësaj zone.
Pas një dreke të shijshme në Bujtinën “Oxhaku i Doçit”, morëm rrugën e re drejt Peshkopisë dhe, për rreth pesëmbëdhjetë minuta, u ngjitëm drejt majës së malit.
Ajo që shfaqej para syve tanë ishte një mrekulli më vete. Horizonti dukej i pafund, sikur përfshinte gjithë bjeshkët shqiptare, nga Dibra në Kukës, ndërsa më poshtë shtrihej lugina e lumit Zeta me kodrinat që e rrethojnë. Ishte një peizazh që të sillte ndër mend kohën e luftëtarëve të Skënderbeut, të cilët kanë gjetur strehë e mbështetje në këto male krenare.
Lura mbetet një nga thesaret më të çmuara të natyrës shqiptare. Ajo ka ende nevojë për më shumë investime dhe infrastrukturë, por nuk është e harruar. Kush e viziton, largohet me bindjen se bukuria e saj është e përjetshme dhe se çdo rikthim do të zbulojë një mrekulli të re.
Bardhok Lalaj



