Shkruan Zef Ndreka
Krahas të tjerëve me rëndësi, edhe ish emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka reaguar lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, vetëm pak ditë para 16 shtatorit, kur pritet të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë në Hagë.
Grenell e ka lidhur procesin ndaj Thaçit me ish-Prokurorin e Specializuar Jack Smith, duke rikujtuar zhvillimet e vitit 2020 dhe negociatat që në atë kohë po zhvilloheshin në Uashington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Më 16 shtator, Gjykata e Hagës do të shpallë aktgjykimin në çështjen e Jack Smithit kundër ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi”, ka shkruar Grenell.
Në reagimin e tij, ai ka rikujtuar se në vitin 2020 Thaçi po planifikonte të udhëtonte drejt Uashingtonit për një takim në kuadër të procesit të ndërmjetësuar nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump.
Grenell pretendon se veprimet e Prokurorisë së Specializuar në atë periudhë ndikuan drejtpërdrejt në pamundësimin e pjesëmarrjes së Thaçit në takimin e planifikuar në Uashington.
Më tej, ai vazhdon:
“Thaçi ka qenë në burg për 6 vjet! – që nga momenti kur Jack Smith arrestoi Presidentin në detyrë të Kosovës, teksa ai po udhëtonte drejt Uashingtonit, D.C., për tu takuar me mua dhe për të zhvilluar negociatat përfundimtare me Presidentin Trump për marrëveshjen në Zyrën Ovale, që synonte normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Grenell ka vazhduar me kritika ndaj Jack Smithit, duke bërë krahasime edhe me çështjet që ish-prokurori ka trajtuar më vonë në Shtetet e Bashkuara.
“Çështjet e Jack Smithit në Amerikë kanë dështuar të gjitha. Kjo çështje në Evropë është e fundit që i ka mbetur”, ka deklaruar Grenell.
Ai ka përmendur gjithashtu dëshmitë e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve amerikanë në procesin në Hagë, duke pretenduar se ekziston mbështetje nga të dy krahët e politikës amerikane për Thaçin.
“Madje, edhe demokratë nga Amerika dëshmuan në Hagë në favor të Thaçit, duke deklaruar nën betim se pretendimet e Jack Smithit ishin krejtësisht të pavërteta”.
Grenell e ka përmbledhur këtë qëndrim duke deklaruar se, “ekziston mbështetje dypartiake amerikane për Thaçin”, ndërsa ka përsëritur kritikat ndaj Smithit.
Në fund, ish-emisari amerikan e ka kthyer vëmendjen tek 16 shtatori, duke thënë se tani vendimmarrja i takon trupit gjykues në Hagë.
“Tani gjithçka varet nga Gjykata e Hagës më 16 shtator. Qëndroni të informuar…”, ka përfunduar Grenell.
Vetë Hashim Thaçi është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave të ngritura kundër tij. Deklaratat e Grenellit për Jack Smithin dhe procesin përfaqësojnë qëndrimin dhe interpretimin e tij, ndëekohë që vendimi juridik merret nga trupi gjykues në bazë të procesit dhe provave të administruara.
Çfarë po ndodh realisht me fatin e Thaçit?
Sot ekzistojnë vetëm tre përfundime të mundshme juridike:
– pafajësi,
-dënim për një pjesë të akuzave,
– dënim për akuzat e provuara nga trupi gjykues.
Prandaj sot, nuk është e mundur të parashikohet me përgjegjësi se cili do të jetë vendimi.
Deklarata e Richard Grenellit ka rëndësi të madhe politike, sepse ai ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në diplomacinë amerikane të vitit 2020. Por duhet bërë një dallim, sepse Grenell nuk është pjesë e trupit gjykues dhe deklaratat e tij nuk përbëjnë provë juridike. Ato janë një vlerësim politik i një diplomati amerikan që e ka njohur Thaçin dhe atë proces nga afër.
Edhe pse Ashim Thaçi u ndalua në nëntor 2020, anullimi i vizitës në qërshor të atij viti drejt zyrës së Presidentit Trump, nuk e zhvlerëson argumentin politik të Grenellit për ndikimin që pati ndërprerja e atij procesi diplomatik.
Sot, nuk mund të thuhet se Thaçi do të shpallet i pafajshëm, vetëm sepse disa zyrtarë amerikanë kanë dëshmuar në favor të tij, apo se deklaratat e Grenellit nënkuptojnë një vendim të ardhshëm.
Gjykata duhet të vlerësojë përgjegjësinë individuale të secilit të akuzuar mbi provat e administruara.
Por ka një element që e bën këtë moment jashtëzakonisht të rëndësishëm:
nëse trupi gjykues e shpall Thaçin fajtor, duhet të shpjegojë me një standard jashtëzakonisht bindës lidhjen konkrete ndërmjet tij dhe krimeve për të cilat akuzohet.
Vetë aktakuza flet për përgjegjësi individuale dhe për akuza shumë të rënda, pra për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Prandaj, 16 shtatori nuk duhet parë si një referendum politik për UÇK-në, as si gjykim historik për pavarësinë e Kosovës. Është një vendim penal për individë konkretë.
Nqs provat nuk e provojnë përgjegjësinë individuale përtej standardit të kërkuar, duhet të ketë pafajësi. Nëse e provojnë, duhet të ketë përgjegjësi, pavarësisht statusit politik të të pandehurit.
Në planin politik, një pafajësi e Thaçit do të ishte një goditje shumë e fortë për sjelljen që e ka shoqëruar këtë proces për vite, ndërsa një dënim do të hapte një debat edhe më të madh në Kosovë mbi përgjegjësinë individuale, hierarkinë e UÇK-së dhe mënyrën se si është interpretuar lufta çlirimtare.
Këtu qëndron gjithë thelbi i proçesit.
Thaçi është hero i historisë së Kosovës dhe njëkohësisht gjykata ka të drejtën ta gjykojë nëse ka prova për përgjegjësi penale.
Ashtu siç është po aq e vërtetë se statusi i tij historik nuk mund të zëvendësojë provat.
Kjo do të thotë se me dt 16 shtator, nuk do të presim një “vendim të Grenellit”, të Amerikës, të Kosovës apo të Serbisë. Duhet të presim ftohtë vendimin e trupit gjykues. Më pas do të fillojë faza tjetër, analiza e arsyetimit të aktgjykimit dhe nëse ka dënim, beteja e apelit.
Sepse fati i Thaçit nuk përcaktohet nga ajo që thotë Grenell, por nga ajo që gjyqtarët arrijnë të provojnë dhe arsyetojnë mbi 5,467 provat e administruara në këtë proces.
Ky është standardi që duhet të presim, pra as shfajësim politik paraprak, as dënim politik paraprak. Por drejtësi me prova.



