Davidi i dy mjeshtrave, Bernini përballë Michelangelos, dy gjuhë të gjenialitetit në dy kohë

0

Shkruan Albert Vataj

Dy Davidë, dy epoka, një përjetësi, Michelangelo përballë Berninit.
Kur mermeri mendon dhe kur mermeri vepron.
Nga qetësia e Rilindjes te vrulli i Barokut, dy Davidë, një hero legjendar.
Dy kryevepra, dy çaste të së njëjtës betejë epike.
Kur arti ndryshon kohën dhe ideali kaplon pasionin.
Davidi i Michelangelos dhe Davidi i Gian Lorenzo Berninit janë dy kryevepra që rrëfejnë të njëjtën histori biblike, por me dy gjuhë krejt të ndryshme artistike. Njëri është himn për qetësinë madhështore të Rilindjes, tjetri është triumfi i vrullit dramatik të Barokut. Të dy mishërojnë heroin, por secili e sheh atë në një çast tjetër të fatit.
Michelangelo e përjetëson Davidin në heshtjen që paraprin stuhinë. Ai qëndron i palëkundur, me trupin e përkryer dhe shikimin e ngulitur drejt armikut të padukshëm. Çdo muskul është i qetë, por i gatshëm, çdo linjë e trupit flet për një forcë që ende nuk është shpalosur. Është momenti i mendimit, i vetëkontrollit dhe i besimit. Heroi i Rilindjes nuk ngutet. Ai fiton fillimisht betejën brenda vetes dhe vetëm më pas përballet me Goliathin. Bukuria ideale, ekuilibri dhe përmbajtja janë virtytet që Michelangelo ngre në piedestal.
Bernini, përkundrazi, nuk na lejon të sodisim qetësinë. Ai na hedh në zemër të përplasjes. Davidi i tij është kapur pikërisht në çastin kur e gjithë energjia e trupit shpërthen drejt veprimit. Trupi përdredhet në një spirale të fuqishme, muskujt tendosen deri në skajin e mundësive njerëzore dhe manteli duket sikur valëvitet nga forca e lëvizjes. Skulptura nuk kufizohet më brenda bllokut të mermerit, ajo pushton hapësirën përreth, duke e bërë shikuesin pjesë të dramës.
Edhe fytyra flet me një gjuhë krejt tjetër. Vetullat e mbledhura, nofulla e shtrënguar, buzët e ngjeshura dhe shikimi i përqendruar zbulojnë një njeri që lufton me të gjithë qenien e tij. Nuk kemi më idealizimin e qetë të Rilindjes, por të vërtetën e emocionit njerëzor. Bernini nuk kërkon përsosmërinë statike, ai kërkon pulsin e jetës. Mermeri, nën daltën e tij, duket sikur merr frymë, dridhet dhe lëviz.
Një tjetër ndryshim thelbësor qëndron në marrëdhënien me hapësirën. Davidi i Michelangelos është menduar të soditet kryesisht nga përpara, si një figurë monumentale që imponon madhështinë e saj. Ndërsa Davidi i Berninit të fton të ecësh rreth tij. Çdo këndvështrim zbulon një ritëm të ri, një tension tjetër, një vazhdim të lëvizjes. Shikuesi nuk mbetet më një vëzhgues i largët, ai bëhet pjesëmarrës, pothuajse ndien se ndodhet në trajektoren e gurit që heroi është gati të lëshojë.
Këto dy kryevepra nuk kundërshtojnë njëra-tjetrën, ato dialogojnë përmes shekujve. Michelangelo i këndon madhështisë së arsyes, harmonisë dhe idealit njerëzor. Bernini kremton pasionin, energjinë dhe teatrin e jetës. Njëri na mëson se forca lind nga vetëpërmbajtja, tjetri se madhështia shpërfaqet në çastin kur vullneti shndërrohet në veprim.
Në fund, nuk mund të thuhet se njëri David është më i madh se tjetri. Ata janë dy kulme të artit perëndimor, dy mënyra për të kuptuar të njëjtin hero dhe, në të njëjtën kohë, dy vizione për vetë njeriun. Michelangelo na dhuron heshtjen që paraprin historinë, Bernini na jep bubullimën e çastit kur historia lind. Njëri është monument i përjetësisë, tjetri është mermer që ka mësuar të lëvizë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu