Shkruan Zef Bushati
Le të shtrojmë disa pyetje themelore:
Çfarë sjell një Qeveri Provizore apo një Qeveri Tranzitore, nëse nuk ndryshon Ligjin Zgjedhor ?
Asgjë. Zero.
Çfarë sjell sistemi proporcional me Shqipërinë një zonë dhe lista të hapura, nëse nuk depolitizohen Komisionet Zgjedhore ?
Asgjë. Zero.
Çfarë sjell Shqipëria një zonë, nëse nuk garantohet financim i barabartë për të gjitha partitë që marrin pjesë në zgjedhje ?
Asgjë. Zero.
Partia Aleanca Demokristiane ka mbi 10 vjet që lufton pa u lodhur për ndryshimin e Ligjit Zgjedhor. ADK ka mbështetur dhe do të mbështesë çdo protestë dhe çdo lëvizje qytetare që kërkon reformimin e këtij ligji, sepse beson se aty fillon demokracia e vërtetë.
Anëtarët dhe simpatizantët e Aleancës Demokristiane, së bashku me Nënkryetarin e ADK-së, kanë qenë pjesë e protestës që nga dita e parë, pa munguar asnjë ditë. Ky nuk është një angazhim i rastësishëm, por një qëndrim parimor dhe i pandryshueshëm.
Ndryshimi i Ligjit Zgjedhor është çështja më e rëndësishme për një Republikë Parlamentare. Pa një ligj zgjedhor të drejtë nuk mund të ketë zgjedhje të lira, përfaqësim të barabarte dhe as demokraci funksionale.
Ligji aktual është antikushtetues, diskriminues dhe cenon parimin e barazisë zgjedhore, një e drejtë themelore e garantuar nga Kushtetuta.
Gjatë protestës, një grup nga Shoqëria Civile, i udhëhequr nga z. Kule dhe z. Tepelena, paraqiti para protestuesve një draft që, sipas tyre, pasqyronte idetë e socialistëve për ndarjen e Shqipërisë në vetëm katër rajone zgjedhore. Ky draft u konsiderua nga shumë protestues si një zhgënjim i madh dhe një devijim nga qëllimi i protestës.
Ndërkohë që Evropa ecën në drejtim të decentralizimit të pushtetit, duke ua afruar vendimmarrjen qytetarëve përmes komunave, bashkive dhe rajoneve me kompetenca të shpërndara, në Shqipëri propozohet e kundërta: një centralizim edhe më i madh i pushtetit.
Kule dhe Tepelena, së bashku me 15 aktivistë, firmosën dhe paraqitën në KQZ një projekt që synon ndarjen e Shqipërisë në katër rajone. Për Aleancën Demokristiane, kjo përbën një model të centralizuar diktatorial, të organizimit të pushtetit, në kundërshtim me frymën e decentralizimit që karakterizon demokracitë evropiane.
Aleanca Demokristiane ka besim te protestuesit. Ata janë ndërgjegjësuar se vetëm ndryshimi i Ligjit Zgjedhor mund të krijojë kushtet për një demokraci reale dhe për t’i dhënë fund sistemit politik që, sipas tyre, e ka mbajtur Shqipërinë peng për 36 vjet.
Reforma zgjedhore nuk mund të reduktohet në një ndryshim të vetëm teknik. Ajo duhet të jetë një reformë e plotë, që garanton barazinë Zgjedhore në konkurrencën e ndershme, administrimin e paanshëm të zgjedhjeve dhe respektimin e Kushtetutës. Pa këto garanci, çdo premtim për ndryshim mbetet vetëm propagandë. Demokracia nuk ndërtohet me slogane, por me rregulla të drejta që vlejnë njësoj për të gjithë.



