Shkruan Gjovalin Gjeloshi
-Tridhjetë vjet më parë Shkodra u tregoi dy partive të mëdha se vota e qytetarëve nuk është pronë e tyre. Duam akoma kohë, që këtë mesazh ta japë e gjithë Shqipëria?-”Politikanët janë si bebelinat. Ata duhet të ndërrohen shpesh dhe për të njëjtat arsye”
Në tetor të vitit 1996, plot tridhjetë vjet më parë, Shkodra dha një mesazh politik që, po ta shohim sot, duket sikur ishte shumë më përpara kohës së vet. Në zgjedhjet për kryetarin e bashkisë, Partia Demokratike, që qeveriste vendin, u përball me një surprizë. Pas balotazhit, fitorja nuk shkoi te kandidati i saj, por te një grupim i tretë, “E Djathta e Bashkueme Shkodrane”, që nxori në krye të Bashkisë një djalë të njërës prej familjeve të njohura të qytetit: Bahri Boriçin.
Ishte një votë që kishte brenda saj më shumë se zgjedhjen e një kryetari bashkie. Ishte një përgjigje ndaj mendjemadhësisë së politikës së kohës, një mënyrë për t’u thënë forcave të mëdha se nuk ishin të vetmet që mund të qeverisnin dhe se qytetarët nuk ishin të detyruar të zgjidhnin gjithmonë mes tyre. Shkodranët treguan se, kur përfaqësimi politik nuk u përgjigjet pritshmërive të njerëzve, ekziston edhe një mundësi tjetër. Bahri Boriçi vinte nga një familje me tradita të njohura qytetare, patriotike e atdhetare. Një familje që lidhet me emra të rëndësishëm të historisë dhe jetës shqiptare, si Daut Boriçi, por edhe me figura të mëvonshme si Hamit Boriçi e Loro Boriçi. Kjo prejardhje, natyrisht, nuk ishte e vetmja arsye e fitores. Por në atë zgjedhje kishte edhe një mesazh tjetër: qyteti kërkonte përfaqësim, dinjitet dhe një mënyrë tjetër të drejtimit të punëve të tij. Por çfarë ndodhi më pas me atë mesazh? Koha “Bahri Boriçi”, që u shfaq në Shkodër para tridhjetë vjetësh, për tridhjetë vjet u shua. Nuk u shndërrua në një alternativë kombëtare, nuk u bë një prirje që të sfidonte dy partitë e mëdha në zgjedhjet parlamentare dhe as nuk u përsërit si një përvojë e qëndrueshme në qytete të tjera me peshë të vendit. Përkundrazi, dy partitë e mëdha arritën të zinin thuajse të gjithë hapësirën politike shqiptare. Njëra në pushtet, tjetra në opozitë; pastaj ndërrojnë vendet, por loja mbetet po ajo. Dhe votuesi shqiptar? Ai vazhdon të qëndrojë në istikamet e dy partive. Kaq besnik është ndaj forcës politike që ka zgjedhur, edhe kur ajo nuk bën pothuajse asgjë për të. Kaq i lidhur është me udhëheqësit e saj, edhe kur një skandal pason tjetrin, edhe kur premtimet harrohen, edhe kur drejtuesit, me një fodullëk të skajshëm, sillen sikur votuesit ua kanë borxh votat. Pse duhet të votojë i majti për një parti që pretendon se është e majtë, por nuk e dëshmon këtë në politikat që ndjek? Pse duhet të votojë i djathti për një parti që e ka lënë në mes të rrugës shtresën dhe interesat që dikur pretendonte se përfaqësonte? Pse duhet që qytetari të vazhdojë t’u japë besën forcave politike, kur ato nuk ndihen të detyruara t’ia kthejnë këtë besë me përgjegjësi, punë dhe llogaridhënie? Shqiptari është njeri i besës. Kështu jemi mësuar ta përshkruajmë veten dhe kështu na pëlqen të na njohin edhe të tjerët. Besa, në traditën tonë, nuk ka qenë një fjalë e zakonshme.
Ka qenë fjalë e dhënë, nder, përgjegjësi dhe detyrim për ta mbajtur atë që ke premtuar. Por, me sa duket, në politikë kjo marrëdhënie ka marrë një kuptim krejt tjetër. Votuesi shqiptar i jep besën partisë, por nuk ia kërkon më asaj ta mbajë besën e dhënë. Ai mund të zhgënjehet nga premtimet e pambajtura, nga politikat që nuk u përgjigjen interesave të tij, nga skandalet e hajnive dhe nga sjellja arrogante e politikanëve, por përsëri kthehet te e njëjta forcë politike. Sikur besa që i ka dhënë një partie të jetë më e shenjtë se detyrimi i asaj partie ndaj tij. Sikur vota të jetë një borxh që duhet shlyer në çdo palë zgjedhje, pavarësisht se çfarë ka bërë apo nuk ka bërë ajo që e mori. Ndoshta problemi ynë nuk është se shqiptarët nuk e mbajnë besën, por se në politikë kanë harruar që besa duhet të jetë e ndërsjellë. Vota nuk është amanet që i lihet një partie përgjithmonë. Është një besim i dhënë për një mandat, i cili duhet fituar sërish me punë, përgjegjësi dhe rezultate. Është për të ardhur keq që spektri politik shqiptar mbetet kaq i varfër në alternativa. (Edhe kur shfaqen, anatemohen me gjithfarë epitetesh). Nuk është se në vendet e tjera qytetarët janë më pak të lidhur me partitë apo se atje politika nuk ka problemet e veta. Por në vende të tjera, kur një forcë politike e humbet besimin, mund të shfaqet një alternativë e re, e cila mbledh rreth vetes pakënaqësinë dhe shpresën për ndryshim. Mjafton të shohim Kosovën. Në fillim, skena politike u dominua nga dy-tri forca kryesore, por nuk vonoi dhe Lëvizja Vetëvendosje, që erdhi si një alternativë jashtë strukturave tradicionale të pushtetit, arriti të bëhej forca kryesore politike dhe të merrte drejtimin e vendit. Natyrisht, edhe atje rruga politike nuk ka qenë pa vështirësi, por një gjë u dëshmua: hapësira politike nuk është e mbyllur përgjithmonë për ata që vijnë më vonë. Të kujtojmë Italinë e fillimviteve ‘90-të, kur si rezultat e veprimit të Drejtësisë Italiane, u fshinë nga skena politike të 5 partitë qeverisëse. Ishte koha kur doli në skenë Berluskoni, i cili vetëm në 60 ditë në krye të partisë së re “Forza Italia”, fitoi zgjedhjet. Edhe zhvillimet e fundit në Hungari dhe Serbi dëshmojnë se një alternativë e re mund të shfaqet dhe të sfidojë pushtete që për vite me radhë janë dukur të konsoliduara. Në Hungari, TISZA e Péter Magyarit arriti të mposhtë Fidesz-in e Viktor Orbánit, pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh qeverisjeje. Në Serbi, një lëvizje e dalë nga protestat studentore u organizua si alternativë politike dhe fitoi zgjedhjet parlamentare të tetorit 2026, duke sfiduar pushtetin e Aleksandar Vuçiçit, pas më shumë se një dekade në drejtimin e vendit. Këto zhvillime nuk do të thonë se çdo forcë e re është automatikisht më e mirë se ato ekzistuese. As se krijimi i një partie tjetër është zgjidhja magjike e problemeve. Por tregojnë se qytetarët nuk janë të dënuar të qëndrojnë përgjithmonë nën hijen e të njëjtave parti dhe të të njëjtëve udhëheqës. Kur pakënaqësia arrin një masë të caktuar, ajo mund të kërkojë dhe të gjejë një përfaqësim tjetër politik. Siç thotë një autor: “Politikanët janë si bebelinat. Ata duhet të ndërrohen shpesh dhe për të njëjtat arsye”. Sot për sot, nuk mendoj se ka kund në Europë politikanë që të ngjajnë më shumë me bebelinat se sa këta tanët. Edhe në Shqipëri, protestat që po zhvillohen prej muajsh në Tiranë janë shprehje e një pakënaqësie që nuk mund të shpërfillet. Por protesta, sado e rëndësishme të jetë, nuk mund të mbetet përgjithmonë vetëm protestë. Në një moment, pakënaqësia qytetare kërkon përfaqësim, organizim, program dhe alternativë. Pyetja është nëse kjo energji do të arrijë të prodhojë një zë të ri politik apo do të mbetet sërish në pritje të radhës së zgjedhjeve. Ndoshta pikërisht këtu duhet të kthehemi te Shkodra e vitit 1996. Jo për të idealizuar një përvojë të vetme lokale dhe as për të pretenduar se “Bahri Boriçi” mund të jetë përgjigjja për të gjitha problemet e sotme. Por për të kujtuar se një qytet, tridhjetë vjet më parë, pati guximin t’u thoshte forcave të mëdha: ju nuk jeni të pazëvendësueshme!
A nuk është ky mesazhi që i duhet sot politikës shqiptare? Besoj boll kemi pritur, për të kthyer kohën “Bahri Boriçi”. Jo domosdoshmërish për një “Bahri” të dytë, por për një alternativë të tretë. Për një forcë që të mos lindë si bisht i njërës prej dy partive të mëdha, as si strehë e politikanëve të zhgënjyer që kërkojnë një vend të ri në tryezën e pushtetit, por si shprehje e një nevoje të vërtetë qytetare.
Sepse, një vend ku qytetari ka vetëm dy dyer ku të trokasë, edhe kur të dyja i janë mbyllur, nuk mund të pretendojë se ka një spektër politik të pasur. Dhe një demokraci ku votuesi nuk guxon ta ndryshojë zgjedhjen e tij, pavarësisht se si sillet partia që ka votuar, rrezikon ta kthejë votën nga një instrument kontrolli në një akt besnikërie të verbër. Tridhjetë vjet më parë Shkodra u tregoi dy partive të mëdha se vota e qytetarëve nuk është pronë e tyre. Natyrisht jemi të vonuar, që këtë mesazh ta japë e gjithë Shqipëria. Por, më mirë vonë se kurrë!




