Ish gjyqtari belg ngre alarmin: Mafia po pastron para në bregdetin shqiptar

0
Magjistrati i njohur belg, Michel Claise, ka ngritur alarmin për pastrimin e parave të krimit të organizuar në Shqipëri, duke deklaruar se mafia po investon masivisht në sektorin e hotelerisë dhe ndërtimit përgjatë bregdetit shqiptar.
Ish-gjyqtari belg, i njohur për angazhimin e tij në luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, tha se bregdeti shqiptar ndodhet nën presion të fortë nga investime të dyshuara kriminale.
“Në bregdetin e Adriatikut po pastrohet një sasi e madhe parash nga krimi. Njerëzit bëjnë gjithçka për t’u lejuar të ndërtojnë. Ky bregdet i mrekullueshëm është nën presion”, deklaroi Claise.
Sipas tij, grupet kriminale shqiptare kanë fituar ndikim të madh edhe jashtë vendit, veçanërisht në Belgjikë, ku ai ka deklaruar më herët se mafia shqiptare tashmë është bërë po aq e fuqishme sa mafia marokene, e cila për vite me radhë ka dominuar aktivitetet kriminale në atë shtet.
Michel Claise ka publikuar gjithashtu një libër mbi mafian shqiptare, të bazuar në hetimet dhe eksperiencën e tij profesionale në çështjet e krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.
Gjatë deklaratave të tij, ai komentoi edhe projektin për krijimin e një zyre të prokurorit financiar në Belgjikë, duke e cilësuar si një hap pozitiv në luftën kundër korrupsionit dhe mashtrimit financiar.
Megjithatë, Claise kritikoi mungesën e pavarësisë së plotë të strukturës së re, duke theksuar se modeli francez i prokurorisë financiare mbetet më efikas.
“Kur luftohet një fenomen si korrupsioni publik, sa më i pavarur të jetë institucioni, aq më e madhe është garancia që do të ndërmerren veprime konkrete”, u shpreh ai

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu