Ish-gjyqtari belg: Mafia po i pastron paratë në hotele, po shkatërrohet bregdeti shqiptar

0

Michel Claise, një nga figurat më të njohura në Belgjikë për hetimet ndaj korrupsionit dhe pastrimit të parave, ka ngritur sërish alarmin për aktivitetin e mafies shqiptare në Europë. Në një intervistë për mediat belge, ish-gjyqtari deklaroi se grupet kriminale shqiptare po përdorin investimet në sektorin e turizmit dhe hotelerisë në Shqipëri për të pastruar para të përfituara nga aktivitetet kriminale. Sipas tij, një pjesë e madhe e kapitalit të dyshimtë po kanalizohet drejt ndërtimeve në zonat turistike dhe në projekte hotelerie përgjatë bregdetit shqiptar.

Claise deklaroi gjithashtu se skema të ngjashme të pastrimit të parave po përdoren edhe në Marok, kryesisht përmes investimeve në prona të patundshme. Ai tha se mafia shqiptare është fuqizuar ndjeshëm vitet e fundit dhe në Belgjikë tashmë konsiderohet po aq e rrezikshme sa grupet kriminale marokene, të cilat kanë dominuar trafikun e drogës dhe aktivitetet kriminale për dekada. Ish-magjistrati është bërë i njohur për hetime të profilit të lartë mbi rrjetet mafioze ndërkombëtare dhe për rolin e tij në çështje të mëdha të korrupsionit në Europë.

Në një tjetër deklaratë të mëhershme, Claise paralajmëroi se “në bregdetin e Adriatikut po pastrohet një sasi e madhe parash nga krimi”, duke shtuar se presioni për ndërtim po dëmton vijën bregdetare shqiptare. Sipas tij, grupet kriminale përdorin ndikimin ekonomik dhe lidhjet lokale për të siguruar leje ndërtimi dhe për të investuar në resorte, hotele dhe komplekse turistike. Magjistrati belg ka publikuar edhe një libër mbi mafien shqiptare, ku trajton strukturën, shtrirjen dhe fuqinë financiare të këtyre grupeve kriminale, bazuar në hetimet e tij shumëvjeçare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu