Shkruan Elias Camhaji, “El Pais”
Pas më shumë se 15 vitesh hulumtimesh në zemër të rrjeteve të narkotrafikut, gazetari invetigativ britanik Toby Muse tregon pse kartelet e drogës janë më të fuqishme se kurrë. Ai paralajmëron se Evropa po hyn në një fazë të re të dhunës dhe korrupsionit të lidhur me kokainën…
Shkrimtari dhe gazetari britaniko-amerikan Toby Muse, është zhytur në botën e errët të drogës për më shumë se 15 vjet. Ai ka depërtuar në laboratorë të narkotikëve dhe ka udhëtuar nëpër kampe guerile në xhunglat e Kolumbisë për të kuptuar aspiratat dhe privimet që shtyjnë mijëra njerëz drejt rrjeteve të trafikut.
Përmes punës së tij, 50-vjeçari i lindur në Chichester të Britanisë së Madhe, ai rrëzon mitet dhe premtimet e dështuara të luftës kundër drogës, duke ofruar një portret të zymtë të perandorisë globale të kokainës.
“Nuk doja të tregoja të njëjtën histori të vjetër”- thotë Muse nga Bogota. “Besoj se emocionet tregojnë historinë e vërtetë. Doja të shkruaja një libër për emocionet e kokainës, për ndjenjat që ajo krijon. Çfarë ndien e dashura e një vrasësi me pagesë? Çfarë ndien e veja e një narkotrafikanti?”.
Rezultati ishte libri “Kilo: Jeta dhe vdekja brenda botës sekrete të karteve të kokainës” (2021). Pavarësisht se bosët e drogës rrëzohen dhe të tjerë zënë vendin e tyre, qeveritë ndryshojnë dhe gjaku vazhdon të derdhet në rrugët e Sinaloas dhe Medellinit, kokaina mbetet universale.
Ajo korrupton politikanë dhe policë, ushqen oreksin e pangopur të brokerëve të Wall Street-it dhe klubeve të natës në Londër, lëviz miliarda euro përmes porteve evropiane dhe përball vende si Ekuadori me një humnerë të paimagjinueshme deri pak vite më parë.
Libri i Muse rrëfen udhëtimin e një protagonisti të heshtur: një pako kokainë. Historia fillon në fushat e varfra të Kolumbisë dhe përfundon te konsumatorët fundorë.
Lufta kundër drogës vazhdon prej më shumë se 5 dekadash. Megjithatë, sot ka më shumë kokainë se kurrë. Si arritëm në këtë pikë?
Aktualisht po jetojmën në epokën e artë të kokainës. Pablo Escobar nuk do ta kishte imagjinuar kurrë një sasi kaq të madhe. Prodhimi përqendrohet në tre vende: Kolumbi, Bolivi dhe Peru. Vetëm Kolumbia ka thyer rekorde të reja prodhimi pothuajse çdo vit gjatë dekadës së fundit.
Një nga arsyet kryesore është procesi i paqes me FARC-un në vitin 2016. Në shumë territore të kontrolluara nga guerilët kishte plantacione kokaine. Kur FARC dorëzoi armët, qeveria premtoi se do të merrte kontrollin e këtyre zonave dhe do të vendoste rendin.
Por kjo nuk ndodhi. Prandaj mendoj se procesi i paqes ishte një dështim. Nuk duhej të sillte vetëm paqe mes qeverisë dhe FARC-it, por paqe për të gjithë Kolumbinë. Kur guerilët u larguan, grupet e tjera kriminale pushtuan menjëherë këto territore dhe detyruan fermerët të mbillnin edhe më shumë koka.
Sa herë që flas me kultivuesit e kokës, habitem nga numri i atyre që duan të largohen nga ky biznes. Ata e urrejnë atë. Nuk fitojnë më shumë para dhe jetojnë nën sundimin e grupeve të armatosura.
Kokaina sjell gjithmonë dhunë. Nëse kultivon kafe, nuk jeton me frikën e armëve. Nëse qeveria do t’u ofronte alternativa reale, shumica do të hiqnin dorë nga kultivimi i kokës. Bota ka të drejtë ta pyesë Kolumbinë pse prodhon kaq shumë kokainë.
Por Kolumbia mund ta pyesë botën: “Pse konsumoni kaq shumë kokainë?”. Kolumbia prodhon sepse vendet e pasura e konsumojnë. Megjithatë, askush nuk flet seriozisht për konsumin. Kush pyet në Angli pse përdoret kaq shumë kokainë? Askush.
A po trajtohet Kolumbia si një fajtorja e vetme e kësaj situate?
Po! Për këtë duhen dy palë. Kolumbia prodhon sepse SHBA-ja dhe Evropa konsumojnë. Kokaina është kapitalizëm i pastër dhe tani po kërkon tregje të reja në Azi.
Kolumbia paraqitet gjithmonë si e keqja e historisë. Por unë mendoj se ka edhe një element paragjykimi ndaj Amerikës Latine.
Por të gjithë ne kemi përgjegjësi. Nga ana tjetër, nuk mendoj se fajin e kanë vetëm konsumatorët. Gjatë periudhës së ndalimit të alkoolit në SHBA, fajtorët kryesorë nuk ishin njerëzit që pinin, por ligjet absurde që krijuan tregun e zi.
Kush po e paguan çmimin më të lartë?
Kolumbia ka një furnizim të pafund të të rinjve që hidhen në vijën e parë të frontit për të vdekur. Shumë prej tyre trajnohen si vrasës me pagesë në moshën 15 ose 16 vjeç dhe rrallë arrijnë të festojnë ditëlindjen e tyre të 25-të. Është një jetë nihiliste.
Fiton para shpejt, por jeton me bindjen se nuk do të arrish kurrë moshën 30 vjeç. Por të gjithë paguajmë çmimin. Në SHBA mbi 100 mijë njerëz vdesin çdo vit nga mbidozat. Pra më shumë sesa numri i amerikanëve të vrarë në Irak dhe Afganistan.
Po ashtu, lufta kundër drogës u jep autoriteteve më shumë pushtet për të kontrolluar qytetarët. Nuk mendoj se kjo luftë i sjell dobi askujt.
A janë qeveritë përgjegjëset kryesore për këtë dështim?
Të gjithë kemi pjesën tonë të përgjegjësisë. Vazhdojmë të zbatojmë të njëjtat politika që kanë dështuar. Problemi është se askush nuk di se çfarë të bëjë. Lufta kundër drogës nuk funksionon, por shumica nuk janë gati as për legalizimin.
Prandaj vazhdojmë të përsërisim të njëjtat gabime. Politikanët veprojnë vetëm kur ndihen nën presion. Askush nuk po i kërkon Donald Trumpit të ndalojë luftën kundër drogës në Amerikën Latine. Përkundrazi, ai po e përshkallëzon atë.
Çfarë ndikimi ka rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë?
Presioni mbi qeveritë e Amerikës Latine është i madh. Në Meksikë, Trump po kërkon më shumë veprime kundër karteleve. Ekuadori duket më i gatshëm të pranojë ndihmën amerikane. Ndërsa në Kolumbi gjithçka do të varet nga rezultati i zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.
Sa i përket Venezuelës, situata është interesante. Dikur flitej vazhdimisht për të ashtuquajturin “Karteli i Diejve”. Lufta kundër drogës dhe lufta kundër terrorizmit u bashkuan në të njëjtin narrativë.
Por sot gati askush nuk flet më për këtë kartel. Edhe nëse disa anije transportojnë kokainë, zgjidhja nuk është t’i bombardosh. Në një shtet ligjor, njerëzit arrestohen, dalin para gjykatës dhe gjykohen.
Konsumi i kokainës në Evropë po rritet me shpejtësi. A mund të arrijë dhuna nivelet e Amerikës Latine?
Jo në të njëjtën masë, por mendoj se Evropa po i afrohet një vale dhune serioze. Kokaina ndjek gjithmonë të njëjtin cikël. Në fillim është periudha e artë, kur të gjithë fitojnë para dhe kur nuk ka arsye për konflikt.
Por më pas grupet kriminale bëhen aq të fuqishme sa nuk duan më ta ndajnë tregun. Sot, mafiet në Barcelonë, Madrid dhe Londër po fitojnë shuma marramendëse. Çfarë bëjnë ato me këto para? Bëhen më të forta.
Situata në Roterdam është jashtë kontrollit. Korrupsioni në porte është shumë i madh. Në qytete si Marseja tashmë ka adoleshentë që veprojnë si vrasës me pagesë. Ndërkohë, në këtë botë kriminale ushtarë veteranë nga Evropa Lindore.
Kjo është receta për diçka shumë të shëmtuar. Kjo është ajo që më frikëson. Evropa nuk është e përgatitur për këtë. Mendoj se do të vijë një moment kur Evropa do të zgjohet dhe do të thotë e tmerruar: “E lamë këtë problem të bëhej shumë i madh…”./



