22 vite shërbim në komunitet

0

Shkruan Zef Ndreka

Një model i heshtur i solidaritetit dhe dashurisë njerëzore.

Shpesh flitet për mungesën e vëmendjes ndaj njerëzve në nevojë, për largimin e të rinjve dhe dobësimin e jetës komunitare, por në Rubik prej 22 vitesh vazhdon të japë fryte një vepër e jashtëzakonshme sociale dhe njerëzore e motrave të Dashurisë “Xhovana Antida Thouret”.
Falë mbështetjes së vazhdueshme të zonjës Marianne Graf dhe shumë donatorëve të tjerë bujarë, është ndërtuar një rrjet i gjerë aktivitetesh që prek pothuajse çdo shtresë të komunitetit. Aktivitete me fëmijët, me të rinjtë, me çiftet, me gratë, me të moshuarit, me personat me aftësi të kufizuara dhe familjet në vështirësi.
Të gjitha këto aktivitete janë histori e gjatë reale e përkushtimi, sakrifice dhe dashurie ndaj njeriut. Nga kurset e formimit për çiftet dhe mbështetja për familjet, tek fizioterapia për të sëmurët kronikë, nga logopedia për fëmijët tek ndihma për personat me aftësi të kufizuara, nga edukimi muzikor e kulturor tek kampet verore dhe ndihma për nevojtarët. Çdo njeri nga këto veprime ka lënë gjurmë konkrete në jetën e shumë njerëzve në Rubik.
Veçanërisht e çmuar është puna me gratë që përballen me dhunën, me familjet në krizë dhe me personat që kanë nevojë për mbështetje psikologjike e shpirtërore. Këto të gjitha janë shërbime që shpesh nuk duken, nuk bëjnë zhurmë dhe nuk maten me statistika, por që ndryshojnë jetë njerëzish.
Në fotografitë e mëposhtme të këtyre aktiviteteve shohim fëmijë, të rinj dhe edukatore të bashkuar rreth mesazhit “Shëroje Botën”. Kjo është një simbolikë e bukur e misionit që këto motra kanë kryer gjatë më shumë se dy dekadave duke shëruar plagët sociale, duke ndërtuar ura mirëkuptimi dhe duke mbjellur shpresë aty ku ajo rrezikon të mungojë.


Komunitetet nuk forcohet vetëm nga investimet materiale, por edhe nga njerëzit që i kushtojnë jetën shërbimit ndaj të tjerëve. Për këtë arsye, puna e motrave të Dashurisë “Xhovana Antida Thouret”, së bashku me mbështetësit dhe vullnetarët e tyre, meritojnë jo vetëm mirënjohje, por edhe vlerësim publik si një model i shkëlqyer i solidaritetit, humanizmit dhe bashkëjetesës në shoqërinë tonë.
Pas 22 vitesh pune të pandërprerë, frytet e kësaj veprimtarie shihen në fytyrat e fëmijëve, në familjet e ndihmuara, në të moshuarit që nuk janë ndjerë të braktisur dhe në të rinjtë që kanë gjetur mbështetje, edukim dhe shpresë. Kjo është pasuria më e madhe që mund të bëhet dhe ti lihet një komuniteti.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu