Shkruan Qamil Gjyrezi
Zija Çela është një nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë se sotme shqiptare. Dallohet për romane, novela, por ka shkruar edhe shumë tregime e ese letrare. U lind më 25 mars 1946 në qytetin e Shkodrës. Ishte fëmija i shtatë në një familje, ku i ati ishte punëtor dhe e ëma shtëpijake. Megjithëse kaloi një fëmijëri dhe rini të vështirë (babai i vdiq kur ishte vetëm pesë vjeç), ai arriti të diplomohej në Universitetin e Tiranës për letërsi. Në atë kohë, u emërua mësues në fshatrat malore të Kukësit. Në këtë qytet të vogël verior punoi për shumë vite dhe, kur ishte bërë i njohur me librat e tij, e transferuan në kryeqytet. Në Tiranë punoi redaktor në revistën letrare“Nëntori”, ndersa nga 1984 – 1990 si kryeredaktor i gazetës letrare “Drita”.

Në vitet ‘90 kjo gazetë luajti një rol të rëndësishëm në lëvizjen intelektuale për përmbysjen e sistemit totalitar. Me vendosjen e pluralizmit, Zija Çela u bë drejtor i shtëpisë botuese “Letrat”, ku e filloi veprimtarinë me romanin “Përbindëshi” të Kadaresë, një vepër që ishte ndaluar nga regjimi i mëparshëm. Në vitin 2000 e gjejme kryeredaktor i të përjavshmes “Albania e vogël”, suplement letrar i gazetës së përditshme “Albania”. Njëkohësisht që nga viti 2000, i shquar gjithashtu si eseist dhe publicist, Çela bën jetën e shkrimtarit në profesion të lirë. Si autor u bë i njohur shpejt nga librat me tregime, që u pasuan nga romanet e tij, duke spikatur veçanërisht me triptikun e romaneve “Gjaku i dallëndyshes”, “Gjysma e Xhokondës” dhe “Banketi i hijeve”. Më parë kishte botuar romanet “Një verë pa lamtumirë” dhe “Mali i tejdukshëm”, i cili per realizmin e fortë dhe modernitetin e formës, është cilësuar si rebelim i autorit ndaj metodës së socrealizmit. Autori është fitues i disa çmimeve letrare.
Në qershorin e vitit 2005, së bashku me bashkëshorten, Çela zhvendoset në Itali per t’i qëndruar te koka të birit, Dritanit, i cili sëmuret nga kanceri dhe mbyll sytë nëntë muaj më vonë. Duke pasur për protagonist të birin, i njohur gjerësisht në Shqipëri si përkthyes nga italishtja, kësaj ngjarjeje tragjike shkrimtari do t’i kushtojë librin “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”. Opinioni e priti me interesim të veçantë dhe profesionistët e cilësuan si një nga librat më të mirë të këtij lloji (elegji në prozë) që janë shkruar në letrat e përbotshme. Në 2016 Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka nderuar me Urdhrin “Nderi i Kombit” shkrimtarin e njohur Zija Çela. Motivacioni është “Në vlerësim të figurës së tij të shquar si përfaqësues i denjë dhe i veçantë i letrave bashkëkohore shqipe si dhe të kontributit të spikatur e të rrallë si eseist dhe publicist”. Krijimtaria e Zija Çelës nis rreth katër dekada e gjysëm më parë për t’u mishëruar në afro 25 vepra, mjaft prej të cilave fituese të çmimeve të ndryshme.
Semiotika e librit ‘Koka mbi katror’ te Zija Çelës
Elementi më interesant semiotik te libri ‘Koka mbi katror’ i Zija Çela është vetë metafora e titullit. Libri paraqitet si një ngritje e kokës mbi “katrorin” e faqes së letrës, pra si kalimi nga hapësira e ngushtë e shkrimit drejt vëzhgimit të botës dhe të krijuesve të tjerë. Autori e koncepton veprën si një dialog me letërsinë dhe me bashkëkohësit e tij, jo si një akt të izoluar krijimi.
Interpretim semiotik i shkurtër
Shenja kryesore: koka = vetëdija, reflektimi, gjykimi kritik.
Katrori = faqja e librit, kufiri fizik i shkrimit, hapësira e krijimit.
Veprimi i ngritjes së kokës = kalimi nga vetja te tjetri, nga monologu te dialogu kulturor.
Kuptimi i thellë = shkrimtari nuk është vetëm prodhues tekstesh, por edhe lexues, dëshmitar dhe interpretues i kohës së tij.
Te shkrimtari Zija Çela vihet re shpesh një semiotikë e kufirit. Personazhet, situatat dhe metaforat e tij ndodhen ndërmjet dy gjendjeve: reales dhe imagjinares, kujtesës dhe harresës, heshtjes dhe fjalës, vetmisë dhe komunikimit.
Idea e “kufirit që kapërcehet”, shenje origjinale Çelës.
Në rastin e ‘Koka mbi katror’, kufiri është mes shkrimit dhe jetës. Katrori simbolizon tekstin, ndërsa koka që ngrihet mbi të simbolizon njeriun që kërkon kuptim përtej tekstit.
Në leximin semiotik, “Koka mbi katror” paraqet figurën e intelektualit që kapërcen kufijtë e shenjës së shkruar për të hyrë në dialog me universin kulturor. Koka bëhet shenjë e vetëdijes interpretuese, ndërsa katrori shenjë e hapësirës së kufizuar të tekstit; marrëdhënia mes tyre prodhon kuptimin e lirisë krijuese dhe të komunikimit kulturor. Mendoj se kjo ide e “kufirit që kapërcehet” është një nga shenjat më origjinale dhe më të dallueshme në universin letrar të Zija Çelës.



