Shtylla e Padukshme e Fuqisë. Një meditim mbi bashkëshortësinë, besnikërinë dhe rrugëtimin e Edi e Linda Ramës.

0

Shkruan Matilda Kurti

Në fund të fundit, kur dritat e skenës publike fiken e ndizen si një sinjal paralajmërues alarmi, dhe zhurma e botës fillon e fashitet, gruaja në krahun e një burri që ka zgjedhur të kalojë jetën mbetet forca e vetme dhe e vërtetë e fuqisë së tij. Një burrë mund të jetë jashtëzakonisht i guximshëm, sportiv, krijues i dorës së parë, artist apo një lider që udhëheq masa e ndryshon fate kombesh. Ai mund të rrethohet nga të gjitha stolitë e pushtetit dhe lavdisë, i ngjashëm me oborret e lashta sulltanike ku joshja dhe haremi përkëdhelnin egon e pushtetarëve, por të gjitha këto janë kalimtare, të përkohshme si vesa e mëngjesit përpara diellit të së vërtetës.
Ajo që mbetet, ajo që sfidon kohën dhe stuhitë, është pika e tij e palëkundur e gravitetit. Është pikërisht ajo grua, që ndoshta në momentet e suksesit të tij më të madh ka ditur të jetë, e heshtura, apo e nënvlerësuara, kritikja më e ashpër, apo e përhulura, duke u lënduar apo vlerësuar, por ajo qëndron pranë, e drejtë, si shtyllë që e fikson rreth vetes, për t’i mbajtur këmbët në tokë, por që në çastet e shenjave, vetmisë apo braktisjes së madhe, bëhet mburoja bishtore e tij e fundit. Kur të gjithë të tjerët largohen, kur interesat ftohen dhe aleatët zbehen, është ajo që ia shtrëngon dorën fort dhe nuk e lëshon. Ajo është arkitektja e heshtur që ia ka zbuluar të gjitha dobësitë, që ia njeh çdo thyerje të shpirtit dhe çdo kufizim, por që ende e do. Ajo ecën në hapin e tij, as para e as prapa, por pranë tij, duke i pëshpëritur me zërin e qetë të besnikërisë: “Unë jam këtu, duke luftuar me ty dhe për ty.”
Kjo e vërtetë e madhe nuk lindi sot. Kështu ka ndodhur në lashtësi, kur perandorët gjenin paqen vetëm në strehën e bashkëshorteve të tyre të mençura; kështu ka ndodhur dje në betejat e mëdha të historisë njerëzore; dhe kështu do të vazhdojë përjetësisht. Pikërisht për këtë arsye, Zoti krijoi familjen. Krijoi lidhjen e shenjtë të monogamisë familjare, ligjësinë etike dhe seriozitetin e një bashkimi që shkon përtej thjesht një kontrate shoqërore. Monogamia nuk është kufizim, por përqendrim i energjisë shpirtërore, një pakt i pathyeshëm për të përballuar kaosin e jashtëm.
Në këtë kuadër, imazhi i kryeministrit Edi Rama me bashkëshorten e tij, Linda, mbart një simbolikë që shkon përtej politikës së ditës. Ai, artisti dhe lideri plot impulse, gjen te Linda jo thjesht një partnere, por arkitekten e qetësisë, forës dhe ekuilibrit për sigurinë e tij. Në çdo shtrëngim duarsh të tyre në publik apo në heshtjen e jetës së tyre private, lexohet pikërisht ky kod i lashtë: krah për krah nëpër stuhitë e egra të jetës publike shqiptare. Ajo portretizon gruan që nuk ligështohet nga sulmet dhe as nuk tundohet nga lavdia e përkohshme, por mbetet busulla morale e një njeriu që mban mbi supe pesha dhe stuhi të rënda.
Sepse në kohë të tilla, kur dallgët godasin anijen e jetës dhe bota jashtë duket armiqësore, nuk ka rëndësi sa i fortë je apo sa mure ke ndërtuar rreth vetes. Ajo që vlen vërtet është familja – gruaja dhe fëmijët – që të rrethojnë, të shikojnë në sy dhe të thonë pa hezituar: “Ne jemi me ty. Dhe të gjithë bashkë do të mundim botën.” Kjo është e vetmja forcë që nuk thyhet kurrë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu