Profesor Arben Llozi, muzikanti, pedagogu dhe drejtuesi akademik, personalitet i kulturës muzikore shqiptare.

0

Shkruan Qamil Gjyrezi

Profesor Arben Llozin e njoh prej vitesh dhe kemi bashkëpunuar në planin teorik, interpretativ dhe kulturor për zhvillimin e muzikës dhe muzikologjinë aplikative. Ai përfaqëson muzikantin, pedagogun dhe drejtuesin akademik. Arben Llozi është modeli i nxitësit të bashkëpunimeve akademike dhe i projekteve artistike dhe reformimit të edukimit muzikor në Shqipëri. Në konferencën e zhvilluar para disa muajsh në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Profesor Llozi krahas studjuesve të tjerë, vuri theksin për reformimin e edukimit muzikor për një vend kandidat në B.E. siç është Shqipëria. Konferenca më e rëndësishme shkencore mbarëkombëtare në këtë fushë, “Muzika shqiptare si krijimtari, interpretim, muzikologji dhe edukim artistik”, u organizua nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Fakultetin e Muzikës.
Konferenca e dytë ndërkombëtare mbi Artet dhe Edukimin u zhvillua këtë muaj në Universitetin e Arteve të Tiranës dhe erdhi si një vazhdim i rëndësishëm i edicionit të parë.

Në këtë konferencë mori pjesë edhe Fakulteti i muzikës me Dekan Arben Llozi. Një aktivitet tjetër i Fakultetit të muzikës për edukimin muzikor ishte edhe ‘Tryeza e rrumbullakët “Muzika – Mësuesit dhe nxënësit”’. Krahas një seri koncertesh të tjera, Orkestra Simfonike e Universitetit të Arteve, në bashkëpunim me Teatrin e Operas dhe Baletit dhe Orkestrën Simfonike të Forcave të Armatosura, shfaqi e operën “L’Elisir D’Amore” nën drejtimin e dirigjentit Petrika Afezolli. Një aktivitet tjetër ishte edhe Masterclassi në kuadër të Edicionit të 10-të i Festivalit të Kitarës në Shqipëri, në drejtimin e Doktor Denis Bizhga në ambientet e Liceut Artistik “Jordan Misja”, ku të ftuar ishin studentët e kitarës së Universitetit të arteve në Tiranë. Në muajin Maj 2026 u përkujtua 60-vjetori Universitetit të Arteve dhe takimi ‘Rrëfime që tingëllojnë’, synoi për të bashkuar dhe ndarë kujtime, përvoja dhe kujtimet artistike që kanë lindur dhe janë zhvilluar në UART. Përmes rrëfimeve personale por edhe pjesëve muzikore, të cilat u performuan nga studentët, u krijua një hapsirë frymëzuese dhe artistike.

Profesor Arben Llozi, personalitet i kulturës muzikore shqiptare, në një këndvështrim semiotik muzikor, kulturor.

Në planin semiotik, figura e Arben Llozit përfaqëson një ‘shenjë’ të ndërmjetësimit midis interpretimit artistik, pedagogjisë dhe drejtimit institucional. Viola, instrumenti me të cilin ai identifikohet prej dekadash, mbart simbolikën e zërit të ndërmjetëm: jo gjithmonë në qendër si violina, por thelbësor për ekuilibrin harmonik. Në këtë kuptim, vetë profili i tij artistik mund të lexohet si ‘shenjë e dialogut’, kohezionit dhe ndërthurjes së roleve të ndryshme në jetën muzikore. Si dirigjent, ai kalon nga interpretuesi individual në organizues të kuptimit kolektiv. Ai si dirigjues bëhet një simbol i koordinimit të energjive artistike, ndërsa ‘orkestrimi’ i zërave të ndryshëm shndërrohet në metaforë të menaxhimit kulturor dhe akademik. Në dimensionin kulturor, Arben Llozi paraqitet si përfaqësues i vazhdimësisë së shkollës shqiptare të muzikës. Veprimtaria e tij si profesor, drejtues departamenti, zëvendësrektor dhe sot dekan i Fakultetit të Muzikës dëshmon një kalim nga prodhimi i kulturës drejt administrimit dhe transmetimit të saj tek brezat e rinj.

Semiotikisht, ai mund të interpretohet si një “figurë urë” midis traditës dhe bashkëkohësisë: nga njëra anë interpretues i repertorit klasik dhe bashkëkohor, nga ana tjetër nxitës i bashkëpunimeve akademike, projekteve artistike dhe reformimit të edukimit muzikor. Kjo e shndërron figurën e tij në një ‘shenjë’ të institucionalizimit të kulturës muzikore shqiptare në hapësirën europiane. Arben Llozi mund të lexohet si simbol i tri kodeve të ndërthurura: artistit interpretues, pedagogut formues dhe udhëheqësit kulturor. Bashkimi i këtyre roleve krijon një figurë që nuk përfaqëson vetëm një individ, por një model të transmetimit dhe ruajtjes së kapitalit kulturor muzikor shqiptar në shekullin XXI-të, një figurë e kulturës muzikore shqiptare. Në aspektin kulturor, Arben Llozi është një nga figurat që bashkon tri role të rëndësishme: muzikantin, pedagogun dhe drejtuesin akademik. Si violist, ai përfaqëson përkushtimin ndaj interpretimit artistik; si dirigjent, aftësinë për të udhëhequr dhe bashkuar muzikantët; ndërsa si dekan i Fakultetit të Muzikës në Universiteti i Arteve, përgjegjësinë për formimin e brezave të rinj. Semiotikisht, figura e tij mund të shihet si simbol i urës ndërmjet traditës dhe së ardhmes.

Në skenë ai komunikon përmes tingujve, ndërsa në auditor përmes dijes dhe përvojës. Këto dy dimensione krijojnë një identitet të plotë artistik dhe akademik. Viola, instrumenti që ai interpreton, ka një rol të veçantë në orkestër: nuk është gjithmonë në plan të parë, por është thelbësore për harmoninë e tërësisë. Në një mënyrë simbolike, ky rol pasqyron edhe veprimtarinë e tij si drejtues, ku puna e përditshme nuk synon vëmendjen personale, por funksionimin dhe zhvillimin e institucionit. Nga pikëpamja kulturore, Arben Llozi përfaqëson modelin e artistit që nuk kufizohet vetëm në interpretim, por kontribuon edhe në edukimin, organizimin dhe zhvillimin e jetës muzikore shqiptare. Për këtë arsye, ai mund të konsiderohet një simbol i vazhdimësisë së shkollës akademike të muzikës në Shqipëri.

Semiotikisht, Arben Llozi përfaqëson shenjën e harmonisë, udhëheqjes dhe transmetimit të dijes; ndërsa kulturarisht, ai mishëron lidhjen ndërmjet artistit krijues dhe institucionit që formon brezat e rinj të muzikantëve. Arben Llozi është gjithashtu redaktori i librit ‘100 këngë popullore tiranase nga Muharrem Gurra’ dhe ka bërë një punë të shkëlqyer në sigurimin e cilësisë dhe koherencës së përmbajtjes, duke e bërë librin të lehtë për përdorim dhe të përshtatshëm për audienca të ndryshme. Ai është gjithashtu pjesë e shumë jurive kombëtare dhe ndërkombëtare, duke dhënë kontributin e tij për zhvillimin e muzikës. Duke i uruar Profesor Arben Llozit suksese në drejtimin e Fakultetit të muzikës të UART, po citoj një thënie të: Dekanit Karl Paulnack ish Drejtor në Konservatorin e Bostonit, “Nëse nuk e merr seriozisht muzikën, po injoron të vërtetat themelore të ekzistencës njerëzore.”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu