Opozita lufton më shumë me vetveten sesa me kundërshtarin

0

Shkruan Zef Ndreka

Pas rreth 40 ditësh protestash dhe zhvillimesh të pandërprera politike, po bëhet gjithnjë e më e qartë se beteja më e madhe nuk po zhvillohet mes opozitës dhe mazhorancës, por brenda vetë opozitës. Aty po zhvillohet gara e vërtetë, pra e thënë troç, një garë për protagonizëm, për ndikim dhe në fund të fundit, për pushtet.
Në vend që energjia e protestës të kanalizohet në një alternativë të besueshme politike, ajo po shpërndahet në konflikte të brendshme, rivalitete personale dhe përplasje klanesh. Kjo ka bërë që mesazhi politik i protestës të humbasë qartësinë, ndërsa qytetarët të shohin gjithnjë e më pak shpresë dhe gjithnjë e më shumë ambicie personale.
Riciklimi i figurave të konsumuara që shfaqën ekraneve, promovimi i individëve pa mbështetje reale qytetare dhe shfaqja e vazhdueshme e “liderëve” të rinj kanë krijuar një mozaik të çorganizuar, ku secili pretendon të flasë në emër të popullit. Në këtë kakofoni politike, zëri i qytetarëve rrezikon të humbasë.
Po aq problematike janë edhe pretendimet për ndikime të ndryshme të jashtme apo për përfshirjen e grupeve me interesa që nuk lidhen domosdoshmërisht me interesin publik shqiptar. Kur një lëvizje politike humbet pavarësinë dhe bëhet arenë ndikimesh të ndryshme, ajo dobësohet dhe humbet besueshmërinë. Këto janë çështje që kërkojnë trajtim me kujdes dhe mbështetje në fakte.
Pamjet që përsëriten çdo ditë me njerëz që garojnë për mikrofonin, deklarata ultimative, vetëshpallje si përfaqësues të popullit dhe përpjekje të vazhdueshme për protagonizëm, nuk krijojnë imazhin e një force politike të gatshme për të qeverisur. Përkundrazi, ato ushqejnë bindjen se brenda opozitës po zhvillohet një betejë për poste shumë më tepër sesa një betejë për ndryshim.
Paradoksi është se kundërshtari më i fortë i opozitës nuk duket se është Partia Socialiste, por paaftësia e saj për të kapërcyer ndarjet e brendshme. Asnjë forcë politike nuk mund të kërkojë besimin e qytetarëve për të drejtuar vendin, nëse nuk arrin më parë të ndërtojë demokraci, meritokraci dhe unitet brenda vetes.
Shqipëria ka nevojë për një opozitë moderne, me vizion dhe me njerëz që nuk mbartin barrën e konflikteve të pafundme të së shkuarës. Hapja e rrugës për brezin e ri nuk është vetëm çështje moshe, por kulturë politike, integriteti dhe përgjegjësie publike. Pa këtë ndryshim, çdo përpjekje për rotacion rrezikon të mbetet thjesht një zëvendësim emrash, jo një ndryshim modeli.
Historia politike shqiptare ka treguar se lëvizjet e paorganizuara, të manipuluara ose të dominuara nga ambiciet personale kanë përfunduar në dështim. Ndryshimi nuk ndërtohet mbi zhurmën, por mbi besimin, nuk fitohet me ultimatume, por me ide, nuk arrihet me luftë për karrige, por me shërbim ndaj qytetarëve.
Dhe kur opozita nuk arrin të reflektojë mbi këto probleme, rrezikon të përsërisë të njëjtat gabime që e kanë mbajtur larg pushtetit. Dhe në fund, humbësit më të mëdhenj nuk do të jenë partitë politike, por qytetarët shqiptarë, të cilët vazhdojnë të presin një alternativë serioze, të besueshme dhe të denjë për besimin e tyre.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu