Situata është tensionuar në rrugën “Mine Peza”, pranë Komisariatit Nr. 3 në Tiranë, ku mijëra protestues janë mbledhur për të kërkuar lirimin e qytetarëve të arrestuar pas protestës së zhvilluar para Parlamentit.
Gjatë grumbullimit janë regjistruar përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Disa persona kanë thyer xhamat e godinës së Komisariatit Nr. 3, ndërsa efektivët kanë reaguar duke përdorur makinën e ujit me synimin për të shpërndarë turmën dhe për të larguar protestuesit nga hyrja e komisariatit.
Tensionet kanë ardhur pasi protesta kombëtare e ditës së 35-të nuk përfundoi me mbylljen e tubimit para Kryeministrisë. Menjëherë pas fjalimeve, mijëra qytetarë nisën një marshim drejt Komisariatit Nr. 3, ku mbahen protestuesit e arrestuar pas përplasjeve me policinë gjatë protestës së zhvilluar para Kuvendit.
Marshimi u shndërrua në një demonstrim të madh, me turmën që mbushi rrugët e kryeqytetit deri në zonën e “Mine Pezës”. Para komisariatit u dëgjuan vazhdimisht thirrje si “Lironi çunat”, “Rama jepe dorëheqjen”, “Revolucion”, “Rama në burg” dhe “Shqipëri e re”, ndërsa kërkesa kryesore mbetet lirimi i menjëhershëm i të arrestuarve.
Përplasjet u përshkallëzuan kur një grup protestuesish goditi godinën e komisariatit, duke thyer disa xhama, çka solli ndërhyrjen e menjëhershme të policisë me automjetin e ujit për të zmbrapsur turmën dhe për të krijuar një perimetër sigurie rreth institucionit.
Ndërkohë, në zonë janë shtuar forcat e rendit dhe situata mbetet dinamike. Protestuesit deklarojnë se nuk do të largohen pa u liruar të arrestuarit, ndërsa autoritetet vijojnë të mbajnë të rrethuar godinën e Komisariatit Nr. 3.



