Topin në fushë e ka Rusia…

0

“Topin në fushë e ka Rusia.”.

Është kjo deklaratë e Sekretarit Amerikan të Shtetit amerikan Marco Rubio, pas negociatave për Ukrainën në Arabinë Saudite.

Dita e gjatë e bisedimeve SHBA-Ukrainë në Jeddah të Arabisë Saudite, përmban një sërë pikash kyçe, ku veçojmë më të rëndësishmen: “Shtetet e Bashkuara do komunikojnë me Rusinë dhe një sinjal pozitiv nga kjo e fundit, është çelësi për paqen.” Kemi dëgjuar shumëçka në javët e fundit, sidomos për atë që Presidenti amerikan Donald Trump pret nga Ukraina dhe “instrumentet” që po përdor për ta bërë atë “t’i nënshtrohet”.

Por, që nga dje ka një ndryshim në gjithë këtë situatë.

Zyrtarisht, është momenti që qëllimet e Rusisë të vihen në provë. Marrëdhëniet e Trump me homologun e tij rus Vladimir Putin, deri më tani kanë qenë me shumë pasiguri, por nga ana tjetër pa shenja të dukshme presioni. Nga deklaratat e djeshme, kuptuam se Trump ka ndryshuar disi qasje ndaj udhëheqësit ukrainas Volodymyr Zelensky, edhe pse raporti i tyre ka qenë ndër vite i koklavitur dhe me mosbesim të ndërsjellë.

Rikthimi i ndihmës për Ukrainën dhe një armëpushim 30-ditor janë elementë që padiskutim bëjnë që Rusia të ndjejë presion. Amerikanët, bazuar në çfarë kanë thënë publikisht, synojnë një fund të përhershëm të luftës në Ukrainë, ndërsa kjo e fundit kërkon garancinë për këtë gjë. Përpos negociatave, SHBA e ka vënë kushtin e saj që lidhet me marrëveshjen për mineralet e rralla. E nëse ajo gjë ndodh, gjasat janë që Kievi të marrë garancinë ushtarake që ka kërkuar.

Në këtë ‘proces për paqen’ janë edhe aktorët e tjerë europianë, po sa të përfshirë dhe sa fuqi vendimmarrëse kanë ata në raport me Trump?

As këtë ende nuk mund ta themi! E vetmja gjë që të paktën Zelensky duhet të dijë është se ka të bëjë me një President (Donald Trump) me kapriço dhe të paqëndrueshëm.

Se sa kohë “do qëndrojë topi në fushën e Rusisë”, edhe kjo mbetet për t’u parë…

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu