Ermira Adem Neza Hamzeha, ideatore dhe vizionare për punë të mëdha

0

Shkruan Shejh Hasan Muzli Selimi

“Çou moj çikë e del tek ara” Kështu këndonte në letër poeti i madh Shipshjan Selim Rrustem Aliaj. Unë mendova ta nisi me varg të përpunuar “Çou moj çikë e dil tek fjala”. Mendoj se është shumë e përshtatur për veprimtaren e kohës së re për çikën e Shipshanit Ermira Adem Qerim Nezaj (Kurtbalaj).

Thonë se: çdo gjëje ia dimë çmimin, por vlerën nuk ia dimë askujt. Kjo sjell në vëmendje rivalitetin dhe konkurencën që lind vetvetiu, kur dikush mendon se duhet të ecë në start pa marr parasysh pengesat. Një individ grua, apo burrë të jetë në fillesat e karrierës nuk i njeh të gjitha meskinitetet, siç i themi me gjuhën rurale shkop nën rrota. Kështu ka edhe nga ata që e njohin, sepse kanë parë shumë filma, kanë lexuar shumë libra, kanë shëtit e kanë dëgjuar e duke e menduar mirë thonë: nuk ka ardhë koha ime, por ka nga ata njerëz që lindin para kohe. Në këtë mënyrë janë pa kohë dhe mendimi iu sjell kontradita me kohën dhe veprimet e tyre nuk janë efiçente.
E fillova me mendimin e mirë dhe të kuptueshëm këtë shkrim me vargun e përpunuar “çou moj çikë e del tek fjala”. Është Ermira e Malësisë e pikërisht e Kurtbalaje që u ngrit mbi një rradhë kohe dhe udhëhoqi me ide e me vizion. Nuk ishte rastësi Ermira, ajo është vajza e Adem Qerim Nezaj i cili ishte një burrë simpatik, kujdesej për vete dhe për të tjerët. Serioziteti e dinjiteti ishin karakteristikat e tij. Adem Qerim Nezaj filloi karrieren me rininë, sekretar rinie, studioi për Agronomi, profesion të cilin e dashuroi. Ai mbajti funksione të ndryshme si: Kryetar kooperative, Kryetar këshilli, Sekretar këshilli, topograf, agronom, dhe kryeplak. U shqua për përkushtim e ndershmëri. Babai i Ermira Adem Qerim Nezaj (Kurtbalaj) njihej si njeri me dituri, i punës dhe me disiplinë. Mendimin e tij e merrnin si pjesën më të vyer, ishte orator, fjalën e peshonte mirë, kishte marrëdhënie atërore me rininë, argumentonte me fakte, përultësinë e kishte biblike. Klasifikohej si lider pa kërkesa, pa privilegje. Integriteti i tij mbahej me fjalën e dhënë dhe veprimin në mbajtje të fjalës. Ishte me kultur të përgjithëshme, si nga kuvendet në oda, si shkolla të edukimit, ashtu edhe një kërkues në studimin e vlerave që koha ia kërkonte. Ai e njihte dhe e kërkonte të vertetën si armën e të gjitha të mirave. Ademi njihte historinë e fshatit Shipshan e më gjërë.
Ermira kishte fat të dyanshëm. Ajo është bij e Lirie Ibrahim Nezaj Vidrica. Fshati Bujan është një trevë që ka nxjerrë njerëz me vlera. Ajo, Liria pra nëna e subjektit tim sot në shkrim ka lindur nga Ibrahim Qerimi, ushtarak karriere dhe e Hatixhe Iljasit nga Boshanji i Kolonjës. Këto familje atdhetare e me pjekuri intelektuale. Në moshë të re, u zgjodh sekretare e rinisë dhe u përfshi menjëherë në aktivitetet kulturore e sociale në Bujan. Ishte artiste e lindur. E donte skenën, këngën, poezinë dhe vallen e Tropojës, të cilën e interpretonte me pasion e krenari. Mbaroi Shkollën profesionale në Shkodër, ku u dallua për korrektësi e pasion në profesion. Më pas punoi për disa vite në kulinari në Fierzë, kur ndërtohej Hidrocentrali i Fierzës. Ajo u bë e pavdekshme në kujtesën e Tropojës. Ishte veprimtaria e saj si aktiviste për të drejtat e grave dhe vajzave. Që nga rinia, Lirie Nezaj nuk u mjaftua vetëm me artin dhe punën, por iu përkushtua thellësisht shoqërisë dhe barazisë gjinore. Ishte e bindur se emancipimi i shoqërisë fillon nga edukimi dhe fuqizimi i gruas. Në vitin 2000, ajo themeloi Shoqatën e parë të grave në Tropojë, me emrin: “Ligji, Biznesi dhe Gruaja Rurale në të Ardhmen”, me seli në Buçaj. Në këtë shoqatë u aktivizua edhe Ermira jonë. Kjo ishte pikë fillesa dhe trashgimia më e vyer e Ermirës. Me këtë institucion Liria dhe e bija Ermira u bënë të njohura dhe filluan të derdhen frutet ku projekti i parë ishte kursi për kompjuter. Me këtë kurs shumë vajza e gra të malësisë u aktivizuan në administrimin e qeverisjes deri në istancat e larta. Realizoj kurse profesionale për parukeri dhe rrobaqepësi, që u dhanë shumë vajzave një profesion të qëndrueshëm. Dikur thuhet: e kam të vështirë të mbaj mend mendimet e mia pa arsyetuar qëndrimet për këto mendime. E mu deshtë të shënoj pak histori trashgimie për Ermirën që të arsyetoj se kjo nuk është nga hiçi, por ka një normë trashgimie. Ajo brenda besimit saj që është familja, prindja, besimi në veten dhe në Zot ka marr edhe historinë e trashëguar që ka ec me ritmin e kohës në aplikimin e veprës saj që sot është model.
Popullariteti e kthen individin në një person publik, aty gjenë hapësirë e me një çelës hap shumë dyer. Ndodh se kjo është edhe rreth argjendi. Kjo rrugë është një e vërtetë e shpesh dikujt nuk i pëlqen. Kjo veprimtari , ky popullaritet në shumë raste jetën private e kthen në një gjë të vogël. E kështu familja mbetet si dorë e dytë. Përkushtimi ndaj saj është aksioni më i madh i jetës. Kështu ndodhi me Ermirën edhe me trashgimin, Idhullin e saj Adem Qerimin. Ermira mban në mendje porositë e të atit. “Mos e mundo tjetrin me mendet e tua”
Ermira Nezaj e Kurtbalaj punoi mësuese, ekonomiste, menaxhere projektesh, aktiviste, autore, publiciste. Dhe kur vjen qershia mbi tortë ajo është themeluese “Festa e madhe e Shipshanit” dhe i Shoqatës Shipshani i Malësisë së Mirë, ose Malësisë së Gjakovës. E pikërisht me 19 nentor 2021 themeloi Shoqatën “Shipshani i Malësisë së Gjakovës”. Po në këtë vit e pikërisht me datën 08 gusht 2021 themeloi festën që tani ka mbetur traditë e ndoshta u krijuan rrethanat që kjo festë të vendoset përgjithmonë të shtunën e parë të muajt Gusht të çdo viti. Nuk është forca, por aftësia e një ndijimi të pashkëputur që i bën njerëzit superior. Një individ ka fuqi sa një individ, një individ ka energji mendimi dhe veprimi sa kapërcen çdo maje. Arsyeja e ndijimit sjell përceptimin dhe kap situatën. Të kapesh pas hallkës kryesore dhe të organizosh ndijimin për një vendimmarrje në kohë e hapësirë gjithmonë do jesh fitues. Thonë shpesh se nuk ka rastësi. Edhe unë kështu mendoj. E mendoj dhe e kam shpreh se nuk ka rastësi. Gjithçka është e përcaktuar në projektin e zanafillës. E kështu fituesit nuk i besojnë rastësisë. As Ermira nuk i beson rastësisë, ajo i beson forcës, energjisë, realitetit, familjes, trashgimisë e më shumë beson në kohën që e administron mjaft bukur. Pse thonë suksesi është gënjeshtari më i madh. Unë mendoj se suksesi nuk duhet të na deh, ai suksesi pra duhet të na obligoj për suksese të reja dhe shumë më të zhdërvjellta, shumë më të studiuera, shumë më bindëse për ata që na ndjekin dhe pëlqejnë suksesin tonë. Jeta përbëhet me çaste të rralla, me intensitet të madh e intervale të panumërta. Por, pjesa më e madhe e njerëzve, duke mos njohur çastet magjike, jeton vetëm intervalet. Intervalet janë pjesa më impirike e kohës dhe ato vijnë me shkëputje gjatë valëve që asgjë nuk kuptohet, asgjë nuk është e sistemuar, por tundet dhe rrezikohet të ngatërrosh linjën, ashtu si një varkë në detin e trazuar.
E nderuar Ermira të mos flasësh aspak për veten është hipokrizi e sofistikuar. Unë kështu e mendoj. Njeriu duhet të publikoj veprën e tij, sepse ajo vepra nuk pret njeri tjetër më të saktë se sa vetveten. Ne nuk jemi dorëlëshuar as nuk duhet të kapërcejmë ylberin, por të flasim e të veprojmë me maturin që na karakterizon në aspektin e pasqyrimit të veprës që bëjmë. Modestia e tepruar është inferioritet e kështu duhet të jemi të kujdesshëm. Nuk e kam këtu fjalën të bëjmë lëmosh as për veten tonë, ose të zmadhojmë me llafe atë që kemi arritur, as të jemi human deri në lëmosh për këdo që na rethon, por ti matim ndjenjat cilitdo që i shpreh ato. Unë nuk jam për mëshiren e skajshme, sepse thonë; nëse të gjitha lëmoshat do të jepeshin vetëm për mëshirë, të gjithë lypësit do të vdisnin prej urie.
Çdo mendje e ndritur e kohërave ka lënë trashëgiminë personale. Për disa janë veprat, për disa të tjerë aseti më i madh janë thëniet në letër. Shumë prej tyre janë sfiduese, frymëzuese dhe interesante, optimiste, por vetëm të vërtetat, ato që i rezistojnë brezave janë më të vlefshmet. Një nga këta njerëz që unë po shenoj radhët e mia është Ermira. Kjo çikë që me shumë vullnet e besim ka sfiduar gjithçka, por është privuar nga gjithçka për të arrit të jetë personi që mua më sfidoj të shenoj këtë mikro-monografi të saj. Ajo Ermira, pra sfidoi edhe Ehsanin nga Teherani djalin e Arman Hamzeh dhe Zohreh Davodi. Ehsani është Trajner zhytjesh. Trajner i arteve marciale, Xhudo, Mjek emergjence i grupeve të shpëtimit, Instruktor i emergjencave civile, Instrumentist, organo dhe kitare. I ati i Ehsanit ka qënë Trajner zhytje dhe ushtarak i arsimuar në Londër. E ëma ka punuar në zyrën shtetërore të punësimeve si specialiste e burimeve njerëzore deri në pension. Të dy bashkë punojnë dhe jetojnë në paqe, sepse dinë çka punojnë dhe pse punojnë.
Jeta duhet bërë për të lënë një vepër. Kjo vepër nuk duhet të jetë testament i cilësuar. Jeta duhet të jetë hiti i veprimeve. Jeta nuk ka impakte të ardhurash. Ajo duhet të jetë hit. Hit me veprime, me publicitetin si person publik, jo për begatinë personale as krejt idealiste, por emri ruhet me vigjilencën dhe vetkontrollin për kundër veseve. Personi që do të bëhesh, është personi që vendos ti vetë të bëhesh. Shko me besim drejt ëndrrave tua. Jeto jetën që kishe imagjinuar. Kërko njohjen tënde me vetkontroll e disiplinë morale. Hiq nga mendja smirën, egon dhe fallcitetin hipkrit, mjeshtro me çiltërsi e do jesh ai që e ke kërkuar. Fakti se Ermira punon në promovimin e vlerave të fisit Shipshan tregon patriotizmin e saj, lokalizmin e saj, nacionalizmin e saj si Shqiptare e devotshme.
Mendja njeri mendon, koncepton dhe mund të besojë, që do e arrijë. Në gjithë këtë aktivitet shoqëror dhe me shoqëri jo fitimprurëse Ermira Adem Neza (Kurtbalaj) ka edhe një penë që arrit në zemren dhe shpirtin e popullit. Këngët që thurin Shipshianët dhe këndohen prej tyre janë melodia e parajsës. Ato sjellin melankolin e fildisht të eposit dhe këngëve të gryta që iu thotë populli prej kohësh. Letërsia është art i imagjinatës, i përcjellë gojë më gojë në të shkuarën dhe i shkruar në kohët më të reja. Çka është melankoli në tërësi? Melankolia është muza e heshtur e shpirtit; kjo ka të bëjë me përjetësinë, ajo nuk është thjeshtë trishtim, ajo është arti i ndjesisë ku dhimbja shndërrohet në jetë, në lindje. A ka gjë më të bukur se lindjen, se lindjen e gjithçkaje? Shikoni në mëngjes lindjen e diellit sa melankolik është. Ai vjen krenar, pushton errësiren dhe drejt e në prehërin e syve tonë. Poezia melankolike lulëzon në vetminë e njeriut, lulëzon aty ku njeriu bashkohet me Hyjn, duke nxjerrë në pah ndienjat më të thella që fshihen në zemër. Çdo ndryshim, edhe ai më i dëshiruari, ka melankolinë e vet, sepse ajo që lëmë pas është një pjesë e vetes sonë; duhet të vdesim për një jetë që të hyjmë në një tjetër. Është e garantuar se shprehja që vjen nga nënmendimi e që fle e zgjohet në kohë të ndryshme është hyjni, është fjala e Zotit. E thënë ndryshe Ermira vjen në letërsi si ndryshim, vjen si progres, vjen si trashgimi. E kush në Shipshan nuk di të shkruaj e të flas me sinqeritet, me dashuri, me dhimbje, me shpirt. Poezia “MALLI IM” i poetes Ermira Neza kapërcen pritshmërinë, kapërcen tabutë, sjell risi në aspektin e hartimit të idesë, të vizionares së pa epur dhe kërkuse ndaj vetes. Ajo thotë: “A mund të dehem vetëm me një gllënkë? Vera më dukej aq e lehtë, dhe vendosa të pi pa pishman. Kjo verë e lehtë ma zgjoi etjen e vjetër, ta shuaj me një shishe të tërë”. Çka është kjo simbolik kaq e ëmbël, kaq e trishtë, kaq e ngrohtë, kaq e larmishme. A mund të jem pjesë e jotja, të jem marrëdhënia jote si dikur, të jem kënga jote, të bëj si dikur adolishentin e kohëve pakthim. Gati gjithkund e kudo njeriu i dorëzohet pijes nganjëherë për të provuar ndienjën, nganjëherë për të shfryrë kohën, nga njëherë për të rrëfyer jetën. E kujt do ti rrëfehesh? Unë i rrëfehem vetmisë, një tjetër i rrëfehet dashurisë, dikush i rrëfehet dhimbje, dikush shpirtin e hedh në udhëkryq dhe e braktis. Në gllënjkën e parë vera i duket e lehtë, sepse edhe vet poetja është njeri i çiltër, është rrugëtimi i jetës pa vese. Një shishe është pak. A na mjafton një shishe, a mund të dehem me një shishe sa të harrojmë çka u rrëfyem? Jo nuk ka dehje patologjike përveç në dashuri. Të pi pa pushim tregon poetja me një estetik të vendosur në analet prore të së bukurës. Figurat i braktis, merret me simbolikën dashuri. Simbolika i mjafton asaj të realizoj ndjesinë ta kapërcej në përceptim ndjesor. Etja nuk shuhet me një shishe, etja shuhet me një shishe. Po, po kështu është. Njeriu poet të deh pa verë, të llahtaris pa udhë, të zë pa vrap. “A mund të dehem duke pirë, këtë verë muze në barin tënd? E ruajtur me shekuj për këtë ditë, një ëndërr e hershme më mbërthen, një joshje e dehur nuk më le të ik “. Poetja dyshon dhe e shpreh dyshimin “ A mund të dehem duke pirë”. Ajo më këtë sjell në mendje tek lexuesi se nuk është vera që të deh, është jeta në të cilën kalon, janë, etapat, janë kohët kombet, fjalët, leksiku i cilitdo, është alfabeti, është ngjashmëria, kujtimi, jeta në tërësi, është njeriu që të ledhaton, është dashuria që të mek, është atdheu që e dashurojmë deri në dehje, është puna që e miklojmë, është mekja e kohëve të kujtimta. Kaq e vjetër është vera që ne po pimë sa është mbajt relike në muzet e kohëve e në vende të ndryshme. Gjithkush e shumë kush e cilëson si krijimin e tij, si kohë e tij, si jetë e kujtim i tij, si sakrificë, si dashuri dhe dhimbjen e tij. Nuk e lejon të ik brendia, ndjesia, ndërgjegjia e gjënë në gjumin letargjik. Herëshmëria e josh, duket se është kthyer në mit, në legjendë, në histori, në traditë, e trashëgimi e tash po vjen e hollë si tymi i një pureje ndezur në hijen e manit të lashtë. E ky man di gjithçka, në lëvozhgën e tij ai zbërthen kodet e simbolikës së këtij vargu. Melankolia s’është tjetër veçse një kujtim i pavetdijshëm. Ne e quajmë në këtë rast se mendjen tonë e komandon dikush mbi ne. Trishtimi dhe melankolia janë derivate që japin e marrin nga njëra tjetra. Ideja e një Zoti, e një qënie që di gjithçka, që ka pushtet mbi gjithçka, e që për më tepër na do, është një nga krijimet më të guximshme të letërsisë. Letërsia është garancia më e mirë për të shpresuar në ndonjë lloj progresi të shoqërisë sonë.
“Dhe kështu piva mallin tim, me shekuj të ruajtur si kujtim. Mendoj se kisha shumë etje, ndaj e piva me rrëmbim, Pikën e fundit e mora nga ti, në buzët e tua mora shpirt. E dashurova atë shishe muze, të ruajtur me shekuj për atë ditë”. Tek Ermira Neza Hamzeha spikat një çiltërsi e gëzueshme dhe shpreh e deklaron. ”Dhe kështu piva mallin tim”. Nuk harron të përcaktoj edhe kujtimin, të tregoj së është ruajtur enkas për poetën, është ruajtur për cilindo që rrok e skajshmërisht pretendon që dashuria është pjesë e dhimbjes, është huaja që merr njëriu nga të dyja gjatë jetës e në kërkim të së bukurës. E thau shishen më gllënjka, deri sa pikën e fundit e mori në buzë të jetës, në vargun e shpresës, aty mori shpirt dhe u gdhi me trofeun që ne e quajmë dashuri.
Melankolizimi i këtyre vargjeve lidh e zgjidh kohën. Këtu ne kemi përsëritjen e vargjeve në një refren që muzika që e shoqëron këtë këngë ka dehjen pa verë, ka dehje pa fjalë, ka dehje pa kujtime, sepse kujtimet aty shkrihen. “Dhe kështu piva mallin tim, me shekuj të ruajtur si kujtim. Mendoj se kisha shumë etje, aq shumë… sa e piva me rrëmbim”. Kështu e justifikon simbolikën melankolike poetja e formuar në kudhren e kujtimeve sa të trishta edhe të lumtura. Ajo me pasion e këmbëngulje me një sinqeritet të admirueshëm sillet si zonjë e madhe pa harruar se në Shipshan e për Shipshanin po punon. Tani ajo ka risjell në zemrën e Shipshanit harmoninë, deshirën për tu takuar kudo që jemi, të sjellim tek njëri-tjetri atë që dikur ishte traditë, vizita, njohja e të mirës dhe të ligës për njëri-tjetrin. Kjo është Ermira, bija jonë e dlirë. Ermira kujto porosinë e babës- “Mos merr premtime të pashkruara, apo pa firmë.” “Nëse do të jetosh mirë e gjatë — jeto afër natyrës.”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu