Shkruan Thoma Gëllçi
Njeriu i divanit nuk është kundër protestës. Përkundrazi. Ai është shumë për protestën. Por, sipas tij, protesta duhet bërë siç duhet. Me program, me ide, me strategji, me estetikë, me orar, me disiplinë, me fjalime të shkurtra, me pankarta të bukura, me njerëz të zgjedhur, me zë të rregullt, me kamera në këndin e duhur dhe, mbi të gjitha, pa e shqetësuar atë në divan.
Ai është vëzhgues serioz. Ka televizorin përpara, telefonin në dorë dhe Facebook-un hapur. Nga aty e analizon gjendjen e vendit. Të tjerët dalin në shesh; ai del në komente. Secili lufton me armët e veta. Disa me këmbë në rrugë, disa me zë në shesh, ai me gisht mbi ekran.
Sapo fillon protesta, detyra e tij bëhet e qartë: numëron njerëzit.
Jo hallet. Jo arsyet. Jo pronat. Jo pensionet. Jo spitalet. Jo bujqësinë. Jo çmimet. Jo tenderat. Jo ilaçet. Jo apartamentet që nuk blihen dot. Jo fëmijët që ikin. Jo të moshuarit që mbeten vetëm. Këto janë tema të gjata, të rënda, të bezdisshme. Kërkojnë mendim, përgjegjësi dhe, në rastin më të rrezikshëm, mund ta detyrojnë njeriun të ngrihet nga divani.
Ai merret me numrin. Nëse sheshi është plot, thotë: “I kanë sjellë me autobusë.” Nëse sheshi është gjysmë bosh, thotë: “Dështim total!” Nëse protestuesit heshtin, thotë: “Nuk kanë energji.” Nëse bërtasin, thotë: “Janë të papërgjegjshëm.” Nëse janë paqësorë, thotë: “Kështu nuk rrëzohet qeveria.” Nëse situata tensionohet, thotë: “Ja pra, këta duan dhunë.”
Pra, njeriu i divanit është njeri parimor. Është kundër protestës së qetë, sepse nuk prodhon gjë. Është kundër protestës së fortë, sepse prodhon shumë. Është kundër fjalimeve, sepse janë të gjata. Është kundër mungesës së fjalimeve, sepse nuk ka ide. Është kundër liderëve, sepse duan pushtet. Është kundër mungesës së liderëve, sepse turma nuk di ku shkon. Është kundër pankartave, sepse janë primitive. Është kundër mungesës së pankartave, sepse nuk kanë mesazh.
Një mbrëmje, për shembull, ai e pa protestën nga televizori. Jashtë ishte vapë përvëluese. Njerëzit rrinin në shesh, të djersitur, të lodhur, por vazhdonin të thërrisnin në kor: “Rama, jepe dorëheqjen!”
Njeriu i divanit, me freskoren përballë dhe telefonin në dorë, i pa me një lloj keqardhjeje të përzier me përbuzje dhe tha: “Po ku dinë këta të bëjnë protestë? Shiko si rrinë në diell. Kjo nuk është protestë!”
Pastaj hapi Facebook-un dhe shkroi: “Shumë pak sot. U pakësuan. Dështim total!”
E postoi me kënaqësi të brendshme. Sepse nuk ka kënaqësi më të madhe për njeriun e divanit sesa të shohë njerëzit në rrugë duke u pakësuar. I ngroh shpirtin. I duket sikur ka fituar.
Pastaj iu kujtua prona. Ka vite që familja e tij endet zyrave, dikur me dosje kartoni, sot me aplikime online. Dikur i thoshin: “Eja javën tjetër.” Tani i thonë: “Sistemi nuk punon.” Dikur humbte në korridoret e Kadastrës. Tani humbet në portal. Përparim, sigurisht. Kaosi është digjitalizuar.
Prona e gjyshit del diku mbi pronën e një tjetri. Një pjesë rezulton tokë bujqësore, një pjesë truall, një pjesë e zënë, një pjesë e legalizuar, një pjesë në gjyq, një pjesë në hartë, një pjesë vetëm në kujtesën e plakave të fisit. Ligji 7501, ish-pronarët, legalizimet, mbivendosjet, certifikatat, titujt e pronësisë, hartat që nuk përputhen me tokën dhe toka që nuk përputhet me shtetin.
Por kur protestuesit flasin për pronat, njeriu i divanit mërzitet. “Nuk është temë për protestë kjo,” thotë. “Kjo do që të njohësh ndonjë njeri dhe të paguash ndonjë lek.”
Pastaj në televizor del lajmi për turizmin. Shqipëria po lulëzon. Hotelet plot. Bregdeti plot. Aeroportet plot. Restorantet plot. Çdo gjë plot, përveç xhepave të njerëzve dhe fshatrave që kanë mbetur bosh. Njeriu i divanit ndihet krenar. Turizmi është sukses kombëtar, sidomos kur e sheh nga ekrani dhe nuk ke para të shkosh as tri ditë në det. Pastaj dëgjon se bizneset po marrin punëtorë nga Bangladeshi, India, Filipinet, sepse të rinjtë shqiptarë kanë ikur. Ata që dikur shërbenin në hotele, tani shërbejnë në Itali, Gjermani, Angli. Ata që duhet të ndërtonin vendin, ndërtojnë shtëpi për të tjerët nëpër Europë. Shqipëria reklamon bumin e turizmit dhe importon krahë pune për ta mbajtur në këmbë.
Por njeriu i divanit nuk shqetësohet shumë. “Punë ka,” thotë ai. “Po rinia nuk do të punojë.”
Pastaj kujtohet se djali i komshiut iku në Gjermani jo se nuk donte të punonte, por se këtu rroga i mbaronte para datës dhjetë. Por këtë mendim e largon shpejt. Është mendim i rrezikshëm. Të çon drejt arsyetimit. Arsyetimi të çon drejt përgjegjësisë. Përgjegjësia të çon drejt protestës. Dhe protesta, siç dihet, bëhet keq.
Ndërkohë, në Tiranë dhe në bregdet, apartamentet shiten me çmime që njeriu i divanit i lexon me kujdes, sepse i pëlqen letërsia fantastike. Dy mijë euro metri katror. Tre mijë. Katër mijë. Diku edhe më shumë. Çmime si në Europë, rroga si në periferi të dëshpërimit.
Një çift i ri me rrogë mesatare mund të blejë banesë vetëm në tri mënyra: të ketë prindër emigrantë, të futet në borxh për gjithë jetën, ose të presë që t’i bjerë lotaria.
Njeriu i divanit e di këtë. E di se çmimet nuk rriten vetëm nga dashuria për tullën. E di se paratë e pista kanë gjetur banesë më parë se njerëzit e ndershëm. E di se krimi ndërton, ekonomia hesht, shteti mat katet dhe qytetari mat pamundësinë.
Por kur protestuesit flasin për pastrimin e parave, ai rrudh buzët: “Këto janë akuza të përgjithshme. Duhet të ketë prova.”
Për vete, provë i mjafton vetëm një pamje me kënd bosh nga protesta për të shpallur dështimin total. Për kullat, tenderat, pastrimin e parave dhe çmimet që sfidojnë logjikën, kërkon dokumentacion të plotë, me vulë, firmë, noter.
Pastaj vjen tema e tenderave. Rrugë që kushtojnë sa autostrada europiane, shërbime që paguhen si luks, PPP që rrjepin buxhetin, inceneratorë që u bënë histori më vete. Një grusht kompanish fitojnë gjithçka. Të njëjtët emra, të njëjtat lidhje, të njëjtat buzëqeshje në inaugurime, të njëjtat fatura për taksapaguesin.
Njeriu i divanit nuk është dakord me abuzimet. Jo, jo. Ai është shumë kundër korrupsionit. Sidomos në parim. Por sapo dikush del në protestë kundër korrupsionit, ai pyet: “Kush i financon këta?”
Pastaj i kujtohet fshati. Dikur, në fshatin e tij, toka punohej. Sot shumë ara kanë mbetur djerrë. Fermerët ankohen për naftën, plehrat kimike, mungesën e subvencioneve, mungesën e pikave të grumbullimit. Domatet hidhen në kanal, sepse nuk ia vlen t’i çosh në treg. Qumështi shitet me çmim poshtërues. Importi vjen më lirë. Fermeri shqiptar del më shtrenjtë në vendin e vet.
Por njeriu i divanit ka shpjegim edhe për këtë: “Fshatarët nuk dinë të organizohen.”
Pastaj në televizor del një lajm për spitalet. Në Tiranë flitet për investime, aparatura, qendra moderne. Në rrethe, ndërkohë, qytetari kërkon pediatër, kardiolog, kirurg, specialist, dhe shpesh merr si përgjigje: “Duhet të shkoni në Tiranë.” Pra, sëmundja mund të jetë lokale, por trajtimi është i centralizuar. Dhimbja nis në Kukës, Pukë, Përmet, Tepelenë, Peshkopi apo Sarandë, por rruga përfundon te QSUT-ja. Qytetari merr autobusin, merr familjarin, merr batanijen, merr lekët borxh sepse mjekesia eshte falas dhe niset për Tiranë, sepse shteti ka vendosur që njeriu të sëmuret në mënyrë të decentralizuar, por të kurohet në mënyrë të centralizuar.
Njeriu i divanit e di këtë. Ka qenë vetë me të afërm nëpër spitale. Ka parë korridore, radhë, mungesë mjekësh, lodhje, zarfe të heshtura, sy të trembur. Por kur protestuesit flasin për shëndetësinë, ai thotë: “Po pse bërtasin? Këto gjëra nuk zgjidhen me protesta!”
Pastaj vjen puna. Në Shqipëri ka ligje për punëtorët. Ka kontrata, sigurime, paga të deklaruara, inspektorate, rregulla sigurie. Në letër, punëtori është i mbrojtur. Në realitet, shpesh është i pambrojtur edhe nga skela ku punon.
Pagat në zarf janë bërë pjesë e folklorit ekonomik. Në shtet deklarohet paga minimale, pjesa tjetër jepet në dorë. Sot punëtori merr pak më shumë para për të mbijetuar, nesër merr pension më të ulët për të vuajtur. Aksidentet në punë ndodhin, sidomos në ndërtim. Njerëzit bien nga lartësitë, familjet marrin lajme të zeza, institucionet marrin deklarata dhe jeta vazhdon.
Njeriu i divanit psherëtin. “Po vetë pranojnë të punojnë ashtu,” thotë.
Pastaj iu kujtua pensioni.
Qeveria kishte indeksuar pensionet me 2 për qind. Dy për qind! Kur e dëgjoi lajmin, për pak u ngrit nga divani. Jo për protestë, natyrisht. U ngrit për të marrë lapsin. Bëri llogaritë dhe i doli se me indeksimin e ri mund të pinte një kafe më shumë në muaj. Një kafe. Jo me ujë. Vetëm kafe. Edhe atë, nëse çmimi nuk rritej javën tjetër, sepse çmimet në atë vend kishin fituar shpejtësi olimpike.
Por njeriu i divanit nuk është mosmirënjohës. Një kafe në muaj është arritje. Mund të dalë në lokal, ta pijë ngadalë, ta shijojë si fitore sociale dhe t’i thotë kamarierit: “Këtë ma dha indeksimi.”
Pastaj mund të kthehet në shtëpi dhe të presë muajin tjetër.
Ndërkohë, skema e pensioneve rëndohet. Të rinjtë ikin. Lindjet bien. Popullsia plaket. Ka gjithnjë e më pak kontribues dhe gjithnjë e më shumë përfitues. Pensioni nuk mbulon faturat, ilaçet, ushqimet, ngrohjen, analizat. Pleqëria është kthyer në ushtrim matematikor: si të ndash pak para mes bukës, dritave dhe ilaçeve pa u dorëzuar plotësisht.
Njeriu i divanit e di këtë më mirë se kushdo. Ai e ndien në xhep, në trup, në frigorifer, në listën e ilaçeve. Por prapë, kur sheh protestën, nuk thotë: “Ndoshta këta njerëz kanë të drejtë.” Jo. Ai thotë:
“Fjalimet janë shumë të dobëta.”
Sepse kjo është çështja kryesore. Jo pensioni. Jo buka. Jo spitali. Jo ilaçet. Jo uji. Jo qumështi. Problemi është se njëri nga folësit nuk kishte intonacion të mirë. Një tjetër përsëriti të njëjtën fjali dy herë. Një zonjë foli shumë gjatë. Një djalë bërtiti shumë. Një tjetër nuk bërtiti sa duhet.
Pra, si mund të dalë njeriu në protestë me këta njerëz?
Pastaj kujtohet arsimi.
Universitetet nxjerrin çdo vit të diplomuar në degë që tregu nuk i përpin dot më. Drejtësi, ekonomi, shkenca politike, administrim, marrëdhënie ndërkombëtare. Diploma që varen në mur, por nuk hapin dyer. Ndërkohë vendi kërkon elektricistë, hidraulikë, mekanikë, saldatorë, teknikë të mirëfilltë. Zanatet janë nënvlerësuar, shkollat profesionale janë trajtuar si zgjedhje e dorës së dytë, dhe të rinjtë, në vend që të mësojnë një zanat këtu, ikin ta mësojnë ose ta ushtrojnë diku tjetër.
Njeriu i divanit ka mendim edhe për këtë:
“Rinia do vetëm diploma.”
E thotë sikur sistemi arsimor të mos ishte ndërtuar për vite me radhë mbi idenë se diploma vlen më shumë se aftësia, se zyra vlen më shumë se puna, se titulli vlen më shumë se zanati.
Pastaj vijnë ilaçet.
Tregu i barnave kontrollohet nga pak depo të mëdha. Çmimet janë të larta. Disa ilaçe mungojnë. Disa kushtojnë më shumë se në vendet fqinje. Për sëmundje të rënda, njerëzit shpesh detyrohen të kërkojnë barna jashtë, me miq, me të njohur, me porosi, ndonjëherë edhe në rrugë të pasigurta. Pa garanci për ruajtjen, pa garanci për origjinën, pa garanci për asgjë, përveç dëshpërimit.
Njeriu i divanit ka një listë ilaçesh që e mban në xhep, por më shumë si dokument kulturor. E nxjerr herë pas here, e lexon, mallëngjehet dhe e fut prapë. Disa i blen, disa i shtyn, disa i përgjysmon, disa i zëvendëson.
Pastaj bie shi. Shi i madh. Rrebesh. Njerëzit prapë në shesh. Me çadra, pa çadra, të lagur, të lodhur, por ende aty: “Rama, jepe dorëheqjen!”
Ai i sheh nga televizori dhe thotë: “Po mirë, mor aman, nuk kanë shtëpi këta? Po ja iku Rama, po kush do të vijë?”
Pastaj sheh tavanin e vet që pikon nga lagështia. Ka muaj që thotë se do ta rregullojë, por nuk ka para. Hidrauliku kushton, materiali kushton, puna kushton. Edhe uji që pikon duket sikur i thotë: “Dil, mor njeri, se po të bie tavani mbi kokë.”
Por ai nuk del. Ai analizon. “Protesta pa ide,” shkruan.
Pastaj mendon për idetë e veta. Ideja e tij kryesore është të mos ngrihet nga divani. Ideja e dytë është të kritikojë ata që ngrihen. Ideja e tretë është të presë që dikush tjetër të bëjë një protestë të përsosur, me njerëz të përsosur, me fjalime të përsosura, me rezultate të menjëhershme, dhe pastaj, ndoshta, t’i bëjë një pëlqim në Facebook.
Protesta vazhdon. Kamera kap një kënd më bosh. Zemra e njeriut të divanit bëhet mal. Ja prova! Ekrani i dha të drejtë. Ai e dinte. Ai e ndiente. U pakësuan.
Pastaj ndihet më mirë. Sepse kur protesta dështon, ai fiton. Nuk e di çfarë fiton, por fiton. Ndoshta fiton të drejtën për të mos bërë asgjë. Fiton qetësinë e rreme se problemi nuk është sistemi, por protestuesit. Nuk është pensioni i tij, por fjalimi i tyre. Nuk është prona e bllokuar, por pankarta që nuk i pëlqen. Nuk është apartamenti i pamundur, por slogani që nuk është formuluar bukur. Nuk janë ilaçet që nuk i blen dot, por intonacioni i folësit. Nuk janë tenderat, monopolet, pastrimi i parave, krimi i organizuar në ekonomi, por fakti që ai Goxhaj nuk kishte qenë ndonjëherë me UÇK-në.
Merr telefonin dhe shkruan shpejt: “Ja, u pakësuan! Dështuan totalisht! Po ku dinë këta të bëjnë protestë?”.



