Për një vështrim më kritik ndaj protestës

0

Shkruan Zef Ndreka

Shumë herë kam shkruar për protestën dhe kam pyetur për financuesit e saj. Kam shkruar që në fillim për infiltrime të mundshme nga jashtë dhe përdorimin për përfitime politike nga grupe që janë ende anonime.
Së fundi, shohim të dalin në emër të organizatorëve disa përsona të lidhur me radikalët islamikë, që në disa protesta janë shfaqur në krye të tyre kundër SHBA-ve që konsiderohet aleati ynë strategjik.
Pra, dyshimet e mia vazhdoj ti shfaq hapur, se kjo është një protestë e stisur nga antishqiptarët duke shfrytëzuar në të vertetë shumë probleme reale që kalon vëndi ynë dhe që lidhen me korrupsionin, me socialen etj.
A ka vend realisht për dyshime, apo iu iku koha edhe atyre?!
Ta analizojmë.
Dyshimet në politikë dhe në lëvizjet shoqërore janë të natyrshme, sidomos kur mungon transparenca mbi organizatorët, financuesit dhe qëllimet afatgjata të një proteste si kjo që po ndodh në Tiranë.
Së fundi, po shfaqën në krye të saj disa individë ose grupe me agjenda të caktuara politike, ideologjike apo fetare. Dhe nga këto fakte, është normale që të lindin shumë pyetje mbi ndikimin e tyre dhe mbi përpjekjet për ta orientuar protestën drejt interesave të veçanta.
Megjithatë, dyshimi deri më tani, duket se nuk është provë. Por fakti që në protestë marrin pjesë individë me bindje të ndryshme mbase nuk mjafton llogjikisht për të arritur në përfundimin se e gjithë protesta është e organizuar apo e kontrolluar prej tyre.
Mbase edhe po.
Ndodh që në çdo lëvizje qytetare mund të ketë tentativa infiltrimi, instrumentalizimi apo përfitimi politik dhe këto duhen vërtetuar me fakte duke iu larguar perceptimeve. Gjithsesi, thelbësore mbetet transparenca për ne, që deri më tani mungon. Konktretisht, kush e organizon protestën?!
Kush e financon atë?!
Cilat janë kërkesat konkrete dhe kush përfiton politikisht nga zhvillimi dhe stërzgjatja e saj?! Vetëm përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve mund të largojnë dyshimet ose ti forcojnë ato. Prandaj, e themi me të madhe se ka vend për pyetje dhe për një vështrim më kritik ndaj protestës, por po aq vend ka edhe për kujdes që të mos identifikohet e gjithë protesta me veprimet apo qëndrimet e një pjese të pjesëmarrësve të saj.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu