Kryebashkiakë të akuzuar dhe emra të rinj, profili i pesë bashkive që premtojnë garë të fortë në 14 Maj

0

Kryesia e Partisë Socialiste dhe emrat e propozuar nga drejtuesit politikë të qarqeve, pritet t’i japin Edi Ramës një pasqyrë më të qartë të kandidatëve, për të cilët ai do të hedhë firmën dhe do i dërgojë në KQZ si të besuarit e partisë për 14 Majin.

Disa emra janë konfirmuar më herët dhe fushata ka nisur, ndërsa burime jozyrtare nga selia rozë thonë se të paktën 45 kryebashkiakë aktualë do të rikonfirmohen dhe për një mandat tjetër, megjithëse për disa ka pasur pakënaqësi në mënyrën sesi e kanë administruar territorin e tyre.

Bashkia e Tiranës

Kryeqyteti i Shqipërisë pritet të ketë në këto zgjedhje një betejë të fortë për drejtimin e Bashkisë. Kryeministri Edi Rama i ka besuar Erion Veliajt dhe për një mandat tjetër, që e çon atë drejt një 4 vjeçari të tretë dhe me shumë gjasa me një pozicion të konsoliduar për të marrë drejtimin e Partisë Socialiste, pas largimit të Ramës.

Një betejë e fortë, së pari për vetë socialistët, besimi i të cilëve te figura e Veliajt ka rënë, ndikuar dhe nga akuzat e shumta të opozitës dhe betonizimi i Tiranës.

Demokratët kanë nxjerrë përballë tij Belind Këlliçin, një politikan i ri i cili dy ditë më parë ka dhënë dhe dorëheqjen nga mandati i deputetit. I kandiduar nga Berisha dhe ende pa mbështetjen zyrtare të Alibeajt, Belind Këlliçi ka nisur fushatën prej kohësh dhe premton ndryshime të forta për kryeqytetin.

Bashkia e Shkodrës

Edhe pse kryeqyteti konsiderohet nga të gjitha forcat politike si bashkia kryesore e vendit, për shkak të popullsisë së madhe dhe numrit të deputetëve që nxjerr më pas në zgjedhjet parlamentare, Shkodra nuk mbetet mbrapa dhe premton një garë bukur më 14 Maj.

Kryeqendra e veriut i ka besuar për 30 vjet të djathtës dhe këtë herë socialistët janë më pranë ndryshimit se kurrë më parë. Edi Rama i ka besuar deputetit të tij, Benet Beci për të kandiduar në Shkodër nën logon e Partisë Socialiste. Një figurë popullore dhe me mbështetjen e fortë të strukturave të partisë, Benet Beci pritet të marrë për herë të parë Kalanë e Rozafës.

Një mbështetje e fortë do të jetë dhe ikja e Agron Çelës nga Partia e Lirisë drejt Partisë Socialiste. Edhe ky një figurë popullore në Shkodër dhe me të paktën 10-12 mijë vota personale, të cilat i ka treguar disa herë, në zgjedhje parlamentare dhe lokale.

Nga ana tjetër, demokratët pritet t’i besojnë Bardh Spahisë, ish-deputeti që e drejton prej një viti bashkinë. Mirëpo, këtë herë ai ndodhet në një situatë më të vështirë se 6 Marsi i 2022, pasi demokratët janë ndarë në dy grupime dhe nuk dihet ende nëse Enkelejd Alibeaj do të çojë në Shkodër një kandidatë të dytë.

Bashkia e Durrësit

Qyteti bregdetar i Durrësit është një tjetër bastion ku socialistët pritet të kenë një betejë jo të lehtë në rrugën e tyre për fitore. Emiriana Sako duket se do të jetë zgjedhje e vetë Edi Ramës për të drejtuar qytetin bregdetar, i cili ka nisur rrugën e transformimit dhe pritet të jetë me portin e ri një nga portat kryesore të mesdheut.

Por, ky investim gjigant dhe më i madhi për Shqipërinë, është dhe një “mallkim” për socialistët. Opozita prej muajsh ka akuzuar Ramën dhe zyrtarët e lokalë për dhënie të Durrësit me koncesion te arabët që do ndërtojnë portin. Akuza të forta ka pasur dhe për rindërtimin, si një ndër bashkitë më të prekura nga tërmeti tragjik i nëntorit 2019.

Igli Cara, ish-deputeti dhe ish-kryetari i PD për Degën e Durrësit, është një kandidaturë e fortë që ka marrë mbështetjen e partive opozitare për bashkinë. Një politikan me mbështetje të madhe në Durrës dhe në Tiranë. Cara gëzon gjithashtu dhe mbështetjen e grupit të Enkelejd Alibeajt, duke konsoliduar dhe më tepër pozitat në përballjen me Sakon.

Bashkia e Fierit

Socialistët e Fierit janë prej ditësh në pritje të një vendimi të kryeministrit Edi Rama për kandidatin e tyre për Bashkinë. Armando Subashi duket se do të jetë emri që do i përfaqësojë socialistët, por strukturat vlojnë nga vendimet e tij dhe nuk e duan.

I akuzuar për shkelje të tenderave dhe abuzim me detyrën, Subashi është thirrur dhe në Prokurorinë Speciale. Kryebashkiaku i Fierit ka dhënë dëshminë për inceneratorin e Fierit, ndërsa newsbomb.al ka publikuar në vazhdimësi raporte të institucioneve zyrtare për abuzim me paratë.

Megjithatë, Armando Subashi nuk e ka 100% besimin e strukturave dhe vulën emrit të tij do ja vërë kryeministri Edi Rama. Demokratët nga ana tjetër, kanë zyrtarizuar Evdar Kodhelin, një ekonomist i dalë nga primaret e Sali Berishës.

Bashkia e Vlorës

Socialistët vlonjatë u janë drejtuar këtë të shtunë kutive të votimit për të zgjedhur kandidatin e preferuar për të marrë drejtimin e qytetit bregdetar. I pranishëm në punimet e Asamblesë është dhe kryeministri Edi Rama. Atje votohet për kandidatët Ermal Dredha dhe Fate Velaj, me Dredhën që ka kaluar shumë para në vota dhe së shpejti pritet dhe zyrtarizimi i tij.

Për dy mandate radhë Vlora është drejtuar nga mjeku Dritan Leli, i cili ka vendosur të mos rikandidojë duke qenë se nuk ka prej kohësh mbështetjen e Ramës dhe të strukturave të partisë.

Kjo do të jetë dhe sfida e socialistëve vlonjatë, të cilët janë lënë në harresë prej zgjedhjeve të 25 prillit 2021, kur nisi krisja e Edi Ramës me Dritan lelin. Pëplasjet e strukturave me Lelin kanë qenë të vazhdueshme, por kryebashkiaku nuk pranoi të largohej nga posti.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu